Disa hoxhallarë, mësimdhënës dhe nxënës të Medresesë "Alauddin", në Prishtinë, viti 1962
Disa hoxhallarë, mësimdhënës dhe nxënës të Medresesë "Alauddin", në Prishtinë, viti 1962

Ahmet Qeriqi: Medreseja Al-laudin, në Prishtinë në vitet 60-të ka qenë çerdhe e atdhetarisë, më vonë edhe e luftëtarëve të lirisë I

(Kam qenë nxënës në Medresenë “Alauddin”, të Prishtinës, prej vitit 1959 deri në vitin 1966 kur edhe jam përjashtuar nga shkolla  për shkak të veprimtarisë e cila quhej  armiqësore, anti-jugosllave, me pa të drejtë shkollimi në asnjë shkollë fetare, në RSFJ, kështu shkruan në dokumentin e shkruar serbisht lidhur me përjashtimin tim nga Medreseja, në janar të vitit 1966).

 

Në vend të hyrjes

Kontributi që i ka dhënë Medreseja Al-laudin e Prishtinës, kombit, fesë e atdheut, ende nuk është zbardhur sa duhet, në radhë të parë sepse sulmi që sot po i bëhet islamit nga disa  analistë, politikanë dhe “autoritete” madje nga disa mediume të errëta që kanë për qëllim rrënimin e kulturës së tolerancës fetare ndër shqiptarë,  ka bërë që disa besimtarë të mjerë islamë, qofshin edhe hoxhallarë të njohur, të mbyllen në frikën e tyre, sepse po e ngrehin  pak zërin, marrin goditje kokës dhe etiketohen si radikalë dhe pjesëtarë të ISIS-it. Prokurorët në Kosovë, që flenë mbi dosjet e krimeve të rënda të korrupsionit janë kujdestarë të përhershëm për rastet të cilat paragjykohen si vepra  të  terrorizmit islam. Në shënjestër janë të gjithë ata që shprehin opinionet e tyre, sipas bindjeve, fakteve e argumenteve që paraqesin.

Nuk ka logjikë të pastër njerëzore që mund të akuzojë një komunitet fetar disa milionësh, qofshin islamë apo të krishterë, për shkak se në atë mes ka qindra elementë që veprojnë ndryshe dhe që në fund të fundit janë raste të izoluara. Përmes këtyre rasteve të 300 shqiptarëve nga Kosova që kanë shkuar në luftën e Sirisë, bëhen përpjekje të satanizohen rreth 2 milionë shqiptarë të Kosovës.

Vëreni mirë raportin matematikor, 300 dhe 2 milionë për të nxjerrë konkludime logjike.

Por fushatat politike e ideologjike të grupeve e qarqeve të caktuara, gjithnjë të instruktuara, merren me rastet dhe i bëjnë dukuri, me qëllim për të krijuar ndasi përçarje, por edhe me qëllim përfitimi material, sepse shkrimet dhe ofendimet që i bëhen islamit në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri dhe atyre që i etiketojnë si “muslimca” paguhen shumë shtrenjtë nga qarqet pro greke e pro serbe. Disa prej tyre kontaktojnë hapur me Sava Janjiqin në Manastirin e Deçanit, disa të tjerë priten me respekt në zyrën e Janullatosit, në Tiranë, disa të tjerë në Graçanicë.  Shumë syresh ende e vizitojnë varrin e Josip Broz Titos,  në Dedinje. Dhe të gjithë këta rrahin gjoks për shqiptarizëm “të kulluar”.

Një segment tejet i përgjegjshëm, (mjerisht edhe mjaft i nënshtruar) në radhët e Bashkësisë Islame të Kosovës e më gjerë, nga frika se po dëmtohet Kosova dhe pavarësia e saj, ka pranuar jo vetëm heshtjen dhe mbylljen në vete, por i pranon edhe sulmet nga të gjitha anët, madje  edhe atëherë kur duhet ta mbrojë të drejtën e vet kushtetuese dhe jo vetëm atë.

Islamofobëve nuk u kanë mjaftuar sa e sa deklarata publike të krerëve fetarë se nuk përkrahin ISIS-in, as e kanë përkrahur vajtjen e besimtarëve islamë në luftën e Sirisë. Atyre do t’ iu mjaftonte vetëm nëse shqiptarët islamë heqin dorë nga feja dhe bëhen të krishterë. Madje as kjo nuk do t’iu mjaftonte, sepse do të konstatonin se konvertimin  e kanë bërë sa për sy e faqe. Është e çuditshme se në çfarë pozite të mjerë pacifiste ndodhen krerët e fesë islame në Kosovë.

Të gjendur nën një trysni krejtësisht të pa bazë, një trysni të cilën e shfrytëzon politika në Kosovë për t’u krekosur se po e lufton radikalizmin, dhe me këtë merr jo vetëm fonde, por edhe mbështetje ndërkombëtare, për të qëndruar e patundur në pushtet. Krerët e islamit në Kosovë janë bërë dele të buta, që shërbejnë  vetëm për “kurban”, që po i bëjnë politikës aktuale, e cila po i shfrytëzon për interesa të veta, edhe pse këtë nuk e kërkon asnjë politikan realist dhe i mençur në lindje as në Perëndim. Të përkujtojmë me këtë rast një prononcim realist, historik dhe filozofik të Edi Ramës lidhur me identitetin fetar të shumicës shqiptare, të cilin e kanë goditur në kor islamofobët e Kosovës e të Shqipërisë.

Edi Rama: Ata që godasin Islamin e myslimanët, godasin rrënjët e kombit

Duke qenë i përfolur për raportet e tij të afërta me kryetarin e Turqisë Erdogan,  kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka sqaruar për herë të parë publikisht se si dhe kur u njoh me liderin turk. “Marrëdhënia ime me presidentin (Erdogan) është një marrëdhënie që ka nisur pa u njohur unë me të, pasi e kam admiruar për së largu punën e tij të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën. Pastaj kam pasur fatin të njihem me të ta vlerësoj së afërmi, një marrëdhënie që është e ngritur mbi respektin reciprok që nuk ka absolutisht asnjë nga ato shenja që shumëkush merr përsipër të ngrejë akuza dhe teori konspiracioni. Mbi të gjitha është një marrëdhënie e veçantë pasi bazohet tek një parim që nuk e gjen shpesh në marrëdhëniet politike dhe diplomatike që ‘po’ është ‘po’ dhe ‘jo’ është ‘jo‘, ka theksuar shefi i qeverisë në një intervistë për Anadoly Agency.

Më tej ai ka sqaruar dhe raportet me Turqinë, si  dhe pse zgjodhi që qeveria e tij ta kishte aleat strategjik. “Me të fituar zgjedhjet, bëmë këtë pjesë të programit tonë qeverisës, me bindjen se tradita e marrëdhënieve dhe njëkohësisht edhe miqësia mes popujve, përfshirë faktin që Turqia është një vend anëtar i NATO-s dhe një vend me një rol të rëndësishëm në shumë aspekte, përbëjnë padyshim një bazë të plotë për këtë hap, një hap që është shoqëruar me një thellim të marrëdhënieve”, tha Rama.

Ndërkohë, Rama ka konstatuar se “islamofobia është një mallkim i kësaj kohe të re”. Ata që godasin Islamin e myslimanët, godasin rrënjët e kombit. “Edhe në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian forca apo individë të caktuar i fryjnë këtij zjarri shumë të rrezikshëm duke bërë një padrejtësi të madhe, jo vetëm ndaj fesë islame, por ndaj njerëzve, ndaj popujve, ndaj komuniteteve, familjeve që besojnë tek Islami dhe përfaqësojnë të gjithë gjerësinë dhe butësinë e Islamit. Shprehjet e islamofobisë apo turkofobisë janë shprehje të një padije dhe të një arrogance, që buron në radhë të parë nga padija. Të godasësh fenë islame dhe të mbash qëndrime islamofobe do të thotë në fakt të godasësh një rrënjë të rëndësishme të pemës së shqiptarisë dhe të vetë burimit, burimit të ekzistencës së kombit tonë”, u shpreh Rama në intervistën e tij.

Ky qëndrim realist i Edi Ramës u sulmua në të gjitha anët nga islamofobët, edhe pse Rama, dihet botërisht se  nuk është i deklaruar mysliman, meqë i përket një familje të përzier fetarisht ashtu sikur mijëra familje shqiptare, të cilat në martesë kanë pikënisje primare dashurinë, mirëkuptimin, gjuhën, kombin, dhe jo fenë. Dhe kjo nuk është karakteristikë vetëm e shqiptarëve me tolerancë të njohur shqiptare.

Duke qenë nën këtë trysni të vazhdueshme sidomos në këto 10 vitet e fundit, Bashkësia Islame e Kosovës iu ka nënshtruar një rezignate tragjike, një pranimi të heshtur të “fajit”, vetëm sepse raportet armiqësore mes krishterimit dhe Islamit janë ashpërsuar dhe dashur pa dashur Evropa e krishterë nuk i honeps myslimanët. Janë shkruar e botuar sa e sa shkrime fyese, pa as edhe një argument  të vetëm. Janë shpallur bashkëpunëtorë të UDB-së të gjithë hoxhallarët pa dallim, madje në vazhdimësi.

Në një pozitë të tillë të “fajtorit kujdestar” krerët  e BE-së kanë anashkaluar edhe aktivitetin militant revolucionarë të shumë medresistëve, të cilët  kanë vepruar në pozita atdhetare, madje qindra syresh kanë marrë pjesë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …