Selvete Hamzë Jashari

Selvete Hamzë Jashari (3. 4. 1977 – 5. 3. 1998)

Beteja e Prekazit heroik, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ka qenë njëra ndër betejat më krenare, por edhe më të dhembshme të historisë sonë më të re. Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor, të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit Adem Jashari, vëllait të tij, Hamëz Jashari, babait, Shaban Jashari dhe Jasharëve të tjerë në Kullën e heroizmit e të qëndresës. Gjatë luftimeve ranë 56 dëshmorë nga lagja Jashari dhe nga radhët e miqve që ishin gjendur atë ditë në rrethim. Nga familja e kryefamiljarit Shaban Jashari kanë rënë:
Shaban Murat Jashari, Zahide Shaban Jashari, Zarife Bahtir Jashari, Hamëz Shaban Jashari, Feride Ramadan Jashari, Adem Shaban Jashari, Adile Bahtir Jashari, Hidajete Rifat Jashari, Valdete Rifat Jashari, Igballe Rifat Jashari, Igball Rifat Jashari, Selvete Hamzë Jashari, Afete Hamzë Jashari, Besim Hamzë Jashari, Lirie Hamzë Jashari, Blerim Hamzë Jashari, Fatime Hamzë Jashari, Blerina Hamzë Jashari, Fitim Adem Jashari, Kushtrim Adem Jashari.
Nga familja e ngushtë e Hamzë Jasharit kanë shpëtuar, Bekim Jashari dhe Besarta Jashari.

Selvete Hamzë Jashari ka lindur në fshatin Prekaz i Ulët të Skënderajt, më 3 prill të vitit 1977. Ajo ishte vajza e Hamzës dhe Feride Mecini-Jashari, të cilët lindën dhe rritën tetë bij e bija.
Selvetja kreu shkollimin fillor në Skënderaj. Edhe pse e donte shkollën dhe vazhdimin e saj në kushte e rrethana në të cilat Jasharët jetuan në vitet ’90 të shekullit të kaluar, ajo nuk pati mundësi të vazhdojë shkollën e mesme. Ashtu sikur edhe bijtë e bijat e tjerë të Rifat, Hamzë dhe Adem Jasharit, edhe Selevetja ishte në dijeni të faktit se babai, xhaxhallarët, gjyshi por edhe familja e gjerë Jashari ishte përcaktuar për rezistencë kundër forcave okupatore serbe.
Selvetja ishte katërmbëdhjetë vjeçe, kur më 30 dhjetor të vitit 1991, forca të shumta të milicisë serbe, të mbështetura edhe nga trupat ushtarake kishin rrethuar kullën e familjes së saj në Prekaz të Ulët. Zhvillimet tronditëse të asaj dite, kur babai i saj, Hamza dhe xhaxhallarët, kishin luftuar tërë ditën dhe nuk ishin dorëzuar para armikut. Selvetja ka përjetuar edhe rrethimin e dytë të kullës nga forcat serbe, më 22 janar të vitit 1998. Ajo nga afër kishte parë rezistencën e gjyshit, xhaxhallarëve por edhe të kushërinjve të saj. Atë ditë të hershme të janarit që po paralajmëronte ndeshje edhe më të përgjakshme, nga predhat e armëve armike kishte marrë plagë edhe Selvetja, së bashku me Ilirianën. Pas rrethimit ajo për disa ditë kishte qëndruar e plagosur. Edhe pse me një gjendje të tillë ajo madje iu kishte dhënë intervista edhe gazetarëve duke treguar për rezistencën dhe trimërinë që kishin treguar Jasharët gjatë rrethimit, më 22 janar të vitit 1998.
Ashtu si tërë familja Jashari edhe Selvetja ishte e edukuar dhe e përgatitur për të qëndruar dhe luftuar.
Më 5 mars të vitit 1998, Jasharët ishin barrikaduar në Kullën e Rezistencës, në Prekaz dhe ua kishin bërë me dije forcave policore e ushtarake serbe se forcat pushtuese nuk do të kalonin mbi trupat e gjallë të Jasharëve, dhe për të gjallë të tyre asnjë serb nuk do të shkelte brenda në oborret apo shtëpitë shqiptare. Atë ditë, gjatë luftimeve të pandërprera Selvetja ndodhej në Kullën e Rezistencës, në shtëpinë e lindjes, së bashku me babain, Hamzën, nënën, Feriden, motrat: Afeten, Lirinë, Fatimen e Blerinën dhe me vëllezërit, Besimin e Blerimin. Nga familja e ngushtë e Hamzë Jasharit i kanë shpëtuar rënies, Bekim Jashari dhe Besarta Jashari.
Familja Jashari e Prekazit ka marrë shumë mirënjohje, falënderime e dekorata nga institucione shtetërore të Kosovës, Shqipërisë administrative e më gjerë. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …