Myrtez Zymer Jashari (5.3.1979 - 5.3.1998)

Myrtez Zymer Jashari (5.3.1979 – 5.3.1998)

Qëndresa e Prekazit e 5, 6 dhe 7 marsit e vitit 1998 ka qenë njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke u zgjeruar në tërë lagjen.
Shembullin e Adem Jasharit për të mos u dorëzuar e kanë ndjekur edhe Hamit Jashari me tërë familjen e tij, pastaj Hajzer Zymer Jashari po ashtu me tërë familjen, Faik Jashari e shumë të tjerë.
Për tri ditë rresht mbi shtëpitë dhe mbi anëtarët e këtyre familjeve u zbrazën të gjitha llojet e makinerisë së krimit serb. Nuk mbeti shtëpi, pullaz, mur, bodrum pa u granatuar me predha tankesh, me minahedhës, me topa kalibrash të ndryshëm me praga e mitralozë të rëndë.
Gjatë atyre tri ditëve të sulmit më barbar të okupatorit serb kundër familjeve Jashari, ranë heroikisht dhe u martirizuan 57 pjesëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari, duke përfshirë edhe disa miq, të cilët u ndodhen te të afërmit e tyre.
Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej fëmijëve, djemve e vajzave të mitura deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata, që rezistuan me armët që kishin dhe të cilët për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan.
Myrtez Zymer Jashari u lind më 5 mars të vitit 1979, në Prekaz të Ulët. Baba Zymeri dhe nëna, Hamide, lindën e rritën 12 bij e bija.
Myrtezi mësimet fillestare i mori në Skënderaj, ku ka mbaruar edhe tetëvjeçaren. Ka vazhduar mësimet në drejtimin Kimi -Teknologji, në fshatin Klinë e Ulët, ku ndodhej paralelja e ndarë e shkollës së mesme, nga ku serbët kishin dëbuar nxënësit shqiptarë.
Myrtezi ka qenë nxënës shembullor dhe tejet i etur për dije. Ishte shembull për të mirë dhe lavdërohej si nga arsimtarët eshtu edhe nga shokët e gjeneratës, tregon shoku i tij i gjeneratës, Valdet Zejnë Jashari, i cili ka mbijetuar luftën me 11 plagë në shtatin e tij të njomë. “Së bashku ishim duke shkuar në shkollë, më 23 janar të vitit 1998. Një natë më parë serbët kishin sulmuar kullën e Shaban Jasharit dhe ishin kthyer me turp. Atë ditë, në dalje të Skënderajt, te Mulliri, policët serbë na ndaluan, me qëllim për të na legjitimuar se kush ishim dhe ku shkonim. Mua dhe Mrtezin, meqë kishim mbiemrin Jashari, na ndanë nga shokët dhe filluan të na rrahin, duke na sharë dhe duke na goditur me grushta e shqelma.”
Prej kohës së daljes publike të UÇK-së, më 26 nëntor të vitit 1997, familja e ngushtë dhe e gjerë Jashari e Prekazit kishte marrë të gjitha masat për të rezituar kundër forcave okupatore. Pothuajse çdo natë mbaheshin tubime në odat e këtyre trimave, të cilët po projektonin rezistencën e cila parashihej të përfshinte tërë Kosovën. Shaban Jashari me autoritetin e një burri të urtë dhe trim, i afërt dhe i dashur për të gjithë, kishte bërë për vete të gjithë kushërinjt, ndërsa për përkrahje të vendosur u shquan, Halit Jashari, Zejnë Jashari, Hamit Jashari, Faik Jashari e shumë të tjerë.
Intervenimi i forcave serbe pritej nga dita në ditë. Shumica e burrave të Jasharëve ishin armatosur. Myrtezi mbante kontakte me kushërinjtë e tij, ishte i pajisur me armë, bënte roje e kryente vëzhgimin e terrenit, meqë shtëpia e tij ndodhej përballë Fabrikës së Municionit, ku serbët kishin dislokuar forca të shumta policore dhe ushtarake, të cilat po përgatiteshin për ta sulmuar Prekazin.
Natën e 4 marsit të vitit 1998, Myrtez Zymer Jashari ndodhet në shtëpi së bashku me nënën, Mihrije, motrat Sabrijen dhe Hanifen si dhe vëllanë Hajzerin e kushërinjtë e tjerë. Sulmi brutal dhe barbar i forcave ushtarake e policore serb kundër Jasharëve kishte filluar para orës 6 të mëngjesit të 5 marsit. Në të njëjten kohë, me predha artilerie qenë goditur shtëpia e Legjendarit Adem Jashari, shtëpia e Halit Jasharit e Hamit Jasharit, e shtëpi të tjera, ku edhe kishte filluar rezistenca e armatosur.
Forcat serbe kishin zënë pocizion te vendi i quajtur “Mali i Premë” rreth 200 metra përballë shtëpisë së Halit Jasharit, nga ana lindore. Baza ishte sulmuar nga serbët edhe nga Fabrika e Municionit. Jasharët po sulmoheshin me armë të rënda të artilerisë nga të gjitha anët. Goditjet ishin fatale për të gjitha familjet nën rrethim. Sapo pushonte granatimi dhe forcat e këmbësorisë merrnin turr drejt kullave, ata ndesheshin me breshërinë e kallashëve të Jasharëve çlirimtarë. Këmbësoria sërish tërhiqej dhe sërish fillonte sulmi nga artileria e rëndë. Në një gjendje të tillë të sulmit mizor Jasharët e Prekazit rezistuan rreth 80 orë.
Në shtëpi, të rrethuar nga të gjitha anët ndodheshin: Murtez Zymer Jashari, Hajzer Zymer Jashari, Abdullah Zejnë Jashari, Mihrije Jashari, nëna e Myrtezit dhe motrat e tij: Sabrija e Hanifja. Pastaj, Halit Imer Jashari me bashkëshorten e tij Elhemen. Në kullë ndodhshin edhe tre bijtë e Zejnë Jasharit, Abdullahu, Bujari dhe Blerimi, ndërsa Valdet Zejnë Jashari ndodhej në shtëpinë e Hamit Jasharit.
Prej ditës së parë të sulmit të forcave ushtarake e policore serbe kanë rezistuar me armët e tyre: Myrtez Jashari, Hajzer Jashari, Abdullah Jashari dhe Halit Jashari. Në rrethana të një rrethimi të hekurt, të goditur nga të gjitha anët me armë të rënda të artilerisë kanë rënë në altarin e atdheut: Murtez Zymer Jashari, Hajzer Zymer Jashari, Halit Imer Jashari, Abdullah Zejnë Jashari, Elheme Jashari, Mihrije Jashari, Bahtije Jashari, Sabrije Zymer Jashari, Hanife Zymer Jashari, Bujar Zejnë Jashari dhe Blerim Zejnë Jashari.
Në ditën e kartët, serbët kishin thyer rezistencën e Jasharëve dhe kishin tërhequr kufomat, të cilat fillimisht i dërguan në “Servisin” e Lah Tushilës, në dalje të Skënderajt. Në mesin e të viktimizuarve mungonin kufomat e Mihrije Jasharit dhe dy bijave të saj Sabrijes dhe Hanifes, nëna dhe dy motrat e Murtez Jasharit. Ende nuk dihen rrethanat e zhdukjes së këtyre kufomave, por dihet se shtëpia ku kanë qëndruar familjarët e Halit, Zejnë dhe Zymer Jasharit është bërë blozë nga granatimet dhe flaka e zjarrit që kishte përfshirë shtëpinë. Mendohet se serbët i kanë tërhequr kufomat për shkak se ishin femra dhe me qëllim, që të fshehnin sadopak krimin kundër grave dhe fëmijëve. Trupat e këtyre dëshmorëve dhe dëshmoreve të kombit prehen në Kompeksin e varrezave në Prekaz, ku janë varrosur të gjithë të rënët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, së bashku me legjendarin e UÇK-së, Adem Jashari.
Para shtëpisë së rezistencës së Halit Jasharit, është ngritur një kompleks përkujtimor, ku janë skalitur në mermer, fotot dhe emrat e këtyre 11 të rënëve të kësaj dege të lagjes Jashari të Prekazit. Nga familja e Myrtez Jasharit kanë shpëtuar: Enveri, Zyhrija, Hajrija, Drita, Veseli, Naxhija, Imeri, Sherifja dhe Hamidja.
Familja e Zymer Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Skënderajt për të rënët: Myrtezin, Hajzerin, Mihrijen, Sabrijen dhe Hanifen.
Shkolla e mesme “Anton Çetta” në Skënderaj, në pllakën përkujtimore për nxënësit dhe arsimtarët dëshmorë e martirë, ka skalitur edhe emrat e Murtezit dhe të Avdullahut.
Jasharët sërish kanë ngritur kullat e tyre dhe me bijtë, bijat, nipat e mbesat po vazhdimësojnë jetën, krenarë për veprat e baballarëve, nënave, motrave e vëllezërve, që u bënë gurë themeli për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …