Hasan Riza Pasha (1871-1913), mbrojtësi i shqiptarëve dhe i Shkodrës, në Luftërat Ballkanike

Hasan Riza Pasha (1871-1913), mbrojtësi i shqiptarëve dhe i Shkodrës, në Luftërat Ballkanike

Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet e të nderohet po aq sa heronjtë e kombit shqiptar

 “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve dhe që u ba fli, prej atyre që nuk deshën shpëtimin e Atdheut tonë, prandaj Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet baras  me heronjtë e kombit shqiptar” ka shkruar Gjegj Fishta. Ai e ka  shkruar  edhe epitafin për Hasan Riza Pashën, që është i gdhendur në gurin e tij mbi varr: dhe ku shkruan: “Gazi Hasan Riza Pasha, burrë si i motit, ushtar trim, besnik, komandant i ushtrive Osmane në Shkodër, mik i Shqipnisë e i shqiptarëve. Ndërsa Lufta Ballkanike bindte botën me mbrojtje fisnike të kalasë së Rozafatit, në 30 kallnuer të vitit 1913 e vrau një dorë tradhtare, mizore. Mbane këtë përmendore prej Bashkisë të Shkodrës. Shembull burrnije e për kohën t’ardhshme ktu ku  kje varrosë TRIMI”. (Gjergj Fishta)

Hasan Riza Pasha u lind në Bagdad në vitin 1871. Ishte djali i burrështetasit të  madh osman, Mehmed Namik Pashës, me origjinë nga Konja. Mbasi mbaroi shkollat ushtarake me radhë, në vitin 1892 doli nëntoger nga Akademia Ushtarake e Stambollit. Më 1895 kreu shkollën e shtatmadhorisë dhe u gradua kapiten. Në vitin 1897 mori pjesë në luftën osmano-greke dhe mbas disa shërbimesh në ushtri, fitoi gradën nënkolonel.

Në vitin 1899 u dërgua me shkollim në Perandorinë Gjermane, për të plotësuar studimet e larta. Kreu Akademinë e Luftës (Krigs-akademi), ku u dallua për aftësitë e tij mes studentëve osmanë dhe gjermanë. Kur shtatmadhoria e madhe prusiane lëshoi raportin e fundit lidhur me klasën e tij, për Hasan Rizain shkruhej: Me të drejtë mund të drejtojë kryesinë e shtatmadhorisë së madhe osmane.

Pasi shërbeu si vali në Irak gjatë viteve 1901-1911 iu dha grada e gjeneralit. Në vitin 1911 u ngarkua komandant i divizionit të pavarur të Shkodrës dhe më 7 mars 1912 u emërua vali e komandant i sanxhakut, në krye të 13. 600 ushtarëve dhe 96 topave. Hasan Riza kritikonte haptas partinë e xhonturqve me gjithë shoqërinë “Bashkim e Përparim” për dëmin që i kishin sjellë ushtrisë, duke u lënë oficerëve shesh të lirë që të merreshin me politikë. Shqiptarët i simpatizonte shumë dhe veprat letrare patriotike i çmoi mjaft dhe i shpërbleu, sikurse veproi me poemën “Lahuta e Malcís”. Pas propozimit të Hasan Riza pashës, Gjergj Fishta u dekorua me “Medaljen Mearif të Klasit të 2-të”.

Dy muaj pas marrjes së detyrës, Hasan Rizai ndërmori strukturimin e mbrojtjes së Shkodrës në disa vende njëherësh. Në Shkodër arrinin sasi të mëdha telash me gjemba, ishte fortifikuar Taraboshi, kodrat përtej Kirit në Bardhaj; duke strukturuar dy breza mbrojtës: i vogli nga kodrat e qytetit dhe i madhi që përfshinte Taraboshin, kodrat e Bërdicës dhe të Vukatanës.

Një muaj pas shpalljes së luftës nga Mali i Zi më 8 tetor 1913, anija malazeze Neptun u nis nga Virpazari me dy flamurë të mëdhenj, një të bardhë dhe një austro-hungarez, duke lundruar liqenit të Shkodrës për t’i dërguar një letër Hasan Rizait për ta bindur të dorëzohej. Pas kundërshtimit nga valiu, një tjetër dërgatë u përsërit më 6 dhjetor, duke marrë të njëjtën përgjigje. Pasi ushtritë osmane ishin mundur në frontet e Kirkilisë, Manasitirit dhe Lule Burgas, më 3 dhjetor jo shumë larg Stambollit, u nënshkrua armëpushimi i Çatallxhasë me Lidhjen Ballkanike. Marrëveshje kjo që pengonte Perandorinë Osmane që të dërgonte përforcime dhe furnizime në fortesat e rrethuara, njëra prej të cilave, ishte  Shkodra. Qëndresa në Shkodër vazhdoi, pavarësisht pakënaqësive në Stamboll ndaj mosbindjes së valiut.

Në janar të  viti 1913 Hasan Riza Pasha kërkoi që të mobilizonte shqiptarët e jashtë rrethimit, shumica e të cilëve ishin katolikë që luftonin në krah të malazezve. Për të mbështetur osmanët, arqipeshkvi i Shkodrës, Jak Serreqi, kërkonte garanci personale nga valiu: që në kala me flamurin osman të ngrihej edhe flamuri shqiptar si shenjë e përpjekjes së autoriteteve osmane për Shqipërinë. Flamuri shqiptar do të ngrihej edhe në fortifikimet e Taraboshit, Bërdicës, Tepes dhe Bardhajve. Letrat e dërguara rrethinave, në Nënshat dhe në Kuvendin Françeskan të Rubikut, ku shërbente si famullitar Pal Dodaj shprehnin gatishmërinë e krahinës për t’iu bashkuar qëndrestarëve të fortesës, kur të ngrihej  flamuri shqiptar. Takimi që do të vuloste marrëveshjen mes autoriteteve ushtarake të qëndresës dhe klerit që fliste në emër të krahinës do të mbahej më 30 janar 1913.

Hasan Rizai kishte edhe një plan të fshehtë, që ia kishte treguar oficerit të lartë të shtabit, nënmajorit, Abdurrahman Nafizit: “dhjetë ditë para se të mbaronin ushqimet, do t’i japim çdo ushtari racion të plotë për tri ditë me radhë që të ngopen mirë. Ditën e katërt do të çajmë në drejtim të Tivarit, midis Taraboshit dhe Bunës. Pastaj do të marshojmë drejt portit në Adriatik, 60 km larg. Do të formojmë një vijë mbrojtjeje brenda Malit të Zi, në kufirin me Austrinë, dhe do ta mbajmë si vijë derisa të mbarohen ushqimet. Pastaj do të kalojmë në Austri nga rrethanat.” Duke marrë në këtë mënyrë korpusin e ushtrisë osmane, duke lënë në rrethim redifët e drejtuar nga Esad pashë Toptani dhe një tratativë me klerin katolik, që fiset shqiptare që deri atëherë po luftonin për Malin e Zi, t’u ktheheshin kundër aleatëve të deriatëhershëm dhe t’u bashkoheshin qëndrestarëve.

Plani i Hasan Riza Pashës, në bashkëpunim me arqipeshkvin e Shkodrës, ishte që e gjithë popullsia katolike do të hidhej në një kryengritje të përgjithshme anti malazeze. Sulmi do të niste në Zadrimë, në Nënshat. Më parë do të valëvitej mbi kala flamuri shqiptar.

Këtu del në skenë sërish një nga figurat më të diskredituara në historinë e re të Shqipërisë, Esat Pashë Toptani. Ky ishte zëvendës i Hasan Rizait.  Më 30 janar 1913 Hasan Rizai dhe Esat Pasha diskutuan gjatë në shtëpinë e Toptanasit për çështjet e ditës. Në orën 18.45 teksa po kthehej në shtëpi në errësirën e natës, i dalin përpara tre të panjohur. Dy prej tyre e qëllojnë me revolver. Kryekomandanti i Shkodrës, Hasan Riza Pasha  dha shpirt mbas pesë orësh. Ai u varros të nesërmen, “ditë e xhuma” në varrezat e xhamisë së vjetër të Parrucës. Më pas varri i tij u zhvendos në varrezat myslimane të Komaneve dhe aktualisht në qendër të qytetit para gjimnazit “28 Nëntori”, dikur kazerma osmane e më pas kazerma “Teuta”, është ndërtuar një lapidar përkujtimor me një mbishkrim shqip dhe turqisht:

“Lavdi Hasan Riza Pasha

burrë si motit

ushtar trim besnik

komandant i ushtrive tona në Shkodër

Shqipëria dhe shqiptarët

nderojnë luftëtarin Hasan Riza Pasha”.

Në Shkodër, por jo vetëm atje, të gjithë  ishin të bindur se vrasja e Hasan Riza Pashës ishte kurdisur nga Esat Pasha. Tre njerëz u përfolën asokohe, Osman Bali, njeri shumë i afërt i Toptanasit, një Mahmut nga Kavaja, që ka mbetur pa mbiemër dhe një farë Tefik edhe ky nga Shqipëria e Mesme. 13 vjet më vonë, më 8 shtator 1926, Osman Bali do të mbetej i vrarë, nga Lam Leka dhe Myslym Peza.

Rrethimi i Shkodrës vazhdoi edhe për tre muaj të tjerë. Zyrtarisht Esat Pasha, që zëvendësoi Hasan Rizanë, shprehej për vazhdimin e qëndresës, por ndërkohë kishte nisur bisedimet me malazezët për dorëzimin e Shkodrës. Këta pranuan që ushtria osmane të largohej nga qyteti, me armët në krah, duke ruajtur kështu të paktën nderin ushtarak. Në 25 prill 1913, princi Danillo dhe shpura e tij u ngjitën në kështjellën e Rozafës. Këtu nisi të valonte flamuri malazez. Shkodranët e mposhtur nga gjylet, uria, tradhtia, shikojnë nga dritaret e shtëpive të tyre se si ushtarët e knjazit marshonin fitimtarë mbi kalldrëmin e tyre të vjetër. Shkodra kishte rënë.

Në  raportet e jezuitëve për situatën në Shkodër ku kishin hyrë malazezët shkruan se ata e përzunë rojën, që tradicionalisht ruante pazarin, nuk shtinë më me top, sipas zakonit dhe i kthyen mbrapsht jevgjit që vraponin drejt qytetit, për të njoftuar të interesuarit.

Është theksuar se ushtarët e Krajl Nikollës banë shkrumb e hi çka u përkiste shqiptarëve myslimanë kudo nga kalonin. Famullitarët bënë të ditur se në Pejë e Gjakovë donin t’i detyronin myslimanët që të bëheshin ortodoksë dhe, mbasi ata nuk u bindën, u masakruan me qindra dhe mijëra. Kush erdhi që andej tha se në ato anë nuk gjeje më asnjë mysliman të vetëm. Madje 850 familje katolike nga tmerri i kësaj kasaphaneje u bënë ortodoksë. Një familje e ardhur nga Bushati në fund të prillit tregoi se, kur serbët hynë në Bushat, në Shkjez e në Trush, u shtirën sikur nuk të dallonin mes katolikëve e myslimanëve, ndonëse katolikët dalloheshin nga kryqi që mbanin me vete si edhe nga kryqet dhe figurat e shenjta që mbanin nëpër shtëpia, por ata donin të vinin dorë mbi gjithçka, sikurse kundër myslimanë. Duke dashur të mbronin gratë e veta u vranë 32 burra. Nuk u lejuan të varrosen, por varrimi u krye  kur erdhi vetë personalisht Imzot Koleci, Ipeshkvi i Sapës. Serbët dogjën të gjitha shtëpitë e Bushatit. Numri i të vrarëve ishte me qindra.

Hasan Riza Pasha dhe Gjergj Fishta

Hasan Riza Pasha, vali e komandant i Shkodrës në periudhën 1911-13, megjithëse përfaqësues i Shtetit Osman, e çmoi shumë lart veprën e Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”. Kështu që, propozoi që atij t’i akordohej medalja “Mearif” e Sulltanit,   që gjithsesi ishte një mirënjohje me shumë vlerë që deri më sot, pothuajse nuk është përmendur fare.

Një rast që shkëlqeu në madhështinë monumentale të Gjergj Fishtës, është koncepti i tij për  tolerancën  fetare në mes të krishterëve  dhe myslimanëve, gjë të cilën e ka kultivuar me shumë se kushdo tjetër duke e shprehur qoftë në veprën e tij letrare, qoftë në shkrimet teorike e publicistike. Toleranca ndër fetare komunitetesh të ndryshme me pjesëtarët e një fisi, të një gjuhe, të një historie, të një etnopsikologjie e një kolosi si ai, po veçmas të Shkodrës, ka qenë e një rëndësie të madhe për krijimin e një atmosfere mirëkuptimi dhe ndër komunikimi të një rrethi më të gjerë qytetarësh.

Ishte propozimi i Hasan Riza Pashës, që Fishta ta përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do ta këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit. Rasti i parë ka të bëjë në raportet që kanë ndërtuar në mes tyre dy autoritete të Shkodrës: autorit të veprës “Lahuta e Malcisë” dhe valiut e komandantit të Shkodrës në periudhën 1911-1913, Hasan Riza Pashës. Hasan Riza Pasha, i shkolluar në akademinë ushtarake të Stambollit dhe i specializuar në Gjermani, pas shumë vend shërbimeve, më 1911 vjen në Shkodër si vali dhe komandant i ushtrisë osmane. Ai, e simpatizonte mjaft lëvizjen kombëtare shqiptare, bisedonte me anëtarët e Komitetit Shqiptar, apo me anëtarët e klubit “Gjuha Shqipe” të Shkodrës. I çmonte shumë veprat e letërsisë shqiptare, sidomos ato me frymë patriotike, siç ishte poema “Lahuta e Malcisë”.

Hasan Riza Pasha kërkonte nga Stambolli  që shqiptarët t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e një kombi, madje i nxiste ata për këto ndjenja. Në një moment, i propozoi Fishtës që të përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do ta këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit. Fishta e përpiloi tekstin dhe Pasha, Hasan Riza ia shpërbleu njëqind fish tue ia pague, secilën strofë me nga një lirë ari të  kohës së Turqisë.

Teksti i marshit:

Prej kah len e sa merr hana,

M’u çue shekulli kundra nesh,

Djem kreshnikë na ban nana,

Vetëm na iu dalim ndesh.

Të parët tanë burra çelikut

Bota mbarë sot i nderon

Ata i binin ndesh armikut

Si rrufeja kur veton…

Në rivarrimin e eshtrave të Hasan Riza Pashës, megjithëse ishte mysliman, morën pjesë të gjithë shkodranët pa dallim feje, të krishterë e myslimanë. Në mes të tjerave fjalimin më elegant, më prekës, me ndjenja mirënjohje e me fjalë të zjarrta atdhetarie e mbajti At Gjergj Fishta. S’pyeti Shkodra a ishte mysliman apo i krishterë miku i Shqipërisë, strategu ushtarak osman, Hasan Riza Pasha.

Në vitin  1936, sipas propozimit të kryetarit të bashkisë, Zenel Prodanit, eshtrat e Hasan Riza Pashës, të vrarë  pabesisht  më 1913, u rivarrosën në varrezat e Komaneve. Me këtë rast, Gjergj Fishta tha: “Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve dhe që u ba fli prej atyne që nuk deshën shpëtimin e atdheut tonë, prandaj Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet baras  me heronjtë e kombit shqiptar”. Fishta e ka shkruar edhe epitafin për Hasan Riza Pashën që është i gdhendur në gurin e varrit. Në atë epitaf shkruan “Gazi Hasan Riza Pasha, burrë si motit, ushtar trim, besnik, komandant i ushtrive Osmane në Shkodër, mik i Shqipnisë e i shqiptarëve. Ndërsa Lufta Ballkanike bindte botën me mbrojtje fisnike të kalasë së Rozafatit, në 30 kallnuer 1913 e vrau një dorë tradhtare, mizore. Mban këtë përmendore prej Bashkisë të Shkodrës. Shembull burrnije e për kohën t’ardhshme, ku  kje varrosë TRIMI”.

Në mesin e këngëve të shumta që populli i ka kushtuar Hasan Riza Pashës, më e zgjedhura prej tyre, është kënga ku spikatet heroizmi i pashait në mbrojtje të Shkodrës, të cilën nuk e morën dot malazezët, serbët e rusët që luftonin nën komandën e Kral Nikollës, por e mori Evropa me bisedime, pasi paraprakisht Esat Pashë Toptani kishte vrarë Hasan Riza Pashën dhe ua kishte lëshuar shkodrën malazezëve.

Kënga është epike heroike dhe ka një gradacion madhështor të këndimit si marsh ndër beteja

 

Taraboshi, gropa gropa,

Hasan Riza gjun me topa

Taraboshi, brigje brigje

Podgoricë o prite, prite!

 

Dil  e digje, kalle kalle

Karadak të çita fare!

 

Tak e tuk po çet  petica

Bajshin shkinat Kukavica,

Shkoj Cetina, Podgorica,

Na faroi ky, Hasan Riza.

 

Na at Stamboll asht mbledhë Evropa,

Per at luftë që e bani Shkodra

S mujt me marrë ai  Kral Nikolla

S mund e mori Kral Nikolla

Me Myhyr e mur Evropa.

 

 

 

Literatura:

 

Baxhaku, Fatos, 1912-1913: Rrethimi i fundit i Shkodrës, gazeta Shqip, 18 gusht 2012.

Bushati, Hamdi, “Shkodra dhe Motet”, Vëllimi I, Shkodër 2005.

Parruca, Agim, “Shkodra bastion i qytetërimit shqiptar”, Tiranë 2003.

Salleo, Ferdinando, “Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri”, SHLK, Tiranë 2001.

Bushati, Hamdi, “Shkodra dhe motet”, Shkodër, 1998:451-453.

Zambaur, H., Rrethimi i Shkodrës-10 tetor 1912-22 prill 1913, Shkodër, Camaj-Pipa, 2006.

 

 

 

Variant i këngës së Hasan Riza Pashës

 

N at’ stamboll po knon Fermani

E pushtoj Shqipninë Dushmani

Kanë marrë vajin prej Stambolli

Jau ka thanë një fjalë Sulltani,

Kurrë s’ e merr Shqipninë Dushmani

Jam kam que një rrem Dragoni

Hasan Rizën Prej Stambolli,

Hasan Rizën e kam çue ,

100 tabore  mbas ja kam vnue

100 tabore me 100 topa

Cudë po bajshin, si po i mbanë toka

Taraboshin e kane rrethue

Rreth e me rreth me gryka t topit.

 

Me 900 mijë po msyn dushmani

900 mijë mija kanë dalë për fushë

Tanë asqer në krah me pushkë

Shkodres të mjerë ja kanë msye

Shkodren  të mjerën  po donë me marrë.

 

Kercet topi i Hasan Rizës’

Kërcet topi kërcet mauzerja

Paska mësye, Mali i ZI

Vjen parija me një  mbret të ri

Pritne në Shkodë po don me hy

Me zaptue ket copë Shqipni,

Kem dhanë besën domë  me u gri

Kem dhanë besë për Shipni,

S lamë anmik në Shkodë me hy.

Donë me ba  shkrodër e  Shqipni

Shah me kanë përmbi Krajli

Shah me kanë përmbi dushman.

 

Dul n Stamboll  i ri fermani.

Ket luftë në Shkodër kush po e bani.

Ket luftë në Shkodër kush e bani

Hasan Riza prej Stambolli.

6 muj ditë luftën s’e  ndali,

Na u mbush Shkodra me gjak insani,

Hasan Riza cka ka punue

Taraboshin e ka rrethue

Po jau lshojke top mauzere

Bajshin shkinat kukulele,

Bajshin  shkinat kakavica,

Na faroi ai, Hasan Riza

Mbaroj krejt Andrejeciva

Derë me derë  tanë Podgorica.

 

Hasan Riza koka ngushtue

Tel ne Evropë ai  paska cue

Mu ka sosë myhmati mu

Mu ka sosë tanë xhemleki,

Ndalë m i kanë skelet në deti,

Kam me hangër bukë të asqerit

Kurrë sa ia lshoj  Shkodën sllavenit.

 

Se në Junan koka mbledhë Evropa

Tanë ket luftë qi e bani shkodra

S mund e mori Kral Nikolla

Per gjashtë muj s ka mujte me marrë

E mur  vendin kah e ka pasë

N Guri të Shpumë e  deri në Tiranë

N Kaçanik Grykës përpjetë,

Shqipni asht kanë, Shqipni ka me mbete.

 

Pëgatiti për botim, Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Skënder Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: Lufta heroike e Brigadës së Shtatë të Kosovës për çlirimin e vendit nga pushtuesit gjermanë me Komandant Shaban Haxhinë

Në 80 vjetorin e formimit të saj në Gjakovë, më 11 nëntor 1944 Shaban Haxhi …