Ramiz Sadik Jashari (29.3.1974 – 7.3.1998)

Ramiz Sadik Jashari (29.3.1974 – 7.3.1998)

Beteja e Prekazit, e zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ishte njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit, Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke u zgjeruar në tërë lagjen. Për tri ditë rresht mbi shtëpitë dhe mbi anëtarët e këtyre familjeve u zbrazën të gjitha llojet e armëve ë makinerisë së krimit serb. Nuk mbeti shtëpi, pullaz, mur, bodrum pa u granatuar me predha tankesh, me minahedhës, me topa kalibrash të ndryshëm me praga e mitralozë të rëndë. Gjatë atyre tri ditëve të sulmit më barbar të okupatorit serb kundër familjeve Jashari, ranë heroikisht dhe u martirizuan 57 pjesëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari, duke përfshirë edhe disa miq të tyre, të cilët gjatë atyre ditëve ndodhen musafirë në këtë lagje.
Ranë për të fituar përjetësinë 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të Legjendarit Adem Jashari, 12 pjesëtarë të familjes së Sadik, Hamit e Qerim Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit dhe dhjetëra anëtarë të kësaj lagjeje të Prekazit. Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej fëmijëve e vajzave të mitura, deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata, që rezistuan me armët që kishin dhe që për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan.

Ramiz Sadik Jashari lindi më 29 mars të vitit 1974. Shkollën fillore e kreu në fshat. Qysh në rini, ai ishte në kontakt me çlirimtarët e ardhshëm të Kosovës. Ramizi mbante kontakte edhe me Legjendarin Adem Jashari, po ashtu bënte roje vëzhgimi me automatik në dotë, meqë dinte të përdorte armët. Ka qenë një luftëtar i përkushtuar ashtu sikur edhe shumë bashkëmoshatarë të tjerë të kësaj lagjeje heroike dhe emblematike të kombit shqiptar. Në kohën e rrethimit të Jasharëve, në Prekaz nga forcat ushtarake e policore serbe, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Ramiz Jashari kishte rezistuar trimërisht me automatikun e tij, së bashku me tërë familjen e ngushtë dhe familjet e xhaxhallarëve, të cilët, po ashtu, ishin mobilizuar për të mos lejuar që serbët të hynin në Prekaz për së gjalli të tyre.
Në betejën heroike të Jasharëve të Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, ka rënë Sadik Jashari me bashkëshorten e tij Afijen, bijtë, Hamdiun dhe Ramizin, bijat, Elfijen dhe Fatimen. Nga kjo vëllazëri, gjatë atyre ditëve të rezistencës heroike kanë rënë edhe Hamit Qerim Jashari, Qerim Hysen Jashari, Shahin Qerim Jashari, Ukshin Qerim Jashari, Salë Jashari, bashkëshortja luftëtare e Hamit Jasharit dhe Hajrije Jashari. Gjatë betejës ka rënë edhe Isak Halili, nipi i familjes dhe miqtë e kësaj familjeje që u gjenden nën rrethim, Fatime Bazaj dhe Smajl Bazaj. Familja e Sadik Jasharit, e cila aktualisht jeton dhe punon në Austri ka përsëritur emrat e Sadikut, Afijes, Elfijes dhe Fatimes.
Ajo ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së QPK-së, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. Emrat e dëshmorëve të kësaj familjeje janë skalitur mbi varrezat e tyre në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …