Beteja e Prekazit, e zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ishte njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit, Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke u zgjeruar në tërë lagjen. Për tri ditë rresht mbi shtëpitë dhe mbi anëtarët e këtyre familjeve u zbrazën të gjitha llojet e municionit të armëve të makinerisë së krimit serb. Nuk mbeti shtëpi, pullaz, mur, bodrum, pa u granatuar me predha tankesh, me minahedhës, me topa kalibrash të ndryshëm, me praga e mitralozë të rëndë. Gjatë atyre tri ditëve të sulmit më barbar të okupatorit serb kundër familjeve Jashari, ranë heroikisht dhe u martirizuan 57 pjesëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari, duke përfshirë edhe disa miq, të cilët u ndodhën te të afërmit e tyre.
Ranë për të fituar përjetësinë 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të Legjendarit Adem Jashari, 12 pjesëtarë të familjes së Sadik, Hamit e Qerim Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit dhe dhjetëra anëtarë të kësaj lagjeje të Prekazit. Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej fëmijëve e vajzave të mitura deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata, që rezistuan me armët që kishin dhe që për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan.
Hamdiu ishte djali i madh i Sadik dhe Afije Jasharit, nga Prekazi. Ai u lind më 1 gusht të vitit 1960. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Me qëllim për të ndihmuar në ngritjen ekonomike të familjes, ai ndërpret shkollimin e mëtejmë në vitet 80 të shekullit 20, e shkon në Gjermani, ku punonin edhe kushërnij e të afërm të tij. Atje punoi dhe ndihmoi familjen financiarisht, deri në vitin 1990, kur edhe kthehet në gjirin e familjes.
Hamdiu ishte në rrjedha të lëvizjes ilegale e cila vepronte me qëllim për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Mbante kontakte me Legjendarin Adem Jashari dhe me kushërinjtë, Musa e Sahit Jashari, të cilët kohë pas kohe kryenin aksione kundër forcave policore serbe.
Hamdiu, meqë ishte djali i madh në familje, interesohej për familjen, për prindërit të cilët kishin jetuar me mund e vështirësi, për vëllezërit e motrat.
Hamdiu ishte i angazhuar në luftën çlirimtare.
Më 31 dhjetor të vitit 1991, me rastin e rrethimit e më pas edhe sulmit të forcave serbe kundër familjes së Shaban Jasharit, oda e Sadik Qerim Jasharit dhe e Afijes ishte kthyer në depo armësh, por edhe vend ku organizonin takime, Musa e Sahit Jashari, nipat e Sadikut, të cilët ishin të organizuar në bërthamën e komandantit, Adem Jashari.
Pas tërheqjes me turp të forcave serbe, në dhjetor të vitit 1991, Hamdi Sadik Jashari dhe të gjithë Jasharët e kishin kuptuar tashmë se lidhja me njëri-tjetrin dhe reagimi kolektiv kundër pushtuesit kishte dhënë rezultatet e para.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, forcat ushtarake dhe policore serbe, rreth orës 6 të mëngjesit kishin filluar sulmin e furishëm mbi lagjen Jashari të Prekazit, duke goditur të gjitha shëpitë e lagjes me armë të rënda të artilerisë, me tanke e topa të kalibrave të mëdhenj dhe me të gjitha llojet e armëve, që kishin në dispozicion. Ata kishin rrethuar lagjen nga tri anët dhe nuk lejonin të depërtonte askush, qoftë edhe për të sjellë ushqime apo barna.
Paraprakisht, serbët kishin vendosur një njësit tankist nga ana lindore e lagjes dhe në një distancë prej 200 metrash kishin filluar goditjen e shtëpive ku ndodheshin nën rrethim të hekurt fëmjët, gratë e burrat e të gjitha shtëpive të lagjes Jashari. Epiqedra e sulmit ishte në shëpinë e Shaban Jasharit dhe në shtëpitë e Sadik, Hamdi e Qerim Jasharit, në shtëpinë e Halit Jasharit, të cilat ndodheshin krejt afër pozicioneve të forcave serbe. Pastaj ishin goditur të gjitha shtëpitë e lagjes. Në secilën nga këto shtëpi kishte nga 10 deri njëzet anëtarë familjesh të ngujuar në rrethim dhe të bombarduar pandërprerë për tri ditë rresht.
Në betejën heroike të Jasharëve të Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ka rënë Sadik Jashari me bashkëshorten e tij, Afijen, bijtë Hamdiun dhe Ramizin, bijat Elfijen dhe Fatimen. Nga kjo vëllazëri, gjatë atyre ditëve të rezistencës heroike kanë rënë edhe Hamit Qerim Jashari, Qerim Hysen Jashari, Shahin Qerim Jashari, Ukshin Qerim Jashari, Salë Jashari, bashkëshortja luftëtare e Hamit Jasharit dhe Hajrije Jashari. Gjatë betejës ka rënë edhe: Isak Halili, nipi i familjes dhe miqtë e kësaj familjeje që u gjendën nën rrethim, Fatime Bazaj dhe Smajl Bazaj. Familja e Sadik Jasharit e cila aktualisht jeton dhe punon në Austri ka përsëritur emrat e Sadikut, Afijes, Elfijes dhe Fatimes.
Familja e Hamdi Sadik Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së QPK, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. Emrat e dëshmorëve të kësaj familjeje, janë skalitur mbi varrezat e tyre në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …