Elife Luzha

ELIFE LUZHA: NJOHJA DHE RESPEKTIMI I TË DREJTAVE TË NJERIUT KUSHT PËR SIGURI DHE ZHVILLIM SHOQËROR

Studimi i të Drejtave të Njeriut ka një histori të re zhvillimi, përkundër se fillimet e para të të drejtave të njeriut, në pikëpamjet e filozofëve, i gjejmë që në demokracinë klasike të Greqisë antike, ku qytetarët e adhuronin barazinë para ligjit. Kurse stoicizmi që i ka rrënjët te Sokrati, thuhet t’i ketë paraprirë parimit modern të konceptit të barazisë njerëzore. Në fakt, historia e së drejtës është paraqitur në shek. XVII p.e.së re, me Kodin e Hammurabit në Babiloni, megjithatë, si edhe nga e drejta romake,  nuk kemi ndonjë shembull të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Duke qenë se të drejtat e njeriut janë universale, të pamohueshme e të patjetërsueshme, apo siç thoshte Boutros-Ghali, të drejta të lindura, atëherë ato si pjesë e identitetit tonë të përbashkët, mund t’i përkufizojmë si “të drejta që nuk fitohen, e as varen nga statusi i individit” (Imholz dhe Toska, 2016, fq, 17 ) që do të thotë se “ato nuk mund t’i mohohen individit madje edhe nëse ai/ajo pajtohen për këtë” (Rama dhe Kuçi, 2003, fq. 36). Edhe – John Locke i njohur si autorë i liberalizmit filozofik e politik, mendonte se, “individët janë qenie të barabarta dhe autonome me të drejtat e tyre natyrore që janë më të hershme se ligji kombëtar, apo e drejta ndërkombëtare” (cituar sipas Mingst, 2008, fq. 371). Se të gjithë njerëzit janë të lindur të lirë me dinjitet dhe të drejta të barabarta” thotë edhe nenin 1 i Deklaratës Universale Për të Drejtat e Njeriut. Me një fjalë, të drejtat e njeriut mund t’i konsiderojmë si “ të drejta që dikush i ka thjeshtë sepse është njeri” (Daci, 2017, fq. 38).

Nuk ka dyshim se mbrojtja e dinjitetit njerëzor është baza nga fillon mbrojtja e të gjitha të drejtave të njeriut, si të lirisë, drejtësisë, tolerancës, respektin për të tjerët etj. Ato janë të lidhura ngushtë me detyrimin e shtetit për t’i mbrojtur dhe promovuar ato. Por, që kjo të ndodhë, të drejtat e njeriut duhen sanksionuar me kushtetutë apo deklarata me rëndësi kushtetuese, sepse vetëm në këtë mënyrë sigurohet përgjegjësia e secilit që t’i respektojë ato. Shteti me çdo kusht duhet  të kultivojë kulturën e respektimit të ligjit për të gjithë, sepse njerëzit për t’iu shmangur anarkisë krijuan marrëveshjen apo kontratën sociale, pra, hoqën dorë nga një pjesë e madhe e të drejtave të tyre (natyrore), për t’i garantuar më mirë me anën e shtetit, që  Thomas Hobbese quante “krijesë artificiale” apo “zot të vdekshëm” (Daci fq. 37). Në fakt, të drejtat e njeriut janë ndër kërkesat kryesore që individët u parashtrojnë qeverive në shtetet e tyre, prandaj ka raste kur legjitimiteti i qeverive varet fort nga aftësia për t’i përmbushur ato.

Mbrojtja e të drejtave të njeriut shpeshherë konsiderohet edhe si projekt moral, që synon krijimin e një bote më tolerante, apo siç thotë Jean Jcques Rousseau (2018) që mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk vjen nga natyra, por marrëveshja. Autori slloven Rudi Rozman (1992), mendon gjithashtu  se “të drejtat e njeriut janë një vështrim i rrallë intelektual, por edhe kapital, për vendosjen e barazisë midis shoqërisë, shtetit dhe individit”(fq. 105). Në këtë rast rol të veçantë luan arsimimi i qytetarëve, që është kusht për njohjen e individit me të drejtat e tij. Prandaj, të gjithë qytetarët pa dallim, si “gratë, burrat, të rinjtë dhe fëmijët duhet t’i dinë dhe t’i kuptojnë të drejtat e tyre njerëzore, gjë që mund të arrihet vetëm përmes arsimimit dhe mësimit për të drejtat e njeriut” (Rama dhe Kuçi, 2003, fq. 27), meqë njerëzit si qenie shoqërore kudo që jetojnë “do t’i respektonin të drejtat e njeriut nëse e dinë se ekzistojnë” (Morgenthau, 2008, fq, 274).

Zhvillim i shkurtër kronologjik i konventave për të Drejtat e Njeriut

Në historikun e të drejtave të njeriut mësojmë se “të drejtat e njeriut si koncept kanë ekzistuar që në shoqëritë primitive ku çdo anëtar i fisit kishte të drejtë të merrte pjesë në jetën e komunitetit” (Daci, 2017, fq. 37). Megjithatë, ato kanë filluar të ekzistojnë vetëm atëherë kur “njerëzit e krijuan shtetin dhe i dhanë atij disa nga të drejtat e tyre, me kusht që ai të merrte përsipër mbrojtjen më të mirë të të drejtave tjera nga ato që mbajtën e që konsiderohen si të pandashme e patjetërsueshme” (po aty, fq. 41). Të drejtat e njeriut, për herë të parë u proklamuan  në vitin 1215, me Kartën e Madhe të Lirive (Magna Carta Libertatum), e cila siguroi parimet bazë të të drejtave të njeriut, duke dëshmuar se, natyra njerëzore vërtetë është diçka e dhënë, por edhe ndërhyrje e fortë shoqërore. Më vonë, Ligji për të Drejta (Bill of Rights) i vitit 1689 dhe Deklarata për Pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e vitit 1776, si dhe Deklarata për të Drejtat e Njeriut dhe Qytetarit e vitit 1789 , mundësuan mbrojtjen më të madhe të tyre (Gruda, 2010, fq. 9).

Lufta për të drejtat e njeriut dhe një rend më të drejtë qeverisës, nuk është tjetër pos përpjekje në kërkim të universales, e krijimit të një kulture të drejtash për të gjithë pa dallim. Në synim të këtij qëllimi, popujt e botës deri në ditët tona kanë realizuar një varg marrëveshjesh e konventash dhe është në interesin tonë t’i përmendim disa prej tyre si, Paqja e Westfalisë e vitit 1648, e cila  sipas Thomas Hobbes i dha fund luftës kundër çdo kujt, pastaj Kongresi i Vjenës mbi tregtinë e skllevërve i vitit 1815, Shoqata Amerikane Kundër Skllavërisë e vitit 1833, Konventa Ndërkombëtare kundër skllavërisë e vitit 1926, dhe Traktati i Paqes së Versajës  i vitit1919, ku për herë të parë u diskutua edhe për minoritetet, meqë në atë kohë, Presidenti i SHBA-ve Voodroov Vilson, kishte parashtruar që shteteve të reja, si kusht për njohjen e pavarësisë, t’u kërkohet mbrojtja e pakicave kombëtare. Nën udhëheqjen e Eleanor Roosevelt koncepti universal i të drejtave të njeriut, për herë të parë u promovua nëpërmjet Deklaratës Universale Për të Drejtat e Njeriut, më 1948 e cila përbëhet nga 30 artikuj, të cilët janë përpunuar gjatë viteve në vijim nga traktate ndërkombëtare, instrumente rajonale të të drejtave të njeriut, kushtetuta kombëtare dhe ligje tjera. Po këtë vit është miratuar edhe Konventa për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit, si ai ndaj hebrenjve, që ka ndodhur gjatë holokaustit. Falë, karakterit universal të të drejtave të njeriut, nga çfarë nuk mund të zhvishen, më 1989 është miratuar edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës, vetëm një vit më pas në vitin 1990, u miratua edhe Deklarata e Kajros mbi të Drejtat e Njeriut në Islam, që përbënë një dokument të rëndësishëm, kur kemi parasysh se gjatë miratimit të Konventës së Grave  në vitin1979, (CEDAW), disa shtete islamike, ishin përpjekur që të drejtat e grave t’i kufizojnë (Rama dhe Kuçi, 2003, fq. 40). Përpjekja për t’i imponuar të drejtat e njeriut ndaj të tjerëve, apo për t’i ndëshkuar ata për mos respektimin e tyre, presupozon që të drejtat e njeriut kanë një vlefshmërinë universale (Morgenthau, 2008, fq. 274).

 Rovulucioni industrial, zhvillimi i ekonomisë dhe demokracisë, ka ndihmuar në përparimin më të madh  të të drejtave  të njeriut, dhe mund të themi se secila gjeneratë e re, ka zgjeruar një hapësirë të re të ideve në favor të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave njerëzore. Por, për t’i  kuptuar më mirë këto ndryshime, studiuesit (Jordan Daci, Karen A. Mingst), kanë bërë një ndarje të të drejtave të njeriut sipas zhvillimit. Kështu, të drejtat e njeriut fillimisht u bazuan në mbrojtjen e individit nga arbitrariteti i shtetit apo bartësve shtetërorë dhe ka vazhduar me të drejtat ekonomike e sociale të njohura edhe si të drejta pozitive, meqë shteti është i detyruar të bëjë ndërhyrje për t’i siguruar ato. Përderisa, gjenerata e tretë, identifikohet sidomos me zhvillimin e konceptit të ri të mbrojtjes së të drejtave të grave e fëmijëve, mbrojtjen nga diskriminimi racor dhe aparteidi, por edhe zgjerimin e parimit të vetëvendosjes gjatë shekullit XX.

Ndoshta, zhvillimet demokratike, por edhe zgjerimi i diskutimit rreth civilizimit gjatë kësaj periudhe, kanë ndikuar që gjenerata e tretë, të avancohet më shumë sa i përket krijimit të kulturës së tolerancës dhe respektit për tjetrit. Përkundër kësaj, sot jemi dëshmitarë të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut kudo në botë, megjithatë vështirë se mund të gjejmë një shembull që një shtet të ketë dështuar për shkak të shkeljes së tyre (Rozman, 1992, fq. 105). Madje deri para vitit 1954, mbrojtja e individëve mbeti përgjegjësi vetëm e shtetit. Me fjalë tjera, të drejtat e njeriut u konsideruan kompetencë e brendshme e shtetit edhe pas formimit të organizatave si Lidhja e Kombeve, Organizata e Kombeve të Bashkuara, por edhe pas miratimit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ngritën këtë argument gjatë periudhës së të drejtave civile të viteve ’50-’60 (Mingst, 2008, fq. 374). Në Deklaratën për Marrëdhënie Miqësore të miratuar më 1970, shkruan gjithashtu se asnjë shtet ose grup shtetesh nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë drejtpërdrejt ose indirekt, për çfarëdo arsye, në punët e brendshme dhe të jashtme të një shteti tjetër (Mahmuti, 2002, fq. 50). Megjithatë, falë parimeve të demokracisë liberale, të respektimit, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut e të ideve të reja sot, dominojnë rregullat e pranuara nga të gjithë se asnjë shtet sovran nuk ka të drejtë t’i terrorizojë qytetarët e vetDhe pikërisht mbi këto parime që nuk bien ndesh me preambulën e as qëllimet e Kartës së OKB-së*1, gjatë shekullit të kaluar, janë realizuar një varg ndërhyrjesh në mbrojtje të të drejtave të njeriut, si ndërhyrja e Indisë në Pakistan e vitit 1971, e Tanzanisë në Ugandë e vitit 1979, e Vietnamit në Kamboxhia e vitit 1979, në Kuvajt pas pushtimit nga Iraku në vitin 1990, etj. Ideja e intervenimit humanitar për herë të parë përmendet nga  Thomas Aquinas në shekullin XIII, sipas të cilit, “një sovran ka të drejtë të intervenojë në punët e brendshme të tjetrit, kur ky i fundit i keqtrajton shtetasit e tij” (Gruda, 2007, fq. 113). “Doktrinën e intervenimit humanitar e ka përkrahur edhe Groci, dhe sipas kësaj doktrine, lejohet intervenimi humanitar kur ka për qëllim të ndalojë mizoritë apo krimet e një shteti kundër tërë një popullsie” (Gruda, 2007, fq. 114).

Për shkak të abuzimit të rëndë me të drejtat e njeriut nga pushtuesi serbë në Kosovë dhe privimit kolektiv të shqiptarëve etnikë nga të drejtat më elementare të tyre, më 1999, ndërhyrja humanitare është realizuar edhe në Kosovë, duke shënuar kështu, një fillim të ri të marrëdhënieve në raport mes shtetit dhe të drejtave të njeriut, por dhe shtetit e të drejtës ndërkombëtare.  “Përfaqësuesi holandez në Këshillin e Sigurimit më 10 qershor 1999 në lidhje me intervenimin humanitarë në Kosovës thoshte, që nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, respektimi i të drejtave të njeriut është bërë më i detyrueshëm, përderisa respektimi i sovranitetit të shtetit më pak absolut” (Mahmutaj, 2002, fq. 66). Dhe jo vetëm kaq, rasti i ndërhyrjes në Kosovë dëshmon se mos respektimi i të drejtave të njeriut, përbën kërcënim serioz të sigurisë jo vetëm për individët brenda territorit të vet, por edhe më gjerë. Në anën tjetër, respektimi i të drejtave të njeriut, do të eliminonte jo vetëm pasigurinë, por edhe shumë dukuri negative si, korrupsionin, nepotizmin, keq qeverisjen apo prapësi tjera, që zakonisht zënë vend në shoqëritë e pazhvilluara apo në tranzicion.

Të drejtat e njeriut në Kosovë

Pas çlirimit të Kosovës nga Serbia më 12 qershor të vitit 1999, dukej se ëndrra e shqiptarëve për liri dhe barazi po jetësohej. Nën frymën e re të lirisë dhe demokracisë pritej që Kosova, shumë shpejt të bëhej pjesë e bashkësisë së madhe evropiane. Megjithatë, Kosova nuk ka shënuar ndonjë avancim të dukshëm mbarëshoqëror, meqë një shtet nuk frymon vetëm nga kushtetuta apo ligjet e shpallura në letër, por mbi të gjitha nga jetësimi në praktikë i tyre.

Pikërisht, mungesa e sundimit të ligjit, por edhe keq qeverisja kanë bërë që Kosova sot, në raportet e organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si, “Amnesty International” apo “Human Rights Watch”, të renditet ndër vendet me shkeljen e të drejtave më themelore të njeriutSe kjo qëndron mjafton ta hedhim një vështrim të vëmendshëm rreth nesh dhe do të shohim numrin e shtuar të fëmijëve lypsarë, ( madje Kosova nuk është nënshkruese e Konventës së Hagës të vitit 1980 për aspektet civile të rrëmbimin ndërkombëtar të fëmijëve), të moshuar të pastrehë shtrirë trotuareve, fëmijë, të rritur e të moshuar që enden rrugëve duke kërkuar punë, gra që ankohen për dhunë në familje e forma tjera të dhunës e diskriminimit, gazetarë që kërcënohen nga politika për raportim të korrupsionit, punëtorë që ankohen për mosdhënie të pagave nga punëdhënësi, persona me aftësi të kufizuar që nga pengesat e shumta nuk kanë qasje në institucione e objekte tjera publike, madje as të dalin lirshëm në qytet, studentë të diplomuar që nuk kanë shpresë për një vend pune në atdheun e tyre, e shumë anomali tjera që paraqesin shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, e për të cilat askush nuk pyetet as ndëshkohet. Me një fjalë, Kosova përkundër ligjeve të mira, ka bërë fare pak në aspektin respektimit të të drejtave të njeriut.

“Njohja e dinjitetit të lindur që u përket të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore si dhe njohja e të drejtave të tyre të barabarta e të patjetërsueshme përbën themelin e lirisë, drejtësisë dhe të paqes në botë”, shkruan në Deklaratën Universale Për të Drejtat e Njeriut, që sipas nenit 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Konventat e të Drejtave të Njeriut kanë prioritet dhe zbatim të drejtpërdrejtë në Kosovë.

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), mbi të Drejtat e Njeriut në botë, i publikuar në mars të vitit 2019, Kosova kritikohet për korrupsion endemik në qeveri. Siç raporton Departamenti i Shtetit, strukturat e gjyqësorit mbeten pre e ndikimeve politike dhe se autoritetet e shtetit në Kosovë shpesh nuk i vënë në zbatim vendimet e gjykatave dhe të Gjykatës Kushtetuese. Kosova ka ligje të mira, thuhet në raport, por të njëjtit nuk zbatohen në mënyrë të drejtë për të gjithë qytetarët e saj (Po aty, ). Me një fjalë, Kosova edhe 20 vite pas çlirimit, ballafaqohet me shkeljet themelore të të drejtave të njeriut për çfarë askush nuk pyetet e as ndëshkohet. Në Kosovë me çdo kusht, duhet të kultivohet kultura e respektit për të tjerët dhe të kuptohet rëndësia e respektimit të të drejtave të njeriut. Vetëm në këtë mënyrë do ta ndërtojmë një shtet modern, demokratik dhe jetësojmë ëndrrën për liri dhe barazi për të gjithë.

Bibliografia

  1. Gruda, Zejnullah. (2010). Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, dokumente dhe materiale(botimi i pestë), Prishtinë: UBT,
  2. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2008,
  3. Mahmuti Klentiana, 2002, Nato në Kosovë: Ndërhyrje e ligjshme apo shkelje e së drejtës ndërkombëtare, Tiranë “Qendra Evropiane”
  4. Daci Jordan, 2017 Të drejtat e njeriut, (Botimi i IV), Tiranë, “Mirgeeralb”,
  5. Morgenthau J. Hans, 2008, Politika ndërmjet Kombeve, Tiranë, “AiiS” Instituti i Studimeve Ndërkombëtare,
  6. Rizman Rudi, 1992, Demokracija in politicna kultura, Lubjanë, Enajsta Univerza,
  7. A. Karen, 2008, Bazat e marrëdhënieve ndërkombëtare, Tiranë, “AiiS” Albanien Institute for International Studies,
  8. Aristoteli, Politika, 1978,
  9. Gruda Zejnullah, 2007, E drejta ndërkombëtare publike, Prishtinë, “Copyright2,
  10. Malnes Braino & Midgard Knut, 2007, Filozofi politike,Prishtinë, “Rozafa”,
  11. Doracaku mbi të drejtat e njeriut, Përkthyes Artan Rama dhe Hajredin Kuçi, O 2003, Qendra Evropiane e Trajnimit dhe Hulumtimit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokraci “ETC”, Grac,
  12. https://www.dw.com/sq/drejt%C3%ABsia-n%C3%AB-kosov%C3%AB-n%C3%ABn-kthetrat-e-politik%C3%ABs/a-47943973, shikuar, 30.09.2019,
  13. http://www.kipred.org/repository/docs/Albanian_Version_350593.pdf, shikuar,30.09.2019,
  14. https://www.academia.edu/28171650/manual_të_drejtat_e_njeriut.pdf, shikuar, 30.09. 2019,
  15. http://www.njekomb.com/?p=5862, shikuar, 02.10.2019.

1 Në Preambulën e Kartës thuhet se, Ne Popujt e Kombeve të Bashkuara jemi të vendosur të afirmojmë besimin në të drejtat e njeriut.. pastaj edhe Neni 55 dhe 56 I Kartës parashikojnë promovimin e të drejtave të njeriut.

26.10.2019

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …