Nesër në orën 12.00 Qendrën Rinore “Fell Bahu”, në Therandë (ish Suharekë), do të përurohet monografia kushtuar atdhetarit Sadri Sahit Çatani, luftëtarit të mirënjohur të NDSH-së nga fshati Duhël, libër i autorit, Ahmet Qeriqi.
Sadri Sahit Çatani (1910 – 1987)
Sadri Sahiti i lagjes Çatani të fshatit Duhël, ishte një luftëtar popullor, një kryengritës i lindur në kohën kur shumica e trevave historike shqiptare të katër vilajeteve, me ndihmën e Rusisë dhe bekimin e Evropës ishin grabitur nga serbët, grekët, bullgarët e malazezët. I rritur nën robërinë më të egër të kohës të së ashtuquajturës, Mbretëri Serbe-Kroate-Sllovene, e cila kishte hartuar dhe po zbatonte plane për shfarosjen kolektive të shqiptarëve, Sadri Sahiti që në fëmijëri kishte përjetuar mbi supe barrën e robërisë.
I frymëzuar nga tradita familjare nga kënga dhe tradita kombëtare, nën ndikimin e ideve të Ramë Bllacës, deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, i cili kishte kundërshtuar politikën antishqiptare të regjimit të “Kralevinës”, Sadri Sahiti ishte burrëruar para kohe me idenë e çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një Shqipëri.
Prej vitit 1941 e deri në vitin 1947 kishte vepruar dhe kishte luftuar intensivisht në çlirimin dhe mbrojtjen e Kosovës nga pushtuesit serbë. Për shkak të aktivitetit të tij luftarak kundër Jugosllavisë së Titos, Sadri Duhla ishte dënuar 1o vjet burg të rëndë, ndërkohë që iu kishin marrë edhe të drejtat qytetare dhe iu kishte konfiskuar një pjesë e pasurisë së patundshme.
Prej daljes nga burgu e deri në vitin 1987 kur ndërroi jetë, ai jetoi në familje, i mirëpritur dhe i dashur nga miqtë, i vëzhguar nga bashkëpunëtorët e regjimit titist, por kurdoherë i paepur, i pathyeshëm në idealin e tij çlirimtar. 10 vjet pas vdekjes në arenën e historisë dhe rikthimit të idealit të luftës së armator, doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila luftoi dhe me ndihmën e NATO-s nga ajri korri fitoren historike, fitoren për të cilin kishin rënë, ishin torturuar e mbajtur nëpër burgje, dhjetëra mijëra liridashës të Kosovës e trojeve shqiptare nën robërinë sllave, në mesin e tyre edhe Sadri Çatani….