Sadik Qerim Jashari (10.12.1932 – 7.3.1998)

Sadik Hysen Jashari (10.12.1932 – 7.3.1998)

Beteja e Prekazit, e zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ishte njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare e historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit, Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke u zgjeruar në tërë lagjen.
Shembullin e Adem Jasharit për të mos u dorëzuar e kanë ndjekur edhe Sadik Jashari me familje, Hamit Jashari me tërë familjen e tij, pastaj Halit Jashari po ashtu me tërë familjen, Faik Jashari, Beqir Jashari, Sherif Jashari, Ali Jashari e shumë të tjerë.
Për tri ditë rresht mbi shtëpitë dhe mbi anëtarët e këtyre familjeve u zbrazën të gjitha llojet e municionit të armëve të makinerisë së krimit serb. Nuk mbeti shtëpi, pullaz, mur, podrum pa u granatuar me predha tankesh, me minahedhës, me topa kalibrash të ndryshëm me praga e mitralozë të rëndë. Gjatë atyre tri ditëve të sulmit më barbar të okupatorit serb kundër familjeve Jashari, ranë heroikisht dhe u martirizuan 57 pjesëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari, duke përfshirë edhe disa miq, të cilët u ndodhën te të afërmit e tyre.
Ranë për të fituar përjetësinë 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të legjendarit Adem Jashari, 12 pjesëtarë të familjes së Sadik, Hamit e Qerim Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit dhe dhjetëra anëtarë të kësaj lagjeje të Prekazit. Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave, prej fëmijëve e vajzave të mitura deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata, që rezistuan me armët që kishin dhe që për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan. Andaj, Prekazi mban në vetvete realitetin dhe legjendën, historinë e luftës dhe të mbijetesës, historinë e dhembjes dhe të krenarisë, historinë më autentike të kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare, sepse UÇK-ja u lind me Adem Jasharin, u rrit dhe formësua me të dhe përballoi betejën vendimtare të historisë së vet me të gjithë Jasharët, të cilët qëndruan dhe luftuan trimërisht e heroikisht dhe ranë për të mos lejuar të vdiste Kosova.

Hyseni, i biri i Hysen Jasharit nga Prekazi i Ulët, ishte rritur jetim. Me mund e sakrifica arriti ta krijojë familjen dhe la trashëgimtarë tre bijtë: Sadikun, Hamitin dhe Qerimin. Edhe pse familje e varfër fshatare, ajo, brez pas brezi ishte edukuar me frymën e atdhetarisë.
Lufta e Dytë botërore, rezistenca heroike e Shaban Palluzhës, demonstratat e vitit 1981, qëndresa më 13 maj të atij viti dhe rënia heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, në Prekaz, kalitën nga brezi në brez idealin e lirisë, sidomos në këtë fshat të mirënjohur, ku kanë bënë emër epokat më të lavdishme të historisë sonë kombëtare.
Sadik Hysen Jashari lindi në Prekaz më 10 dhjetor të vitit1932. I rritur në kushte të rënda të pushtimit serb në Kosovë, ai nuk pati mundësi të shkollohet. Për ta ndihmuar dhe për ta ngritur familjen ai punonte në bujqësi, ashtu sikur kishin punuar edhe të parët, brez pas brezi. Vëllai i tij Hamiti, kishte shkuar për të gjetur punë në Gjermani, ndërsa Sadiku dhe Qerimi kryenin punë të ndryshme, në shtëpi.
Sadiku ishte martuar me Afije Ademin nga Likoshani, me të cilën pati pesë djem e pesë vajza. Me punë të pandërprerë, me mund e djersë arriti të krijojë kushte minimale ekzistenciale për familjen shumantarëshe.
Qysh i ri kishte kuptuar se shkaktar i vuajtjeve dhe mjerimeve të shqiptarëve ishte regjimi okupator jugosllav. Në bashkëbisedim me vëllezërit, kushërinjtë dhe miqt, Sadiku shpeshherë kishte shtruar nevojën e organizimit të rezistencës, sidomos në rastet kur kishin shpërthyer demonstratat apo edhe rezistenca e armatosur, sikur ajo e bashkëfshatarëve të tij, Tahir e Nebih Meha.
Sadiku, ashtu sikur edhe shumë burra të tjerë të Jasharëve, e dinte se Adem Jashari së bashku me vëllanë Hamzën dhe babanë Shabanin, ishin të organizuar dhe vepronin me qëllim të krijimit të bërthamës së parë të armatosur në Drenicë.
Më 31 dhjetor të vitit 1991, me rastin e rrethimit e më pas edhe sulmit të forcave serbe kundër familjes së Shaban Jasharit, oda e Sadik Jasharit ishte kthyer në depo armësh, por edhe në vend ku organizonin takime, Musa e Sahit Jashari, nipat e Sadikut, të cilët ishin të organizuar në bërthamën e komandantit, Adem Jashari.
Sadiku asokohe bënte roje dhe përcillte lëvizjet e forcave ushtarake e policore serbe, të cilat ishin stacionuar në Fabrikën e Municionit, e cila ndodhet përballë lagjes Jashari në Prekaz.
Pas tërheqjes me turp të forcave serbe, në dhjetor të vitit 1991, Sadik Jashari dhe të gjithë Jasharët e kishin kuptuar tashmë se lidhja me njëri-tjetrin dhe reagimi kolektiv kundër pushtuesit kishte dhënë rezultatet e para. Qysh nga ajo kohë, fillon edhe rritja e besimit për rezistencë të armatosur, ndërsa Ademi, Hamza, Musa, Sahiti e të tjerë, tashmë jetonin dhe vepronin në fshehtësi.
Forcat policore serbe nuk do të hynin më në Prekaz deri në fillim të vitit 1998.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, forcat ushtarake dhe policore serbe, rreth orës 6 të mëngjesit kishin filluar sulmin e furishëm mbi lagjen Jashari të Prekazit, duke goditur të gjitha shëpitë e lagjes me armë të rënda të artilerisë, me tanke e topa të kalibrave të mëdhenj dhe me të gjitha llojet e armëve, që kishin në dispozicion. Ata kishin rrethuar lagjen nga tri anët dhe nuk lejonin të depërtonte askush, qoftë edhe për të sjellë ushqime apo barna.
Paraprakisht, serbët kishin vendosur një njësit tankist nga ana lindore e lagjes dhe në një distancë prej 200 metrash kishin filluar goditjen e shtëpive ku ndodheshin nën rrethim të hekurt fëmjët, gratë e burrat e të gjitha shtëpive të lagjes Jashari. Epiqedër e sulmit dhe e goditjes ishte shëpia e Shaban Jasharit dhe ajo e Sadik, Hamdi, Qerim Jasharit e Halit Jasharit, të cilat ndodheshin krejt afër pozicioneve të forcave serbe. Pastaj ishin goditur të gjitha shtëpitë e lagjes. Në secilën nga këto shtëpi kishte nga 10 deri njëzet anëtarë familjesh, të ngujuar në rrethim dhe të bombarduar pandërprerë për tri ditë rresht.
Regjimi serb i Milosheviqit, kishte marrë vendim që të shfaroste tërë banorët shqiptarë të lagjes, duke menduar se me këtë akt barbar shqiptarëve do t’u jepte një mësim fatal në mënyrë që atyre të mos u binte më ndërmend të drejtonin armët kundër tij. Mirëpo, Jasharët në ato ditë të tmerrit por edhe të krenarisë kombëtare, qëndruan të patundur dhe luftuan me armët që kishin. Asnjëri prej tyre nuk e ngrit flamurin e bardhë, asnjëri prej tyre nuk iu përgjigj thirrjes së serbëve për dorëzim, asnjëri prej tyre nuk kërkoi të shpëtonte familjen e vet dhe të tjerët t’i linte në ferr, asnjëri prej tyre nuk mendonte të shpëtonte vetë e të linte të tjerët në zjarr.
Ata, tashmë ishin bërë luftëtarë të lirisë dhe sulmin brutal të forcave okupatore serbe po e përjetonin me stoicizëm dhe besim të patundur se gjaku i tyre i derdhur për liri po bëhej fli për Kosovën. Dhe, ashtu ndodhi. Kushtrimi që asokohe dha Prekazi ngriti në këmbë të gjithë shqiptarët liridashës, të cilët filluan të organizoheshin nën komandën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandanti i së cilës ishte Adem Jashari, i cili ra së bashku me familjen e tij të ngushtë e të gjerë, të tërë lagjes Jashari.
Në betejën heroike të Jasharëve të Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 ka rënë Sadik Jashari me bashkëshorten e tij, Afijen, bijtë Hamdiun dhe Ramizin, bijat Elfijen dhe Fatimen.
Nga kjo vëllazëri gjatë atyre ditëve të rezistencës heroike kanë rënë edhe Hamit Hysen Jashari, Qerim Hysen Jashari, Shahin Hysen Jashari, Ukshin Qerim Jashari, Salë Jashari, bashkëshortja luftëtare e Hamit Jasharit dhe Hajrije Jashari. Gjatë betejës kanë rënë edhe Isak Halili, nipi i familjes dhe miqtë e kësaj familjeje që u gjendën nën rrethim, Fatime Bazaj dhe Smajl Bazaj.
Sadik dhe Afije Jashari kanë lënë bijtë: Avdiun, Xhemajlin dhe Arsimin, si dhe bijat: Sanijen, Remzijen, Shehiden dhe shumë nipa e mbesa. Familja e Sadik Jasharit, e cila aktualisht jeton dhe punon në Austri ka përsëritur emrat e Sadikut, Afijes, Elfijes dhe Fatimes.
Familja e Sadik Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së QPK, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. Emrat e dëshmorëve të kësaj familjeje, janë skalitur mbi varrezat e tyre në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …