leoni

Ahmet Qeriqi

A.Q. Koalicioni i ri qeverisës: Vetëvendosje-LDK, do të jetë i “pastruar” nga komandantët UÇK-së

Prej Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në vitet 1999-2000, (e cila me  marrëveshjen e Rambujesë ishte pranuar si  Qeveri kalimtare, por të cilën nuk e kishte pranuar LDK-ja e Ibrahim Rugovës) e deri tani, nga “krahu i luftës” kanë qeverisur Kosovën: Hashim Thaçi, Bajram Rexhepi, Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi, Agim Çeku dhe për së dyti, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj. LDK-ja ka pasur kryeministër  Isa Mustafën, ndërsa  Adem Salihajn vetëm  20 ditë qeverisje.

Mandatin më të gjatë të kryeministrit e ka mbajtur Hashim Thaçi, një mandat e gjysmë, pa llogaritur edhe gati një vit në Qeverinë e Përkohshme. Asnjë prej kryeministrave të tjerë nuk ka arritur ta ketë një mandat të plotë në qeverisjen e pas luftës.

Në Kuvendin e Kosovës mandatin më të gjatë e ka pasur, Jakup Krasniqi.

Po kështu, në periudhën 20-vjeçare të pas luftës, shumica e zyrtarëve të lartë të shtetit kanë qenë me prejardhje nga i ashtuquajturi krah i luftës së UÇK-së.

 

PDK-ja e cila identifikohet si parti e luftës, ka fituar zgjedhjet më shumë herë se të gjitha partitë e tjera. Kjo ka bërë që “qeverisja” e komandantëve, (sikur thuhet me cinizëm, shpërtligësi, urrejtje e përbuzje nga klasa pacifiste me prejardhje nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë dhe nga disa drejtues të jugo-medieve në Kosovë) të ketë pasur jetën më të gjatë në pushtet dhe në qeverisje nga të gjitha partitë e tjera.

Mbase edhe pikërisht për këtë, kësaj radhe i ka takuar krahut të luftës të jetë në opozitë, për t’ ua  dhënë shansin kundërshtarëve politikë,  me qëllim që “populli votues” ta provojë një qeverisje ndryshe dhe të bindet përfundimisht se a ka mundësi të qeverisjes më të mirë në sistemin e demokracisë pluraliste, kapitaliste, apo është vetëm një rotacion i radhës i cikluar dhe i ricikluar brenda një projekti politik, që nuk mund ta ndryshojë esencën e qeverisjes, sepse nuk mund ta ndryshojë sistemin.

Askush në Kosovë e më gjerë nuk mund të presë që Albin Kurti e Isa Mustafa ta vënë në jetë programin politik ekomomik, komunist të Kinës, as kthimin në programet e tejkaluara të komunizmit shtetëror totalitar.

Të ndodhur në këtë ndeshtrashë, një parti e majtë, ndoshta më e mirëfillta ndër shqiptarë përgjithësisht, sikur është Vetëvendosja dhe një parti e djathë, me prejardhje nga Lidhja komuniste, revizioniste, jugosllave, sikur është Lidhja Demokratike e Kosovës, konceptet programore qeverisëse janë  tejet kontradiktore, por i bën të mundshme  etja për pushtet, e cila kalon mbi çdo program, moral e politik, sepse lufta për pushtet ka qenë është dhe do të jetë “luftë e klasave”, sado që ky formulim marksist-leninist  duke se tani ua vret veshin edhe vetë atyre liderëve të dikurshëm të kësaj logjike të filozofisë marksiste.

Ky eklekticizëm ( në politikë)  duket  i paqëndrueshëm në parim dhe në jetësimin e kësaj praktike, por është fare i mundshëm, madje edhe i preferuar, për ta manipuluar elektoratin, gjithmonë të manipulueshëm,  duke e veshur me ngjyra të patriotizmit, sepse kjo po u bëka  për hir të çështjes dhe të zhvillimit të vendit, duke mos e fshehur inatin madje edhe kërcënimin për hakmarrje, drejtuar kundërshtarëve, në stilin, – Erdhi dita jonë, kah do t ia mbani tani?.

Ky mish-mash ideologjik, as mish as peshk është vënë në jetë për herë të parë nga Ilir Meta në Shqipëri, dhe tani po shihen pasojat e rrezikshme për vendin dhe kombin, sepse  është një përzierje e tillë e principeve dhe parimeve që i kundërshton natyra e zhvillimit të raporteve  politike e shoqërore, meqë ky lloj eklekticizmi “nuk i përmbahet ndonjë paradigme të supozimeve ose përfundimeve të përcaktuara”.

Shikuar realisht, një “shortim” i tillë te shqiptarët, ka një traditë të gjatë dhe ka ardhur përmes fenomenit të “laramanisë fetare”, që ka mbijetuar si një format autentik i mbijetesës në kushte dhe rrethana të caktuara historike. Ky fenomen ishte dënuar në Kuvendin e Arbrit të vitit 1703, por kishte mbijetuar në kulturën e tolerancës fetare të shqiptarëve me tri fe monotesite, por një komb, gjuhë e traditë, një rast unik i kuptimit të eklektizimit burimor, grek. Fjala greke (ἐκλέγειν),  do të thotë “të zgjedhësh më të mirën”.

Më vonë në filozofinë marksiste kuptimi i kësaj fjale mori drejtimin e pamundësisë së pajtimit të  kundërtave. Në praktikën e socializmit burimor, të cilin e  pretendonte Enver Hoxha, këtë fenomen e ka  stigmatizuar si revizionizëm, si një “blasfemi” njëlloj sikur të kërkosh nga prifti të hip në minare dhe të thërrasë ezanin. (Don me shti n’ minare frat)

Papajtueshmëria e koncepteve dhe programeve të majta dhe të djathta dhe lufta që bën secila, për ta arsyetuar programin e vet ideologjik, politik, ekonomik e zhvillimor nuk lë vend për pajtimin e tyre, madje as në parim, sepse nga baza filozofike nga ku nisën janë të kundërta, të papajtueshme, por koha po tregon se janë të mundshme sidomos në uzurpimin e pushtetit, apo sikur thuhet në “kapjen” e tij.

Një mision tjetër  “i pamundshëm”

Ish-koalicioni PDK-LDK kishte të përbashkët bazën improvizuese ideologjike, dy parti të prejardhura nga sistemi komunist, të dyja të deklaruar të djathta, si të tilla  ato kanë qeverisur, duke i hedhur hi syve votuesve  se të dyja i bashkon ideologjia. Madje  PDK-ja e po thuajse të gjitha partitë e tjera, në Kosovë, parti “mëmë kanë pasur LDK-në. Mbi këtë bazë, bashkëqeverisja PDK-LDK ka funksionuar dhe do të mund të funksiononte po të mos e kishte prishur ujdinë, kryetari i PDK-së, Kadri  Veseli, i cili prishi koalicionin me LDK-së,  njëanshëm, duke pretenduar që me fitoren e tri partive të luftës e me Listën Serbe do ta krijonte mundësinë për ta marrë fillimisht postin e kryekuvendarit, të cilin edhe e mori,  pastaj atë të kryetarit të Shtetit, për të cilin tashmë mund vetëm të shohë ndonjë ëndërr.

Mirëpo koalicioni Vetëvendosje-LDK ka një mal me kundërshtime e mospajtime, prej atyre ideologjike e programore dhe shumë çështje të tjera, për të cilat kurrë nuk mund të afrohen, sepse periudha 15-vjeçare e ngritjes së Vetëvendosjes ka fituar simpati qytetare pikërisht duke atakuar keqqeverisjen dhe korrupsionin e LDK-së, madje duke e sulmuar atë jo vetëm politikisht e ideologjikisht, por edhe fizikisht. Vetëvendosja ka fituar simpati dhe votues me një “luftë” të gjatë të kundërvënies parimore që i ka bërë koalicionit PDK-LDK, e veçmas LDK-së, e cila ka qenë dhe ende po mbetet parti viktimë, sepse vetëm duke luajtur rolin e viktimës, ajo ka fituar dhe po fiton mbështetjet te një pjesë jo e vegël e elektoratit. Është e tepërt të evidentohen të gjitha sulmet, jo vetëm verbale të aktivistëve të Vetëvendosjes kundër zyrtarëve të kësaj partie e veçmas kundër kryetarit të saj. Nëse në jetën e partive politike në Kosovë ka pasur jo vetëm konfrontime e kundërshtime, të cilat edhe ndodhin kudo brenda forcave politike, pozitë opozitë, qëndrimi i Vetëvendosjes kundër LDK-së ka pasur edhe elemente të një armiqësie gjithnjë në rritje dhe shpeshherë edhe shpërthimit të saj agresiv dhe të pakontrolluar.

Si ndihet tani elektorati i përfituar mbi këtë luftë?

Nëse nuk është hipokrit e dyfytyrësh, natyrisht se ndihet i tradhtuar dhe është i tradhtuar, ose ndihet si vegël e përdorur dhe e shpërdorur për qëllime që tanimë i ka arritur dikush dhe tashmë kanë dalë sheshit.

E njëjta ndodh edhe me aktivistët  dhe LDK-së përgjithësisht. Duke qenë të atakuar, të sulmuar, të gjuajtur me vezë, të nxjerrë me dhunë nga automjetet, të tërhequr zvarrë, të sharë, të fyer e të poshtëruar, ata nuk mund të gëlltisin të gjitha ato ndodhi, por ja që fitimet që i sjellë veshja me pushtet janë shumë më të leverdishme, sesa inati për atë çka ka ndodhur dje e në kohën e shkuar.

Tekefundit, një parti pacifiste, durimtare, ka duruar edhe goditje më të rënda dhe i ka kaluar,  sikur janë ato  goditjet e pretenduara nga elementë brenda PDK-së, kështu që do ta kalojë edhe këtë realitet të padëshirueshëm, por të domosdoshëm për të mbijetuar politikisht. Nuk thuhet rastësisht se “bjen në punë e të dua për dhunë”.

Por vrazhdësia e disa emrave të Vetëvendosjes, krekosja, arroganca, miopia politike, thellojnë ndasitë duke i prekur ato në plagë dhe jo duke bërë përpjekje për t i shëruar. Përfitimet e shumanshme që sjellë bashkëqeverisja, kanë qenë dhe mbesin primare për të gjitha partitë. Edhe në këtë rast do të gëlltiten të gjitha këto sipas mendësisë së lindorit historik shqiptar: “haja qenit, pija qenit tash i bimë karadyzenit”.  Ky është ai karadyzeni i çakërdisur shqiptar  që përzien drithë  e miell dhe që historikisht ka bërë të jetojmë me zorrë nëpër këmbë.

Koalicioni eklektik, Vetëvendosje-LDK, nëse do të funksionojë do të shënohet vetëm me një fitore shumë kohë të ëndërruar  në  dërgimin e PDK-së, AAK-së e Nismës në opozitë. Dhe duke qenë se këto tri parti deri dje bashkë, por sot të ndara e të armiqësuara, duke bërë fajtorë për humbje njëra tjetrën dhe asnjëra vetveten, opozita nuk do të arrijë më të konsolidohet, por do të dekompozohet dhe do të stërkeqet.

Tani ka ardhur dita e atyre që aq gjatë e kanë pritur, sikur është Vetëvendosja  por edhe  që edhe kanë punuar më shumë se gjithë të tjerët, ndërsa LDK-së i ka ardhur në pjatë, por me një pjatë as mish as peshk.

Të presim çka do të sjellë e nesërmja.

Nëse fiton Kosova, nëse fiton Shqipëria, do të falen të gjitha. Por nëse thellohet rrëmuja, korrupsioni që është alfa dhe omega e çdo shteti kapitalist, riciklimi dhe uzurpimi i pushtetit, atë herë do gjallojmë  në rezignatën tonë tragjike e komike, që na ka përcjellë më shumë se një shekull, të ndarë, të përçarë, të degdisur nëpër botë, gjithnjë me një pa parashikueshmëri profane e absurde.

Edhe pse jemi të vonura ne presim, pavarësisht se  jeta është sikur treni i shpejtë, që nuk ndalet në asnjë stacion dhe nuk kthehet kurrë prapa.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …