Ndonëse kanë kaluar një muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, Qeveria në dorëheqje e Ramush Haradinajt, vazhdon të jetë në detyrë. Madje, për sot, datë 5 nëntor, Haradinaj ka thirrur mbledhje të rregullt të kabinetit të tij, e 113-ta me radhë. Janë pesë pika të rendit të ditës që do të diskutohen në mbledhjen e kabinetit. Aprovimi i procesverbaleve të disa prej mbledhjeve të kaluara, shqyrtimi i propozim-vendimit për kursime dhe ndarje buxhetore të organizatave buxhetore, shqyrtimi i raportit të Thesarit për të hyrat dhe shpenzimet nëntëmujore dhe shqyrtimi i propozim-vendimit për rivarrimin e Dëshmorëve të Kombit, janë katër pikat e para. E fundit, sipas traditës është “të ndryshme”. Haradinaj kishte dhënë dorëheqje më 19 korrik të këtij viti, pas ftesës që kishte marrë për intevistim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Zgjedhjet e 6 tetorit i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, e cila është në negociata me partinë e dytë, Lidhjen Demokratike të Kosovës, për harmonizmimin e programit qeverisës. Ndërkohë, rezultatet e zgjedhjeve ende nuk janë certifikuar. Haradinaj pas dorëheqjes së tij i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të drejtat e tij si kryeministër në dorëheqje, po Kushtetuesja i ishte përgjigjur se çështjet e ngritura nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të kësaj gjykate.
Kontrolloni gjithashtu
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, kërkon që të gjithë të korruptuarit pa dallim të futen në burg
Deputetja e LDK, Hykmete Bajrami, ka publikuar një video ku shfaqet votimi i deputetëve të …