Tërmeti i rëndë që goditi sot Shqipërinë, ku deri tani janë raportuar mbi 15 të mbytur të gjetur nën rrënoja dhe ku janë shkatërruar shumë pallate, shtëpi e ndërtesa, ka mobilizuar të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore dhe në Mal të zi. Autoritetet e larta të vendit kanë dërguar ndihma emergjente, kanë angazhuar kontingjente të caktuara të FSK-së dhe të Policisë së Kosovës, por edhe kanë ndarë mjete financiare. Po kështu ka filluar edhe solidariteti popullor me grumbullimin dhe adresimin e caktuar të ndihmave nga popullata civile. Edhe disa shtete mike të Shqipërisë nga rajoni e më gjerë kanë shprehur keqardhje dhe kanë nisur ndihma emergjente lidhur me pasojat që ka shkaktuar tërmeti me magnitudë 6. 4 shkallë, në disa qendra të Shqipërisë bregdetare, sidomos në qytetin e Durrësit ku ishte edhe epiqendra e tërmetit, por edhe në disa qytete të mëdha.
