Ajvaz Kajtaz Jashari (2.7.1980 – 5.3.1998)

Ajvaz Kajtaz Jashari (2.7.1980 – 5.3.1998)

Shembullin e Adem Jasharit për të mos u dorëzuar e kanë ndjekur të gjithë Jasharët. Gjatë atyre tri ditëve të sulmit më barbar të okupatorit serb kundër familjeve Jashari, ranë heroikisht dhe u martirizuan 56 pjesëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari.
Ranë për të fituar përjetësinë, 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të legjendarit Adem Jashari, 12 anëtarë të familjes së Hamit dhe Salë Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit, 6 anëtarë të familjes së Sadik Jasharit, tre të familjes së Kajtaz Jasharit e të tjerë.
Ajvazi u lind më 2 korrik të vitit 1980 në fshatin Prekaz i Ulët. Shkollimin fillor e kreu në Skënderaj. Ishte regjistruar në shkollën e mesme teknike drejtimi Kimi-Teknologji. Ka qenë shok i gjeneratës me Fitim Adem Jasharin. Duke qenë se serbët kishin dëbuar nxënësit shqiptarë nga shkollat e tyre, ata mësimet i zhvillonin në fshatin Klinë e Epërme.
Edhe pse i ri, nxënës i klasës së tretë të shkollës së mesme, Ajvazi ishte në dijeni të aktivitetit çlirimtar të trimave të Prekazit. Në fillim të vitit 1998, ishte i angazhuar në radhët e luftëtarëve të lirisë. Ai ushtronte roje, vëzhgonte dhe kurdoherë ishte pranë të atit Kajtazit, i cili po ashtu kishte vendosur të rezistonte.
Më 5 mars të vitit 1998, Ajvazi së bashku me tërë familjen ishte në shtëpinë e tij, e cila gjendet jo larg “Kullës së Qëndresës” së legjendarit Adem Jashari. Në mëngjesin e 5 marsit, forcat e këmbësorisë serbe kishin depërtuar afër shtëpisë. Pas luftimeve krejtësisht të pabarabarta bien dëshmorë, Ajvaz Jashari 18-vjeçar, babai Kajtazi dhe gjyshja e Ajvazit, Hamidja.
Forcat e këmbësorisë serbe arrestojnë të gjithë anëtarët e familjes që kishin shpëtuar nga ploja, ndërkohë që marrin Albert Kajtaz Jasharin, 13 vjeçar për të identifikuar të rënët e të viktimizuarit. Alberi kishte identifikuar kufomën e babait, Kajtazit, të gjyshes Hamide, të vëllait, Ajvazit dhe dhe kufomën e Ali Ramadan Jasharit.
Policët arrestojnë Maliq Jasharin 93-vjeçar, Naser Jasharin, Bekim Bahtir Jasharin të cilët e dërgojnë në Burgun e Mitrovicës, ku pasi i marrin në hetime i lirojnë. Nga torturat dhe dhuna që ishte shkaktuar në familjen e tij të ngushtë dhe mbi pjesëtarët e tërë lagjes, Maliq Jashari vdes më 15 maj 1998, në Mitrovicë.
Trupi i Ajvaz Kajtaz Jasharit, së bashku me të gjithë Jasharët e rënë dhe të viktimizuar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 prehet në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Prekaz. Familja e Ajvaz Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqatat e dala nga lufta. Të gjithë pjesëtarët e lagjes Jashari, janë shpallë dëshmorë të kombit. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …