Libri me poezi, “Ç’faj kam unë?!” është një buqetë e bukur ndjenjash e përjetimesh poetike nga një grua, nga një nënë dhe qytetare shqiptare, nga poetesha, zonja, Evgjeni Goga Prifti.
Ajo prej vitesh jeton dramën e emigracionit, në kuptimin e qëndrimit larg Atdheut të vet, larg vendlindjes, kujtimeve të rinisë e vajzërisë, larg edhe varreve të prindërve e shumë prej të dashurve të saj të familjes, apo fisit. E kjo nuk është pak, për një zemër plot ndjenja, për një grua që tërë jetën e saj ka patur dhe ka një moral që përshkohet fund
e krye nga atdhetaria, nga humanizmi e solidariteti ndaj njerëzve në nevojë, nga respekti ndaj prindit, ndaj punës e njeriut të punës, që e arrin çdo kënaqësi në jetë vetëm me punë, me djersë, e jo me grabitje, mashtrime e korrupsione.
Poezitë e këtij libri janë, natyrisht, një ligjërime mbresëlënëse, ku ndien koloritin e vargjeve e të këngës popullore të Jugut, figuracionin e bukur dhe spontan të këtyre këngëve, lirizmin e thellë, por edhe “barutin” e fortë, kur është fjala për dukuritë negative që shoqërojnë shoqërinë shqiptare gjatë demokracisë 30-vjeçare, por dhe që bien ndesh me moralin dhe traditën e shëndoshë shqiptare, me ndërgjegjen e poeteshës, e kësaj nëne që tërë jetën ka pasur një pasion, një dhunti: punën, ndershmërinë, solidaritetin dhe krenarinë për Shqipërinë e saj.
Në poezitë “Ah, o zog”, apo “Humbi e vërteta” ndihet dhimbja, por edhe nervi i poeteshës labe, fryma e saj kritike ndaj dukurive që dëshmojnë për çekuilibër të ndërgjegjes shoqërore, siç shprehet ajo, dhe ku e vërteta, e virtytshmja zhbëhen e shkelen nga egoizmi apo individualizmi i njeriut të sotëm.
Në fokusin e poezive të saj shpaloset krenaria për Shqipërinë, dëshira e saj për ta parë atë sërish “zonjë të rëndë” si dikur në kohët e vitet më të mira…
Madje, ajo i kushton një poezi të gjatë edhe shkrimtarit tonë të madh, Kadare, të cilit i drejtohet pa komplekse, drejtpërdrejt, ku e fton atë, që me autoritetin e fjalës e emrit të tij, të kontribuojë më shumë për ribërjen e Shqipërisë së përçarë e të shpërndarë shteteve të botës:
“Kadare, të nderon bota,
Po nënës i duken të kota,
sepse i është ulur koka…”
Në poezitë e këtij libri gjen figuracion të thjeshtë e të bukur të stilit popullor, bie në sy vargu-aforizmë, me atë mençurinë dhe elegancën e ligjërimit popullor lab. Në poezinë kushtuar Shqipërisë, autorja vëren:
“Uzina, fabrika e kombinate/ si ngelën
bosh ato pallate,
gra e vajza duararta,
pastrojnë rrugët, mbajnë plaka…”
Më tej autorja bisedon me natyrën, me pemët dhe malet, me bletën punëtore dhe me zogjtë, sikurse kuvendon edhe me yjet dhe “qan” jetën e saj, si dje, por edhe sot: “O ylli i mëngjesit/ Ti mos bëj çudi/Yjet s’na janë ndarë/Nëpër histori…”
Gjithsesi peng në zemër ajo ka të shkuarën, jo thjesht për nostalgji, por për vlerat e vërteta që kishte dhe që nuk duhet kurrsesi të shkelen, të fshihen e të flaken as sot! Përkundrazi. Në poezinë titulluar “Ku janë”, është i qartë e i drejtpërdrejtë mesazhi:
“Ku janë burrat e zemanit,
ku janë trimat e vatanit,
ku është i zoti i stanit,
ku janë burrat gjithë besë,
ku janë burrat e qoshesë…
kishte vlerë muhabeti
bënte punë autoriteti…”
Lirizmi ndihet gjerësisht në poezitë e librit, madje përbën stil më vete. Ai kundërmon edhe atje ku tematika është më “e fortë”, polemike, qytetare apo politike… Mund të përmenden poezi të tilla si “Nënë”, “Energji”, “Ninullë”, etj. Te poezia “Energji”,
autorja shkruan: “Fshati është bukuri/ku mbushesh me energji/ ku të gjen shpirti rehat/ dhe pse këmba shkel në baltë…” Mesazh vërtet i bukur i dhënë me shprehitë e një njeriu që është i lidhur me token, me baltën e ëmbël…
Autorja në këtë vëllim poetik, gjithsesi nuk e humbet besimin dhe optimizmin për ditë më të mira, si për ata që jetojnë në emigracion, larg atdheut, por edhe për ata brenda Shqipërisë, e cila, siç shprehet ajo, ka nevojë për krahët dhe zemrat e bashkuara të të gjithëve që të ecë përpara, të lulëzojë e të përparojë.