Shembullin e Adem Jasharit për të mos u dorëzuar e kanë ndjekur edhe Kajtaz Maliq Jashari, Hamit Jashari me tërë familjen e tij, pastaj Hajzer Zymer Jashari po ashtu me tërë familjen, Faik Jashari, Sadik Hysen Jashari, Smajl Jashari e shumë të tjerë. Gjatë atyre tri ditëve të sulmit më barbar të okupatorit serb kundër familjeve Jashari, ranë heroikisht dhe u martirizuan 56 pjesëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari.
Ranë për të fituar përjetësinë 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të legjendarit Adem Jashari, 12 anëtarë të familjes së Hamit dhe Salë Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit, 6 anëtarë të familjes së Sadik Jasharit, tre të familjes së Kajtaz Jasharit e të tjerë.
Kajtazi i lind më 14 tetor të vitit 1953 në fshatin Prekaz i Ulët. Shkollën fillore e kreu në Skënderaj. Regjistrohet në shkollën e mesme teknike, drejtimi agjustator, të cilin e kryen me sukses.
Së bashku me Hamëz Jasharin, Smajl Jasharin e të tjerë, një kohë ka punuar në “Fabrikën e Municionit”, e cila ndodhet afër lagjes Jashari në Prekaz.
Ka kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë jugosllave së bashku me Adem Shaban Jasharin.
Pas aplikimit të masave të dhunshme të regjimit të Beogradit edhe në Fabrikën e Municionit, Kajtaz Jashari ashtu sikur edhe të gjithë punëtorët e tjerë dëbohen nga puna.
Me qëllim për të ndihmuar familjen, majtazi shkon në Gjermani ku ka qëndruar dy vjet, por nuk arrin ta marrë statusin e azilantit. Ishte në dijeni të aktivitetit luftarak të Adem dhe Hamëz Jasharit, me të cilët mbante kontakte të vazhdueshme.
Më 5 mars të vitit 1998, së bashku me tërë familjen ishte në shtëpinë e tij, e cila gjendet jo larg “Kullës së Qëndresës”. Kajtazi ishte i organizuar dhe kishte pushkë, me të cilën e dhe ka rezistuar. Në mëngjesin e 5 marsit, forcat e këmbësorisë serbe kishin depërtuar afër shtëpisë me ç‘rast edhe bien heroikisht Kajtaz Jashari dhe djali i ri, Ajvazi 18-vjeçar, po ashtu edhe nëna Hamidja.
Forcat e këmbësorisë serbe arrestojnë të gjithë anëtarët e familjes që kishin shpëtuar nga ploja, ndërkohë që marrin Albert Kajtaz Jasharin, 13-vjeçar për të identifikuar të rënët e të viktimizuari. Alberi kishte identifikuar kufomën e babait, Kajtazit, të gjyshes Hamide, të vëllait Ajvazit dhe dhe kufomën e Ali Ramadan Jasharit.
Forcat serbe arrestojnë Maliq Jasharin 93-vjeçar, Naser Jasharin, Bekim Bahtir Jasharin të cilët e dërgojnë në Burgun e Mitrovicës, ku pasi i marrin në hetime i lirojnë. Nga torturat dhe dhuna që ishte shkaktuar në familjen e tij të ngushtë dhe mbi pjesëtarët e tërë lagjes, Maliq Jashari vdes më 15 maj 1998, në Mitrovicë.
Maliq Jashari ka lënë bashkëshorten, Sofinë si dhe bijtë: Abazin, Albertin, Visarin dhe bijen Jehonën, të cilët aktualisht jetojnë në Danimarkë.
Abazi ka lënë edhe vëllezërit: Ilazin, Shefqetin dhe Ragipin, motrat: Ajnen, Hafizen, Fatimen, Halimen, Sevdijen, Xhylishahen dhe Miniren.
Trupi i Kajtaz Jasharit, së bashku me të gjithë Jasharët e rënë dhe të viktimizuar prehet në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Prekaz.
Familja e Maliq Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqatat e dala nga lufta. Të gjithë pjesëtarët e lagjes Jashari, të cilët kanë rënë më 5 mars 1998 janë shpallë dëshmorë të kombit. (A. Q.)