RKL

RKL: Tri gabimet e papërmirësueshme, që u bënë në Kosovë, lidhur me pranimin e Gjykatës Speciale

Pranimi i Gjykatës Speciale nga  institucionet e vendit

Gjykata Speciale kundër UÇK-së, është themeluar pas një presioni të fuqishëm ndërkombëtar, me kërkesë të Këshillit të Evropës,  Serbisë, BE-së me përkrahje të Rusisë dhe mbështetje të miqve tanë.

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale, apo siç do të emërohet me ligj dhe me eufemizëm si “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran, Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UCK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Pastaj prokurori amerikan, Clint Williamson, kishte kryer një hetim të gjerë rreth këtyre pretendimeve. Ai paralajmëronte se kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë. Të dënuarit nga kjo gjykatë do të vuajnë dënimet në shtetet e Evropës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, më 3 gusht të vitit 2015  me shumicë votash, miratuan dhe mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Pas një seance maratonike që nga mëngjesi, pro themelimit të Gjykatës Speciale votuan 82 deputetë, 5 ishin kundër dhe një kishte abstenuar, Amendamentin për ndryshimin e kushtetutës, që mundëson themelimin e Gjykatës Speciale, e kishte prezantuar para deputetëve kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai kishte arsyetuar  se partneriteti i Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare është i nevojshëm dhe mbi këtë bazë Kosova duhet t’u përgjigjej obligimeve ndërkombëtare dhe një nevoje për të dëshmuar luftën e pastër dhe të drejtë, që zhvilloi UÇK-ja. Edhe zëvendës-kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, i ftoi deputetët që ta votojnë Gjykatën Speciale, sepse në votimin,  pesë javë më parë, ishin pikërisht disa deputetë të PDK-së, që votuan kundër Gjykatës. Partitë politike opozitare kundërshtuan themelimin e kësaj gjykate.

Pranimi i kësaj gjykate nga krerët e shoqatave të luftës, nën presionin e politikës

Pranimi me lehtësi i ftesave nga eprorët dhe ushtarët e UÇK-së për t’ u marrë në pyetje  nga Prokuroria e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, apo sikur thuhet me eufemizëm, nga Dhomat e Specializuara, të Kosovës, ka qenë një akt i ngutshëm dhe i papeshuar, meqë nënkupton legjitimitetin e kësaj gjykate të njëanshme dhe raciste, nga vetë të pandehurit për krime lufte.

Kjo Gjykatë ka për qëllim diskreditimin e luftës së UÇK-së, sepse merr në hetime si të pandehur për krime lufte në Kosovë, vetëm pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare  të Kosovës dhe jo pjesëtarët e forcave policore e ushtarake serbe, që kanë kryer krime të luftës, në vitet 1998-1999, krime kundër njerëzimit, përpjekje për spastrim etnik  dhe gjenocid në Kosovë. Kjo gjykatë nuk merr nën hetime as kolaboracionistët shqiptarë në shërbim të regjimit kriminal të Milosheviqit.  Nuk merr si të dyshuar asnjë pjesëtar të asnjë etnie tjetër, por vetëm eprorë të lartë të luftës  së UÇK-së dhe pjesëtarë të saj.

Dorëzimi me lehtësi i të gjithë të ftuarve nga Gjykata Speciale, për t u marrë në pyetje  duke përjashtuar vetëm dy tri raste, hedh shumë fije dyshimi për opinionin lidhur me pretendimet për krime lufte dhe këto veprime indolente përforcojnë bindjet e prokurorëve dhe gjykatësve të huaj për penalizimin e luftës së UÇK-së.

Pranimi i aktivitetit të Gjykatës Speciale  pa asnjë protestë popullore legjitimon atë në sy të faktorit  vendor dhe atij ndërkombëtar

Pranimi po thuajse unanim i gjithë të ftuarve, në cilësi të të dyshuarve, me motivacion se atje do ta mbrojnë pastërtinë e luftës, është pranim paradoksal për të mos thënë edhe nënshtrues, sepse nuk ka fare logjikë të pranosh t’i nënshtrohesh një gjykate, verdiktin e së cilës nuk e njeh, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një Gjykatë të njëanshme raciste e pse jo edhe inkuizicionale.

Asnjë prej këtyre  të ftuarve nuk e ndoqi shembullin e Komandantit historik të UÇK-së, Adem Jashari, i cili nuk iu  kishte dorëzuar ftesës së Gjykatës së Qarkut, në Prishtinë, në vitin 1996  dhe ishte dënuar  në mungesë me 20 vjet burg së bashku me disa bashkëveprimtarë. Në mesin e të akuzuarve dhe të dënuarve, në mungesë, ishte edhe Hashim Thaçi, më vonë kryeministër  dhe aktualisht  kryetar i Kosovës, i cili pas një presioni të fuqishëm ndërkombëtar, jo vetëm që  pranoi themelimin e kësaj Gjykate, por  u bë njëri ndër më të zëshmit gjatë gjithë procesit, i bindur se kjo Gjykatë do të ndajë drejtësi dhe do ta pastrojë luftën e UÇK-së. Më vonë, edhe pse nga pozita e kryetarit të Kosovës, pati bërë përpjekje të zhvlerësimit të saj në rrugë institucionale, por ishte vonë, përgjithmonë.

Protestat popullore kundër kësaj gjykate i ka stopuar politika dhe të zgjedhurit po nga politika, në krye të shoqatave të dala nga lufta, të cilët disa herë kanë dhënë  deklarata kontroverse, duke paralajmëruar protesta, duke kërcënuar me masa radikale,  por asnjëherë deri tani nuk kanë treguar gatishmëri të përballen me realitetin.

Edhe tani, kur aksioni i Prokurorisë së Gjykatës Speciale po merr në pyetje krerët më të lartë të luftës, edhe nesër kur do të fillojnë arrestimet spektakolare, indiferenca brenda shoqatave është krejtësisht e papranueshme dhe lë mundësinë e krijimit të një mekanizmi kundërshtues, që nuk njeh legjitimitetin e OVL-UÇK-së.

Nuk do të ishte mirë që OVL e UÇK-së të lejonte një shkizmë të re brenda vetes, sepse në një rast të tillë do ta humbiste edhe legjitimitetin.

Situata në të cilën ndodhet Kosova, pikërisht në tranzicionin e pushtetit si rezultat i zgjedhjeve të parakohshme të 6 Tetorit, kalimi në opozitë i “kahut të luftës” dhe përballja me presionin e Gjykatës Speciale, e rëndojnë edhe më tej situatën në vend. Përbaltja që po i bëjnë luftës së UÇK-së një krah i politikës dhe i disa medieve e OJQ-ve, fushata e pandërprerë  e Qeverisë  së Serbisë dhe miqve të saj kudo në botë, kundër UÇK-së,  të cilën ata  vazhdojnë ta etiketojnë si organizatë terroriste,  numri i madh i shqiptarëve që janë ftuar si dëshmitarë kundër luftës së UÇK-së, disa nga ata dëshmitarë të mbrojtur, madje edhe të tillë që kanë qenë të instruktuar edhe nga radhët e luftës, po kështu krijon një imazh në përpjekje të diskreditimit përfundimtar  të saj.

Mungesa e organizimit të protestave popullore në mbrojtje të krerëve të luftës dhe vlerave të saj në përgjithësi, mungesa e përkrahjes publike, lë për të dyshuar madje edhe në pastërtinë e saj dhe pikërisht edhe ky fakt do të ndikojë në arrestimin e qetë dhe pa ndonjë rrezik të gjithë atyre, të cilët do të përfshihen në aktakuza.

OVL e UÇK-së  duhet të mobilizohet e të veprojë, në të kundërtën do të ballafaqohet me mos dëgjesë, shpërfillje e shpërbërje nga veteranët. Është momenti të tregohet me vepër mbrojtja e luftës dhe krerëve që saj dhe jo vetëm me deklarata boshe dhe improvizuese dhe me një retorikë bajate.

OVL e UÇK-së nuk është themeluar për të bërë politikë dhe as për t’ iu nënshtruar politikës, as për të qenë krah i saj, por për të vepruar konkretisht në mbrojtje të vlerave të luftës, meqë çdo organizatë e shoqatë  në botë, ka të drejtë të organizojë protesta paqësore, të cilat nuk dëmtojnë as kë, por shprehin pakënaqësi lidhur me padrejtësitë që iu bëhen anëtarëve të saj.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …