Faik Tahir Jashari (15.7.1964 - 7.3.1998)

Faik Tahir Jashari (15.7.1964 – 7.3.1998)

Prekazi tashmë ka hyrë në historinë kombëtare si një panteon, i cili do t’iu përkujtojë shqiptarëve, kudo qofshin ata, vendin në të cilin më 7 mars 1998 është zhvilluar një ndër dramat më tragjike, por njëkohësisht edhe më heroike të popullit shqiptar kundër një pushtuesi, i cili kishte mbajtur në robëri një pjesë të trungut arbëror gati një shekull të tërë .
Njëri ndër ata bij të shqipes, që iu gjet pranë në momentet më të vështira dhe që luftoi krah për krah me komandantin kryeemblematik Adem Jashari, ishte edhe Faik Tahir Jashari.
Faiku lindi më 15 korrik 1964 në fshatin kryengritës Prekaz nga nënë Sofia e babëTahiri,të cilët rritën edhe shtatë fëmijë të tjerë-djemtë: Xhavitin, Shaipin e Luanin dhe vajzat: Fazilen, Xhemilen, Miniren dhe Fatimen.
Faiku, pesë klasat e para të fillores i kreu në shkollën fillore “Azem Bejta” të Prekazit, shkollën e plotë tetëvjeçare në Skënderaj, ndërsa Gjimnazin po ashtu e mbaroi në Skënderaj, me sukses shembullor. Për shkak të kushteve ekonomike, nuk pati mundësi t’i vazhdojë studimet. Pas mbarimit të shkollës së mesme, kryen shërbimin ushtarak në Shibenik të Kroacisë. Gjatë shërbimit ushtarak është burgosur tri herë, për shkak të karakteristikave që i kanë shkuar atëbotë nga Skënderaj nga puthadorët e pushtetit serb.
Siç dihet botërisht, babagjyshi i Faikut, Bajram Ajet Jashari, dhe vëllai i Bajramit, Osmani, ishin pjesëmarrës në luftën e Shaban Polluzhës. I pari i kësaj familjeje, Brahim Shalla, ka qenë njëri nga udhëheqësit në Luftën e Sarajit, më 14 janar 1891.
Pra, ishte ndër të parët që ia ktheu pushkën armikut. Po ashtu, nëna e Faikut, Sofia, ishte mbesë e Shaqir Smakës, udhëheqës i Lëvizjes Kaçake së bashku me Azem Bejtën, kur pas rënies së Shaqir Smakës, Azemi vihet në krye të Lëvizjes Kaçake. Sofia ishte e bija e Ymer Fazlisë, vullnetar i luftës së Kolashinit dhe Novi-Pazarit, komandant i Batalionit të Drenicës, më 1941-1947. Kjo familje ishte marrë e tëra në burg nga pushtei i atëhershëm serb, me qëllim që të dorëzohej Ymer Fazlia. Në qelitë e burgut lind nipi i Imerit, Ismet Ahmeti nga Radisheva.
Sipas të gjitha këtyre karakteristikave që i shkojnë nga Skënderaj, siç është cekur më lart, Faiku burgoset tri herë gjatë shërbimit ushtarak, nga 7-10 ditë, me pretekst se shoqërohej si tepër shumë me ushtarë shqiptarë dhe se po përgatiste diçka të madhe! Me rastin e vdekjes së babagjyshit të tij, sipas dëshmive të vëllait të Faikut, Xhavit Jasharit, i dërguan telegram , por organet ushtarake jugosllave nuk e lejuan të merrte pjesë në varrim.
Me rastin e protestave gjithëpopullore të shqiptarëve në vitet ‘ 89-‘9o, Faiku, së bashku me Tahirin, Ademin, Hamzën, Halilin, Xhavitin, Habibin e shumë pjesëtarë të tjerë të Lagjes së Jasharëve, çdoherë ishte në ballë të protestuesve, kur edhe iu bie në sy forcave policore të pushtetit serb. Në qershor të vitit 1990, Faiku arrestohet në Skënderaj dhe dërgohet në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë. Pas marrjes në pyetje nga një gjykatës shqiptar, pas një pauze që bën trupi gjykues, Faiku shfrytëzon rastin- ik nga korridoret e Gjykatës dhe kthehet këmbë në Prekaz. Prej këtij momenti Faiku fillon një jetë pothuajse ilegale. Në këtë vit (1990) flitej se do të rrethohej Lagjja e Jasharëve dhe që nga ajo kohë fillojnë takimet e burrave të kësaj lagjeje, kur mbaheshin mbledhjet e rregullta në Kullën e Shaban Jasharit, të Bilall Jasharit, Halit Jasharit e të Sherif Jasharit. Në këto mbledhje bisedohej që në rast sulmi të policisë, si të mbrohen. Ditën protestohej, ndërsa natën caktoheshin rojat, të cilat vëzhgonin terrenin. Rojat caktoheshin nga mësuesi Qazim Jashari, tani dëshmor i kombit. Pra, që nga kjo kohë në Prekaz fillon përgatitja e rezistencës aktive. Kur dëgjojnë për këtë krerët e atëhershëm të LDK-së, kërkojnë takim me burrat e kësaj lagjeje dhe të lagjeve të tjera të Prekazit. Takimet janë realizuar tri herë radhazi me përfaqësues të komunës së Skënderajt, Idriz Rreci, Muharrem Dërguti etj. Këta kërkonin nga ne, sipas rrëfimeve të Xhavit Jasharit, që të heqim dorë nga rezistenca e organizuar. Kur e panë se ne ishim këmbëngulës se një gjë e tillë nuk mund të arrihej, Muharrem Dërguti propozoi që në rast të ndonjë sulmi, është mirë që meshkujt e shtëpisë të Lagjes së Jasharëve, me ato armë që kishin, të largoheshin larg shtëpive, d.m.th. në fushat dhe malet përreth. Në rast se forcat e atëhershme policore futen në ndonjë shtëpi dhe fillojnë keqtrajtimet, atëherë ne të reagojmë dhe të dalim në mbrojtje të asaj familjeje, e për një gjë të tillë edhe ai ishte i vendosur të jetë pjesëmarrës i asaj rezistence. E kësaj , Muharremi i qëndroi besnik deri në fund. Një sugjerim i tillë i anëtarëve të LDK-së u pranua edhe nga burrat e Lagjes së Jasharëve”.
Pas të gjitha organizimeve që i kishin bërë burrat e këtij fshati, vjen 30 dhjetori i vitit 1991, kur forcat policore serbe, në orët e hershme të mëngjesit, sulmojnë Lagjen e Jasharëve, në veçanti Kullën e Adem Jasharit. Pas arritjes së forcave policore serbe, burrat e Lagjes së Jasharëve, të cilët ishin të zgjuar dhe pritnin ndërhyrjen e forcave në familjen e Komandantit, vepronin sipas asaj marrëveshjes së mëhershme. Sipas Xhavit Jasharit, i cili ishte koordinator i disa familjeve, me të dëgjuar megafonin e policisë serbe, nëpërmjet të cilit i bëhej thirrje Adem Jasharit që t’i dorëzojë armët, ai i kishte njoftuar këto familje, përmes korridorit të lirë që ekzistonte. Së pari e kishte njoftuar familjen e Beqir Jasharit, ku i gjen gjetur me armë në duar, Beqirin e Halilin, njofton edhe familjen e Qazimit, të Sherifit dhe të Nazmiut. Pas kthimit të tij në oborrin e shtëpisë së vet, në hyrje të shtëpisë, ku e pritnin babai Tahiri dhe vëllai Faiku, sulmohen me armë zjarri që të tre, nga forcat serbe. Mbi ta është shtënë nga mjeti i blinduar, ku nga të shtënat e fuqishme janë ngritur në ajër copa betoni. Atëherë këta të tretë zënë pozicionet. Vëllanë, Faikun, gjatë lëvizjes së tij për të zënë pozicion në korridorin e odës, e ka përcjellë rafalli i mitralozit, ku edhe sot ekzistojnë gjurmët e plumbave. “Me futjen tonë në odë dhe në shtëpi, kemi vërejtur se Ademi me një grup shokësh gjendeshin të pozicionuar në një pjesë kodrinore afër malit, që gjendet afër shtëpive të Naser Jasharit e të Shaban Jasharit. Atëherë forcat serbe, kur shohin një rezistencë dhe organizim të tillë, kërkojnë forca të reja. Grupi që ishte jashtë rrethimit çdoherë gjuante në drejtim të tyre, por edhe forcat e armikut gjuanin në drejtim të atij grupi dhe në drejtim të shtëpisë sonë, kur aktivizojnë edhe helikopterë. Pas arritjes së forcave të mëdha serbe, mjete të blinduara, së pari futen me forcë në shtëpinë e Shaban Jasharit dhe në shtëpitë e tjera të lagjes, ku me forcë nxjerrin burrat e shtëpisë dhe i rreshtojnë te shitorja e Xhafer Jasharit me ç’ rast i lidhin me pranga vëllezërit, Xhaferin e Xheladinin, i vendosin para mjetit të blinduar si mbrojtje dhe ia mësyjnë drejt shtëpisë së Tahirit. Vëllezërit Faiku dhe Xhaviti, së bashku me babanë e tyre, Tahirin, kur vërejnë autoblindën dhe përpara saj kusherinjtë, Xhaferin e Xheladinin të lidhur, vendosin që ato pak armë që i kishin t’i fshehin, e një gjë të tillë e bënë motrat Xhemile e Minire. Ndërkohë, policia serbe ua bëri me dije njerëzve që mbaheshin peng, se nëse sulmohen nga kushdoqoftë, ata do të pushkatohen që të gjithë. Një gjë të tillë edhe sot e dëshmon Xhafer Jashari, i cili ishte i prangosur dhe ecte në drejtim të shtëpisë së Tahir Jasharit. Kur kanë arritur forcat serbe dhe pas daljes sonë në oborr, kemi vërejtur se ishim të rrethuar nga të gjitha anët me forca të mëdha. Janë futur forcat serbe në shtëpinë tonë, gjithnjë sipas dëshmive të Xhavit Jasharit, na kanë marrë mua, vëllanë dhe prindin dhe na kanë dërguar te shitorja ku ndodheshin edhe të tjerët të rreshtuar. Në mbrëmje të gjithëve na kanë dërguar në stacionin e policisë në Mitrovicë, ku shumicën prej tyre i kanë maltretuar fizikisht. Pas ekspertizave që i kanë bërë, jemi liruar në orët e vona, me kusht që sa herë të ftohemi, të lajmërohemi në polici. Pas këtij rasti, Faiku betohet se i gjallë kurrë më nuk do të bjerë në dorë të policisë. Faiku, edhe pse ftohet disa herë në polici, ai asnjëherë s’iu ka përgjigjur ftesave.
Në shtator të vitit 1993, një kompanjollë e policisë serbe vjen në Prekaz për ta arrestuar Faikun. Kjo patrullë e policisë takon në rrugë Lulëzim Jasharin, djalin e komandantit Adem Jashari, të cilin e pyesin se ku gjendet shtëpia e Faik Jasharit, por ai nuk iu tregon, duke thënë se nuk e di se ku e ka shtëpinë. Pas Lulëzimit, e pyesin edhe mësuesin Haxhi Lutani, por as ai nuk u tregon. Mësuesi iu tregon për këtë disa fëmijëve që ruanin bagëtinë. Atëherë motra e Faikut, Fatimja, që ishte duke ruajtur bagëtinë , vjen me vrap dhe tregon në shtëpi. Pas pak kohe , patrulla e policisë vjen te shtëpia e Faikut. Babai Tahiri, kur i sheh duke ardhur, i sugjeron Faikut që të largohej nga shtëpia dhe ai një gjë të tillë e bën. Tahiri del dhe iu thotë se Faiku nuk gjendej në shtëpi. Ata largohen, por i thonë se nëse nuk lajmërohet në polici, herën tjetër do të vijnë dhe do ta marrin me forcë. Pas tri ditësh, vijnë prapë tre policë dhe e kërkojnë Faikun. Babai Tahiri dhe Faiku vendosin të dalin dhe të bisedojnë me ta, por me kusht që, nëse tentojnë t’i arrestojnë, të bëjnë rezistencë. Me këtë rast Faiku iu thotë policëve (dy serbë e një shqiptar) se mund të shkoni, se unë i gjallë nuk vij në polici. Policët janë futur në veturë dhe janë kthyer mbrapsht. Pas largimit, Ademi i kishte thënë babait të Faikut, Tahirit, se i kishin vëzhguar gjatë tërë kohës, madje Ademi i kishte thënë Hamzës: “Ah, sikur ta dinin Tahiri e Faiku se jemi duke i vëzhguar e të shtriheshin përtoke, që ne t’i korrnim këta policë nga ky pozicion”. Pas këtij rasti, Faiku shumë rrallë dilte në Skënderaj, por edhe kur dilte, dilte i përgatitur. Faiku ishte përherë në kontakt me Ademin dhe për çdo veprim që merrte , ai konsultohej edhe me Tahir Jasharin. Më 22 janar 1998, kur sulmohet familja e kryekomandantit Adem Jashari, njëri ndër të parët aty ishte edhe Faiku. Pas tij kanë shkuar edhe babai Tahiri dhe vëllai Luani. Pas këtij rasti, bëhet organizimi i Lagjes së Jasharëve, ku caktohen pozicionet, rojat etj., për rezistencë aktive në rast sulmi.
Më 27 shkurt 1998, forcat serbe kanë hapur zjarr në drejtim të lagjes dhe kanë ndriçuar me raketë, në orën 20.56 minuta. Në atë kohë, në pikën Te Kurrizi, kanë qenë Tahir Jashari dhe Sherif Jashari. Me të dëgjuar krismat dhe duke vërejtur ndriçimin, u kanë shkuar në ndihmë Halili, Nazmiu, Qazimi dhe disa burra të lagjes Dushkolli. Më vonë, në këtë pozicion ka arritur Hamza e pas tij edhe Ademi, Faiku dhe një mik i Ademit. Këta tre të fundit e kanë kontrolluar pjesën e malit afër Fabrikës së Municionit, ku më vonë, Ademi e Faiku janë futur në pyllin afër Fabrikës, Te Rezervuari, janë pozicionuar dhe aty kanë qëndruar deri në orën 22.30 minuta. Luftëtarët e kësaj pike dhe të pikave të tjera të Lagjes së Jasharëve qysh atë natë kanë qenë në gjendje të rezistojnë, nëse sulmohen, evokon veterani i UÇK-së, Xhavit Jashari.
Më 5 mars 1998, kur sulmohet familja e komandantit Adem Jashari dhe e tërë Lagjja e Jasharëve, Faiku atë natë deri në orën 3 të mëngjesit ishte në pozicionin e caktuar. Pas ndërrimit , në orën 3, Faiku kthehet në shtëpi, por me të dëgjuar zhurmën e forcave serbe, nënë Sofia e zgjon nga gjumi dhe ai vrapon dhe i pari shkon në shtëpinë e Adem Jasharit. Pas gjysmë ore fillon rezistenca titanike në shtëpinë e Komandantit dhe në tërë Lagjen e Jasharëve. Faiku lufton dhe bie heroikisht më 7 mars 1998, së bashku me kryekomandantin Adem Jashari. Plumbat ia kishin përshkuar tërë ballin. Dy ditë rresht, Faiku sëbashku me Ademin, Hamzën, Shabanin e pjesëtarë të tjerë të familjes Jashari, bënë një luftë aq të rreptë saqë do të shënohet në analet e historisë si një ndër betejat më të përgjakshme dhe më të lavdishme që ka zhvilluar populli shqiptar pas lutërave të Skënderbeut. Faiku ishte krah për krah , deri në çastet e fundit, me kryekomandantin Adem Jashari dhe së bashku bien në pozicionin nr.1, mu në vendin ku sot është kompleksi përkujtimor “Adem Jashari”.
Gjatë këtyre luftimeve, nga familja e Faikut, përveç të rënëve, plagë të rënda kanë marrë edhe motrat Minirja, Fatimja dhe vëllai Luani, 16-vjeçar, i cili u radhit krah për krah me luftëtarët e tjerë të lirisë deri në përfundim të luftës. Vlen të theksohet se në luftën e fundit të UÇK-së kanë rënë edhe 6 dëshmorë nga dajallarët e Faikut. Familja e Faik Jasharit është familja e fundit që është larguar nga rrethimi i hekurt. Forcat serbe me eksploziv të fuqishëm e kanë hedhur në ajër shtëpinë e Faikut. Trupi i tij prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz. Faiku ka qenë i shkathët në përdorimin e armëve, i sinqertë, i sjellshëm dhe iu ka ndihmuar shumë të rinjve në përgatitjen për luftë.
Për dëshmorin Faik Jashari janë botuar shkrime në shtypin ditor, si dhe në librin e dëshmorëve të historianit Ibrahim Çitaku e Bedri Tahiri.
Nga trungu i kësaj familjeje të Brahim Shallës, në luftimet që u zhvilluan në Lagjen e Jasharëve, prej 5-7 mars 1998, bien heroikisht axhallarët e Faikut, Beqiri (1955-1998) e Halili (1960-1998) dhe pjesëtarët e tjerë: Qazim Jashari (1948-1998), Sherif Jashari (1951-1998) dhe Nazmi Jashari (1967-1998). (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …