leoni

Akademik, prof. dr. Hakif Bajrami: Rëndësia e KNÇK-së për përhapjen e antifashizmit, për çlirim dhe bashkim kombëtar I

Me rastin e 75 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë Bregdetare nga Nazifashizmi 29 XI 1944, dhe Mbajtja e Këshillit  Nacional Çlirimtar të Kosovës në Bujan të Malësisë Mbishkodrës.

(Kumtesë e prezantuar në Simpoziumin e Akademisë Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, 14 XI 2019)

Argumentet historike

PKJ në luftë speciale për defaktorizimin e Luftës antifashiste në Kosovë më qëllim që ta riokupojë duke kërkuar llogari në vend që të japë llogari për mizoritë sllave ndaj shqiptarëve. PKJ nuk ka lënë mjet defaktorizues pa përdorë, për ta akuzuar popullin shqiptar të Kosovës se po bashkëpunon me nazifashizmin, sidomos nga 12 janari 1944. Në këtë drejtim duke synuar ta realizojë programin e saj anticivilizues, më 8 shkurt 1945, KQ PKJ dhe Shtabi Suprem i APNÇ të Jugosllavisë, vendosën diktaturë ushtarke, në mënyrë që ti realizojnë defaktorizimet një nga një: defaktorizimin ushtrak, defaktorizimin politik dhe defaktorizimin parlamentar. Kjo politikë neokoloniale u bë për faktin se Konferenca NÇ e Kosovës më 2 janar 1944 u rreshtua që të veprojë si një faktor i fuqishëm antifashist, madje duke kërkuar bashkimin me Shqipërinë Bregdetare. Ta shtjellojmë çështje në aspektin analitik dhe eksplikativ nga këndi i filozofisë së historisë.

Krahina shqiptare e Kosovës gjatë shekullit XIX-të, kur u krijuan kombet, kudo nepër Evropë, pra edhe në Ballkan, ishte treva më kryengritëse për çlirimin kombëtar nga robëria osmane. Mjerisht, me vendimet e Kongresit Berlinit (1878), me krijimin e Çështjes së MUHAXHERËVE (1877, popullsia shqiptare e 714 katundeve të Sanxhakut Nishit dhe Pirotit u detyrua të shpërngulet nga vatrat e veta për TRI DITË-hb), popullsia e Shqipërisë Kontinentale (Vilajeti i Kosovës dhe Vilajeti i Manastirit), krijuan bindje të thellë se Gjashtë Fuqitë Evropiane janë kah ti tradhtojnë në çdo hap, duke e coptuar Shqipërinë Etnike të katër vilajeteve. Prandaj, me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881); me Lidhjen Shqiptare të Pejës (1899) e sidomos me Kongresin e Alfabetit në Manastir (1908); me Kuvendin ma të madh Kombëtar në Ferizaj (1908); me Kryengritjet e mëdha shqiptare në tërë Vilajetin e Kosovës 1910-1912, i treguan botës politike dhe diplomatike të Gjashtë Fuqive (Anglisë, Francës, Rusisë; Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë) se janë kryefjala dhe kallxuesi i shqiptarizmit. E pikërisht për këtë flamurtarizëm Kombëtar edhe pse u çliruam me armet tona (duke luftuar okupatorin turk mars-gusht 1912); edhe pse Qeveria e Qamil Pashës e pati shprehur pajtimin se: “E pranon Autonominë dhe Pavarësinë e Shqipërisë”, në Konferencën e Londrës (1913), Çështja shqiptare u gjet para “kasapit”, duke i coptuar trevat më atdhetare shqiptare. E vërteta, në Londër u pranua një autonomi e Shqipërisë, nën syzerenitetin e sulltanit, por e coptuar që në dokumentet sekrete serbe quhet Shqipëria Bregdetare.Kjo do të thotë se Shqipëria Kontinentale mbeti e okupuar.

E vërteta, nga kjo kohë (1912) gjysma e kombit shqiptar do të përjetojë një golgotë ndër më të egrat në Evropë. Në trevat shqiptare filloi të likuidohet çdo ide për shkollim, për emancipim kombëtar dhe kulturor. Kjo luftë është “vizatuar” në dhjetëra elaborate dhe programe serbe, për shfarosjen totale të mbi gjysmës së Kombit shqiptar. Qysh në fillim të vitit 1913 filloi likuidimi i personaliteteve shqiptare, grabitja e tokave më të mira dhe sjellja e 64,583 kolonistëve sllavë, të cilët jetonin secili si guvernator, secili i armatosur dhe të përcjellur me xhandarë dhe ushtri.

Nga 23 fonde arkivore, ku ka mbetë çështja shqiptare e lyer me gjak të njomë të nënave, fëmijëve dhe burrave të tyre, mjafton të plasohet veprimatria e Punisha Raçiqit, Tomë Popoviqit dhe kapos së tyre Mihajllo Ceroviqit (komesar për Jug i emëruar nga Beogradi). Citoj dokumentin serb: “Këta e kishin dorën shumë të lehtë. Me thika, zjarr dhe pushkë e topa i kanë djegur me qindëra fshatëra shqiptare, të cilat po u përngjajnë zjarreve të NETËVE të Bengalit, kah digjen”. Kjo politikë është bërë me program si: 1). Programi për likuidimin e Kaçakëve më 1920-1924; Programi për luftimin e shqiptarëve 1927-1940; Programi për ndarjen e Shqipërisë Bregdetare 1939; Programi për Serbinë integrale dhe homogjene 1941. Rezultati i këtyre programeve është 311,255 vjet burgje për shqiptarë 1912-1941, 182 fshatra të bombarduara, 255,000 shqiptarë të shpërngulur në Anadoll (bile të obliguar me Konventë Jugosllavo Turke nga viti 1938), me 381,012 hektarë toka të shqiptarëve, që i grabitën: kolonistët, xhandarët, policët, oficerët e pensionuar, tagërmbledhësit, pylltarët, mësuesit, nëpunësit, mafia tregtare, me 24,000 familje të planifikuara për kolonizim (janë kolonizuar 11,892 në Kosovë dhe 7,811 familje sllave në Maqedoni).

Koha e Luftës Dytë Botërore 1941-1945

Pas okupimit të Mbretërisë Jugosllave në prill 1941, TA FTOSH të ngritet Shqiptaria e Kosovës në luftë kundër nazifashizmit e për ta ruajtur Jugosllavinë, që i kishte ngritur KAMPET E PËRQËNDRIMIT (në Nish, Leskofc dhe Nikshiq 1919-1924, special për shqiptarë të Koosvës; atëherë kur e tërë treva shqiptare ishte një KAMP përqëndrimi 1939-1941!), ta ftosh në luftë për ta luftuar riokupimin e Jugosllavisë nga Nazifashizmi Gjermano-italian, për të luftuar për krijimin e një qfarëdo qoftë Jugosllavie, KA QENË e barabartë sikurse ta FTOSH POPULLIN HEBREJ (JAHUDITË ) më 1944/45: “Ejani e luftoni  n` anën e Hitlerit”.

Megjithatë antifashizmi në radhët e popullit shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni e Mal të Zi, 6 prill 1941- 2 janar 1944, në fillim ishte një rreshtim i pastër politik majtist-komunist, që shpërthente kryesisht nga përkushtimi kryengritës së shqiptarëve. Por pjesa dërmuese e antifashistëve do të rekrutohen nga komunistët shqiptarë që erdhën nga shkollat e Mbretërisë shqiptare. Lidhur me këtë, duke u frikësuar për kthimin e pushtetit sllav që krijoi kampe të përqëndrimit 1919-1924, për shqiptarë, komunistët shqiptarë në Kosovë më 1941/2, të lidhur me profkat politike pas qerrës së PKJ-ës, për një kohë do të mbesin të izoluar gati tërësisht nga populli. Ky fenomen vinte nga shkaqet jo pse ndryshuan sllavët, që po kërcënoheshin sërish dhe kur popullit shqiptar prap i thuhej:“ Kur të kthehemi sërish lumenjët: Llapi, Sitnica dhe Drini do të bartin nga dy muaj plisa të shqiptarëve”. E në anën tjetër okupatori i ri, lejoi një frymëmarrje tjetër për shqiptarë: lejoi administratë dhe shkolla shqipe. Ndërsa, metodat e dy pushteteve (kralit dhe Hitlerit) mizore të dyja do të tregohet shumë shpejtë se nuk kishin dallime, por që me të cilat populli ishte mësuar. Prandaj, çdo çmim populli ishte I gatshëm ta paguaj dhe mos të kthehen më në pushtet kolonistët-parafashistët, të mercenarëve, fajdexhinjëve dhe rentierëve sllavë të Beogradit 1918-1941, që nuk kishin lënë mjet mizor pa përdorë, me të vetmin qëllim që Kosova të sllavizohet si Toplica 1878.

Lidhur me këtë, edhe ndaj okupatorit të ri (nazifashist) shqiptarët qysh në prill-maj 1941 krijuan një mosbesim, mu nga shkaku se çetnikët dhe oficerët serbë, përgatitën disa kurtha politike të cilat u kthyen në tragjedi, prap për shqiptarë. E fjala është se në Malësinë e Gallapit, tri fshatra: Prapashtica, Nishefci dhe Grashtica u kthyen në gërmadha duke u bombarduar nga avionët gjermanë.

Ky bombardim ndodhi për faktin se çetniku Bozhidar, që e kishte masakruar këtë trevë më 1921, prap kishte gjetë mënyrë ti sulmojë shqiptarët përmes ushtarëve të Vermahtit në fund të prilit 194.

Pikërisht të gjetur para kullës dhe çekanit, nga 5 maji 1941, kur shqiptarët e panë se kolonistëve nga nazistët gjermanë u ishte thënë që në kulmet e shtëpive të tyre të vejnë kryqe, në mënyrë që të bombardohen vetëm shtëpitë shqiptare, çështja u bë shumë e kuptuar se okupatori i ri nuk ka dallim nga ai i vjetri (192-1941), po nuk ka dallim edhe nga ai para (1912) tij. Dhe ashtu ndodhi. Por jo vetëm bombardimi i tri fashatrave të Gallapit, por INTERNIMI i të gjithë burrave shqiptarë nga kjo trevë në kampin e Vranjës dhe të Nishit dhe tragjedia që u përjetua gjatë tërë verës KRIJOI te kjo popullsi dhe jo vetëm këndej një BINDJE se okupatori nuk ka ndryshim, ka vetëm taktizim. E kur ti shtohet këtij realiteti fakti se shqiptarët e trevave: Të Llapit, Vushtrisë dhe Mitrovicës me Sanxhak, ishin UNANIMISHT, që ti BASHKOHET Zonës okupuese Italiane, e jo të mbesin nën pushtetin kuisling të Millan Nediqit (1941-1944-Beogradit), pushteti i Herman Nojebaherit në pajtim me Zyrën e Hitlerit me qëllim që ta shuajnë organizimin e shqiptarëve ti bashkohen Shqipërisë nën italianët, do të pajtohet që kjo popullsi të DEPORTOHET me dhunë në Zonën Italiane, dhe pronat e tyre t`i grabisin sërish kolonistët sllavë. Edhe ky faktor ishte një dëshmi plus, se pozita koloniale e shqiptarëve nuk kishte ndryshuar edhe pse kishin të drejtë ta valojnë Flamurin Kombëtar, sidomos në dasma dhe festa kombëtare. E ndryshimi, u krijua bindja, mund të ndodhë vetëm nëse luftohen të dy okupatorët njësoj (ai serbian në rend të parë; paralel me te edhe ai nazifashist). Por që të luftohet kundër dy forcave okupatore ishte utopi tipike, posaqërisht kur disa shqipfolës prap ishin gjetur në prehër të okupatorit të ri, e që i kishin grimcuar disa funksione kuislingësh. Pra ta fillosh luftën duhet ta hapësh edhe frontin e TRETË, sepse i pari ishte i hapur, i dyti duhej të hapej e i treti për t`i fituar dy frontet e para duhej të përgatitej me kujdes. Asgjë në këtë kaos nuk dihej, çdo gjë kuptohej, se populli shqiptar duhet të rreshtohet në Koalicionin antifashist, krejt me qëllim që ta fitojë të drejtën në ardhmëri. E për ta fituar atë ardhmëri do të themelohen këshillat ilegale nacionalçlirimtare, do të themelohen çetat e para, batalionet, brigadat dhe kah fundi i luftës edhe divizionet.

Që këto forca të kryejnë detyrat kombëtare me suksese: të luftojnë forcat çetnike (koloniste ku kishte edhe komunist; që ta luftojnë aparatin e okupatorit duhej të luftohen edhe organizatat shqiptare që e ndihmonin okupatorin nazifashist 1941-1945.

Që ta bindnin popullin shqiptar të Kosovës se vërtet me luftën antifashiste do të ÇLIROHEN, komunistët jo vetëm shqiptarë i kishin dy referenca mbështetëse. Mbështetja e parë ishte në Rezolutën e Kongresit të KATËRT të PKJ-ës mbajtur në DREZDEN në tetor 1928. Aty hapur ishte qëndrimi se Kosova duhet ti bashkangjitet (bashkohet) Shqipërisë. Mbështetja e dytë, për aspiratat e shqiptarëve të Shqipërisë Kontinentale që të çlirohen dhe bashkohen me Shqipërinë Bregdetare, ishte që Jugosllavia të ndërtohet në principin FEDERATIV Republikan, ku Kosova do të ishte njëra ndër REPUBLIKAT e saj, vendim ky rezolutiv i Konferencës së PESTË të PKJ-ës, mbajtur në Zagreb në tetor 1940. Lidhur me këto qëndrime të drejta të PKJ-ës, antifashistët shqiptarë, pasi që e kishin themeluar Shtabin e Përkohshëm Kryesor të APNÇ të Kosovës më 20 tetor 1942; pasi që i njëjti Shtab ishte kthyer në Shtab Kryesor të AP NÇ, më 15 prill 1943, duke i drejtuar në luftë disa çeta, batalione, e sidomos pas Konsultës së Komitetit Krahinor të PKJ-ës për Kosovë në shkurt 1942, ku Emin Duraku shpalosi mbështetjen në Rezolutën e Kongresit PKJ-ës në Drezden më 1928; ku pas Konsultës së Komitetit Krahinor të PKJ-ës mbajtur në malet e Sharrit në fillim të nëntorit 1843, do të merret vendimi që të THEMELOHET KËSHILLI NACIONALÇLIRIMTAR për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit. E shprehur në gjuhën popullore kjo do të thotë që Kosova ta ketë PARLAMENTIN E VET LEGJITIM dhe përmes tij të aprovojë ligje. Aty do të merreshin vendimet me të cilat kënaqeshin ASPIRATAT e shqiptarëve të robëruar për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Nëse analizohet tërë dokumentacioni i Kominternit (1919-1943), del se kjo organizatë kishte qëndrim të drejtë ndaj rrugës së bashkimit të Shqiptarëve dhe ndaj Shqipërisë Etnike, duke i anatemuar të gjitha Konferencat e ashtuquajtura të paqes (1878, 1913, 1919).Prandaj PKJ, si antare e Kominternit nuk kishte mandat tjetër përpos të marrë qëndrim në Kongresin e saj në Drezden (1928) që Kosova ti bashkohet Shqipërisë, ku fjalën kryesore në atë bashkim do ta kishte Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.

E vërteta, pas vitit 1935 KQ PKJ kishte ndryshuar STRATEGJINË për zgjidhjen e çështjes nacionale në Mbretërinë Jugosllave. Nga ajo kohë, në vend të shkatërrimit të Jugosllavisë, dhe themelimit të shteteve (partive) nacionale, do të propogandohet RUAJTJA e Jugosllavisë, por që përbrenda saj të themelohen partitë komuniste nacionale dhe adekuate me to, edhe republikat federative, ku Kosova do të ishte njëra ndër ato REPUBLIKA. E ky qëndrim u bë realitet më 1940, duke u lidhë Komiteti Krahinor i PKJ-ës për Kosmet drejtpërdrejt me KQ PKJ-ën, pa asnjë lidhje me komitetet tjera komuniste krahinore. Aty (më 1940 në Zagreb) u la në favor edhe ideja e avansimit të Kosovës në Republikë sovjetike, të cilën do ta përkrahin të gjitha komitetet tjera, me përjashtim të atij malazez.

Begatimi i Kosovës me këshilla ilegale më të avansuara politikisht, në të gjitha viset gjatë vitit 1943, kapitullimi i Italisë fashiste në fillim të shtatorit 1943, i nxitën antifashistët e Kosovës që ti hyjnë punës për ta themeluar KËSHILLIN NACIONALÇLIRIMTAR (PARLAMENTIT KOSOVËS), i cili do të sajonte ligje dhe rregullore, në harmoni me ligjet dhe rregulloret supreme. Vendimi për mbajtjen e Konferencës Këshillin NÇ për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit u mor më 6 nëntor 1943 në Sharr, në konsultën e radhës që po i bënte Organizata e Partisë Komuniste të PKJ-ës për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit. Në konsultën e Sharrit, do të ndahen detyrat për ti kandiduar DELEGATËT e Konferencës. Fadil Hoxha mori për detyrë aktivitetin e zgjedhjes së DELEGATËVE në RRAFSHIN E KOSOVËS, Xhavit Nimani dhe Ismet Shaqiri në Rrafshin e Dukagjinit. Kandidimet u kryen me sukes dhe në Konferencën NÇ nga 62 delgatë që ishin caktuar në kushte shumë delikate të luftës, do të marrrin pjesë 49 delegatë me autorizime të plota, nga bazat. Prej 49 delegatëve 31 nuk ishin antarë të asnjë partie, por ishin në kuadër të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar.

Kush e siguroi Konferencën dhe çfarë simbolike kishte?

Para se të ideohet dhe organizohet mbajtja e Konferencës së Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës, do të mendohet se si duhet mbrojtur dhe siguruar mbajtja e saj. Në fillim u caktua se sigurimin e Konferencës do ta kryej Aradha Partizane “Bajram Curri”. Propozimin për këtë nder që do ta kishte Aradha doli nga kush tjetër pos nga Fadil Hoxha që ishte Komandant i Shtabit Kryesor të Aradhave Nacional Çlirimtare të Kosovës. Dhe, pasi që u pranua se Konferenca do të mbahet në Bujan, për sigurimin e saj u shtua edhe një aradhë Partizane “Perlat Rexhepi”-që ishte e Shqipërisë Bregdetare. Pas dhjetë ditë të qëndrimit në fuqi, që këto dy arradha ta kryejnë sigurimin e Konferencës, erdhi deri te një takim në mes Fadil Hoxhës dhe Sadik Bekteshit në prani të Xheladin Hanës dhe Hajdar Beg Dushit, afër burimit të Valbonës. Aty u mor vendimi që të dy aradhat të shkrihen në një ARADHË të përbashkët. Kjo do të thotë se Konferenca do të rreshtohet FUQISHËM në vendimin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë Bregdetare, vendim ky që ishte IDEUAR në Kongresin e IV të PKJ në Drezden me 1928. Dhe ashtu ndodhi, për t`u bërë çdo vendim më i fuqishëm dhe me legjitim, për faktin se edhe në Konferencë ishin disa përfaqësues të viseve që i kishte nën siguri Aradha “Perlat Rexhepi”.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …