Sa herë që vjen muaji nëntor, shqiptarëve kudo që janë, ua përkujton Nëntorin e Pavarësisë dhe sakrificat kombëtare për çlirim nga robëria shekullore, të shumë patriotëve që u flijuan për atdhe.
Nëntori i Pavarësisë në kujtesën kombëtare, shënon një sërë ngjarjesh historike për popullin shqiptar.
Kjo datë e rëndësishme na kthen kujtesën në 28 Nëntorin e vitit 1443, atëherë kur në Krujë u ngrit Flamuri i Arbrit, që me krenari na përkujton epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, flamur ky që do të përjetësohet me kthesën e madhe historike të vitit 1912, e që në memorien tonë kombëtare na përkujton themeluesin e shtetit shqiptar, mendjendriturin dhe vizionarin e madh, shkëlqesinë e tij – Ismail Qemal Bej Vlorën, dhe patriotët tjerë shqiptarë, të cilët kontribuuan në themelimin e këtij shteti, si: Hasan Prishtina, Isë Boletini, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica dhe shumë patriotë të tjerë, të cilët s’kursyen asgjë nga vetja e tyre për pavarësinë e Shqipërisë.
Ky nëntor i datës 28 na përkujton edhe shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë, të cilët e derdhën gjakun e tyre për dalje nga zgjedha e egër e Perandorisë Osmane, ditë kjo e shumëpritur pas pesë shekujsh të sundimit otoman, për të cilën liri u sakrifikuan dhe u flijuan shumë gjenerata.
Në memorien e gjeneratës pak më në moshë, ende është e freskët kujtesa për dy organizata ilegale që u zbuluan në Kosovë nga UDB-a jugosllave në vitin 1964, pjesëtarët e të cilave u burgosen dhe u dënuan me shumë vite burg të rëndë. Pra kjo datë e përkujton “Organizatën për bashkimin e trojeve shqiptare” në krye me Remzi Balokun dhe “Lëvizjen revolucionare për bashkimin e shqiptarëve” në krye me Adem Demaçin, të cilat lëvizje në atë kohë, pos aktiviteteve të shumta ilegale, për çdo “28 Nëntor” kanë shpërndarë afishe dhe i kanë ngritur flamujt kombëtarë nëpër shumë qytete të Kosovës, simbol ky që ishte ndaluar rreptësisht nga pushteti jugosllav i kohës.
Pos ngjarjeve të cekura nga kjo periudhë jo e largët dhe një numri të konsiderueshëm atdhetarësh si: Metush Krasniqi, Sylë Shala, Ali Aliu, Hyrije Hana, Kadri Kusari, Teki Dervishi, Ramadan Shala etj., në Kosovën heroike të kësaj ane të Shqipërisë etnike, 28 Nëntori do të na përkujtojë, pos tjerash edhe, sakrificat e atdhetarëve të viteve: 1968, 1981, 1989, 1990, 1997 dhe 1998, datë kjo që do të na përkujtojë me pietet komandantin legjendar Adem Jasharin dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo datë e shenjtë, 28 Nëntori, na përkujton lavdinë tonë kombëtare, kudo në hapësirat shqiptare, atë lavdi që buron në gjakun shqiptar, i cili asnjëherë nuk pushoi së derdhuri për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Ky flamur i shqiptarëve me shqiponjën e zezë dykrenore në sfondin e kuq, simbolikë e gjakut, kur tani është ngritur dhe valon lirshëm në madhështinë e qiellit të hapur e të pafund, me krenari na kthen mbrapa në kujtesën kombëtare për të shprehur admirimin tonë për burrat fisnikë, që me përkushtim e sakrificë, na sollën lirinë e na ruajtën qenien tonë kombëtare.
Kjo liri e arritur, ka nevojë të kultivohet me një përkushtim të vazhdueshëm ndaj çështjes kombëtare, dhe ushtrimit të kujtesës për të kaluarën tonë, si një parakusht për ta çuar kombin drejt ardhmërisë dhe idealit shekullor të shqiptarëve për të jetuar në një shtet.