Albert Zholi: “Flakë pasioni” i autores, Buqa Softa një libër tundues apo provokues?!

Albert Zholi: “Flakë pasioni” i autores, Buqa Softa një libër tundues apo provokues?!

“Flakë pasioni” një libër tundues apo provokues?! Çfarë tenton të përcjell autorja në këtë libër enigmatik?!  Le ta shfletojmë me kuriozitet librin e ri me poezi të poetes  Buqa Softa. Një libër ku flitet me gjuhën e zemrës, me fjalën e bukur, ku ajo kërkon jetën e thjeshtë, jetën mes dashurisë dhe respektit reciprok, me tematikë të shumëllojshme dhe subjekte emocionuese. Në këtë vëllim në vargje gjen jetën me të gjitha ngjyrat e saj, me bukurinë, zymtësinë, suksesin, dështimet, kërkesat, hendeqet, lakminë, korrektësinë. Vuajtjet dhe dëshpërimet, gëzimet dhe krenarinë. Në çdo poezi poetja rrugëton me ritmin e kohës, vëzhgon, shkruan, hamendëson, analizon, kërkon dhe pyet. Poezia e saj është e gjallë, si vetë jeta, elastike si vetë mendimet që gumëzhijnë në strofa. Ky vëllim i tretë duket sikur i ka dhënë poetes aftësinë e një vëzhgueseje sociale të problematikave të kohës së mbarë shoqërisë. Aty ku jeton, aty ku lëviz, aty ku viziton, ajo nuk rri statike, e ngurtë, por me sy vëzhgues përcjell dhe mbledh nektar vargjesh për të sjellë jetën në varg ashtu si mendon por që të bëjë lexuesin të jetë pjesë e librit që është jeta e tij apo asaj. Në këtë vëllim poetik autorja i këndon shumë dashurisë. Dashuria, asaj së cilës i kanë kënduar poetët më të mëdhenj botërorë, shkrimtarët Nobelistë, mjekë, oficerë, agronomë, filozofë, shkencëtarë, njerëz të thjeshtë, si barinj, peshkatarë, bujq, karrocierë, secili sipas mënyrës së vet, ku vargjet popullore shpesh herë janë bërë frymëzim i poetëve të mëdhenj. Sipas autores dashuria është gjithçka në jetë. Pa dashuri jeta është si një kafaz hermetik pa ajër dhe pa dritë. Në poezitë e saj dashuria merr përmasat e një uragani shpirtëror që barazohet me madhështinë e qiellit, me bukurinë e hënës apo Diellit. Dashuria është parajsë, është ferr, është yll ndriçues por është dhe errësirë dimri. Dashuria është mjaltë dhe helm, e hidhur dhe e ëmbël, e pastër dhe dinake, e dobët dhe e fuqishme, delikate por dhe e sertë, nazike por dhe krenare, ideale por dhe e pabesë, e sinqertë por dhe hileqare. Burim force por edhe pesimizmi. Dashuria është fusha e blertë, por dhe shkretëtira pa ujë, është frymëzimi, por dhe pengesa jetësore. Ku ka dashuri të fortë po kaq ka dhe kontradikta. Dashuria sipas autores të bën të kapërcesh dete, por dhe të shtang dhe të hedh në humnera dëshpërimi. Se ka kaq të kundërta, kaq lot, dhimbje dhe të veçanta, dashuria për poeten mbetet fjala më e bukur, më magjepse, më sugjesticionuese, më inicuese që të bën të hidhesh në flakë por dhe të qëndrosh para greminës në mëdyshje. Dashurisë poetja i ka kënduar me detaje, me imtësi, me figura letrare të këndshme, si krahasimi, personifikimi, antiteza, hiperbola, simboli, alegoria, ironia, paralelizmi figurativ, pyetja retorike, epiteti,  pasthirrma, etj…Në këtë vëllim ka shumë poezi për dashurinë me gjetje krejtësisht të ndryshme, pa përsëritje, me subjekte befasuese dhe provokuese, me situata që të mbajnë frymën dhe që nuk përngjasojnë. Këto poezi tregojnë se poetja  si nënë, si femër, si grua, di ta sjellë në formën dhe organizmin më të përsosur dashurinë me të gjitha ngjyrat, bukuritë, dobësitë, magjitë dhe tronditjet e saj. Ju që do e keni në dorë librin do bëni vetë përcaktimet e duhura, ndaj dhe unë nuk por marrë në recensë asnjë  nga poezitë e dashurisë, pasi më ngelën në memoria disa poezi me tema sociale që janë sporadike por plot temp, situata, dhe gjetje  aq të bukura dhe reale, që të detyrojnë të ndalesh. Poezia “bashkëmoshatarët” është një poezi ndryshe:

BASHKËMOSHATARËT

Mos kujtoni se ju kam harruar,

Çdo shtator ju kam kujtuar,

Ju kam në sy këtu përballë,

Tek mblidheshim të gjithë me mall.

E tregonim me radhë historitë,

Mes nesh s’kishin kufij çmenduritë,

Të gjitha i kam hedhur me mall në ditar,

Edhe mbrëmjet kur luanim me kitarë.

Dashuritë tona platonike të para,

Djemtë çapkën dhe vajzat e marra,

Sa të rinj, pa djallëzi e sa të bukur,

Adoleshentë, zemërhapur të gjithë të lumtur.

Në bankat e shkollës u njohëm  dhe u lidhëm,

Dhe në ato banka çdo vit u rritëm,

Kujtimet tona në ato banka i kemi mbyll,

Çdo kujtim i mbetur vezullon si një yll.

Sa vite qëndruam, aq yje aty i lamë,

Deri ditën e fundit kur vitet na ndanë,

U përshëndetëm dhe u pamë me lot në sy,

Përqafimi i ishte ylli i fundit,që mbeti aty.

Shkolla e mesme, mbetet në memorien e gjithsecilit si një përmendore e rrallë. Mosha kur tentohet të kalohet adoleshenca, dashuritë e para, njohjet e reja, bisedat me sheqet për të fshehtat e zemrës, dëshirat dhe ëndrrat rinore, ngacmimet e moshës…kujtime pafund. Është mosha kur çdo njeri  mundohet të formojë personalitetin e vet, individualitetin e vet, kur fillojnë dhe shfaqen shenjat e veçanta të talentit për çdo kënd. Kjo moshë ka shumë sinqeritet, shumë ëndrra dhe të pabazuara, dashuria të fshehta apo të gënjeshtrat pasi ende njeriu nuk e mendon se si do çajë në jetë dhe si gjendet Dashuria . Me një penë elegante, me një sinqeritet admirues, me një gjetje koherente, me një kërkim  selektues,  autorja i përcjell “romancat” apo “çmenduritë” e shkollës pa asnjë artificë, pa asnjë paramendim, pa asnjë paragjykim, pa asnjë droje. Thjesht me çiltërsinë dhe karakterin e nj femre korrekte, ajo nuk i fsheh, gabimet e kohës, as i zmadhon apo zvogëlon, por  i përcjell me ndjesinë e vërtetësisë së brishtë ku lexuesi të bëjë dallimin kohor të ngjarjeve duke i krahasuar me zhvillimet e sotme. Jo vetëm çapkënllëqet, jo vetëm brengat dhe kërkesat, por ajo ndalet dhe në momentin e ndarjes nga shkolla. Lot miqësie të sinqertë. Lotë  ndarjeje që nuk do njohin kufij. Pas këtij momenti ndahen rrugët e jetës. Dikush do të bëhet mjeke, dikush inxhiniere, dikush agronome, oficere, parukiere, mami, etj….Rrugët e jetës dhe rrugët e fatit do jenë të ndryshme. Secili me një synim ndryshe, por me një sëmbim në zemër pasi nuk do jenë më bashkë. Nuk do lozin, s;do bëjnë shaka, s;do qajnë hallet, s\do vallëzojnë bashkë, s;do mësojnë bashkë. Jeta po i ndan. Vallë do takohen më?! Dhe këto vargje autorja i shkruan pas 30-vjetësh. Plot tre dekada larg njeri-tjetrit. Tre dekada pa u parë. Dikush është martuar, sikush është bërë nënë, dikush edhe gjysh apo gjyshe, dikush është larguar nga qyteti, dikush ka emigruar, dikush ka bërë emër, dikush është ndarë nga jeta, dikush është divorcuar, dhe koha i ka larguar. Me mall-loti autorja pyet se  ku janë shokët dhe shoqet e shkollës? Është një moment reflektimi. Ndoshta ndonjë ngjarje ndoshta ndonjë foto e bën autoren të  kalojë çaste nostalgjie dhe të evokojë lotshëm të kaluarën e shkollës. Sa mall, sa dhimbje, sa dëshirë takimi, sa dëshirë rezultatesh, sheh në vargjet e saj. Autorja dëshiron ti takojë, të flasë, të kujtojë çastet më të bukura të jetës por….Jeta ju ka dhënë profesioni, rezultate, arritje dhe kthesa, vendbanime të ndryshme. Sa keq, që nuk takohen! Lotët e mallit si gërsheta lidhëse kërkojnë të pamundurën. Me një figuracion letrar të admirueshëm, me një strukturë lënde harmonike, me një vargëzim ndjenje lakonike, autorja në këtë poezi shpërfaq ndjesitë më të bukura të zemrës dhe elegancën e saj në thurjet e vargjeve nazike. Një poezi po kaq interesante është:

ANALIZË

Babëzi për çdo gjë,

Për para, e për pushtet,

Dhe në fund s’marrim asgjë,

Një thes kujtimesh nga kjo jetë.

Babëzia s’ka limit,

Oreksi shtohet duke ngrënë,

Mirë i bëjmë llogarit,

Për të marrë e për të dhënë.

Numërojmë se çfarë kemi,

Na pëlqen që të dukemi,

Por harrojmë se në fund njësoj jemi,

Në një gropë të gjithë do futemi.

Autorja si një qytetare e denjë, si një intelektuale vizionare nuk mund të rrijë indiferente ndaj problemeve të shumta që po kalon shoqëria në mbarë botën, sidomos kur të tilla probleme në vendin e saj janë më të theksuara. Në të katër anët e globit shikon disnivele të theksuara ekonomike të shtresave të shoqërisë. Dhe ndërsa një pjesë fare e vogël jetojnë mes luksit dhe “parajsës” një pjesë e madhe s’kanë bukë të hanë, s’kanë strehim, s’kanë veshmbathje, e kalojnë jetën në mjerim.  Këtë skenë jetësore poetja nuk e kalon pa dhimbje, ndaj nuk hesht. Shpirti rebel në emër të drejtësisë duket sikur klith. Një klithmë nëne për një jetë botërore më të ekuilibruar. Duke jetuar në një qytetërim  simbol të demokracisë siç është Amerika, poetja godet aspektet më të hidhura të shoqërisë, si korrupsionin, etja e shfrenuar për pushtet dhe para të pamerituara, ligësitë e një grupi të caktuar njerëzish, prapaskenat, makinacionet, dyfytyrësinë që përdorin vetëm dhe vetëm në emër të parasë. Për këtë kategori njerëzish Paraja është bërë gjithçka. Etja e tyre për përfitim nuk njeh rregulla loje, ligje, norma, por njeh vetëm  shpërfytyrim të ligjeve shoqërore duke shfrytëzuar postin në emër të parasë së pamerituar. Babëzia për këtë kategori nuk njeh kufij dhe caqe. Ata janë  të gatuar  që etja për fitim ti kthejë në përbindësha dhe pse përvetësojnë padrejtësisht me korrupsionin galopant atë çka taksapaguesit ja dhurojnë shtetit, për rrugë, shkolla, ujë, drita, spitale, ndihma sociale. Këto vese, kaq  makabre autorja nuk mund  ti pranojë, nuk mund të jetë indiferente. Janë këto vese, fenomene, që e bënë jetën të vështirë, plot rreziqe dhe pengesa, të frikshme dhe të pasigurt që e bëjnë autoren ti hedhë në letër me një penë sinqeriteti njerëzor, që shoqëria e tërë të mos i lejë në harresë, të mos i nënvleftësojë se do bëhen gangrena e sotme dhe pikëpyetja e ardhmërisë së nesërme njerëzore. Jetën na e ka falur zoti. Të gjithë një jetë kemi dhe të gjithë duhet ta jetojmë në harmoni, por korrupsioni, përfitimet e padrejta të politikanëve apo trafikantëve  e zymtësojnë dhe e diferencojnë skajshëm këtë jetë. Revolta e autores është shumë  e goditur, tepër kurajoze, imtësisht e detajuar, ku dalin në pah rrugët e këtyre fenomeneve që atë e bëjnë të tronditet dhe të mos gjejë qetësi. Nëse ky shqetësim do të ishte nga të gjithë në këto nivele si i autores, athere patjetër që dhe problemet në shoqëri do ishin më të pakta. Shpirti revoltës duhet të jetë tek e gjithë shoqëria ku secili sipas mundësive, aftësive, profesionit, duhet të japë ndihmesën e vet për shfarosjen e kësaj gjëme që plasarit rregullat e një jetese normale. Heshtja gjithmonë është mbështetësja indirekte më e fortë e këtyre fenomeneve. Në këtë vëllim poetik tematika është e larmishme, plot jetë dhe mesazhe. Po kështu mund të veçoja poezinë kushtuar të birit, poezinë për dëshirat e njeriut, shoqërinë, për personalitetin njerëzor, “KURRË MOS THUAJ SE JAM PLAK”, “NDËRGJEGJA”, “MBIEMRI”, etj, të cilat si artistikisht po ashtu dhe estetikisht tregojnë për pjekurinë poetike të autores, tregojnë për formimin e gjithanshëm letrar dhe për kujdesin figurativ që ajo tregon nga poezia në poezi. Me këtë vëllim poetja tregon se është në përpjekje të vazhdueshme  për tu afirmuar denjësisht si poete konkurruese, ku vlerat e saj krijuese i shikon në raport me kohën dhe ecurinë e poezisë shqipe dhe asaj botërore. Ky vëllim është një demonstrim vlerash poetike me gjeografi tematikash inkurajuese, ku livadhi i pjalmit organizues së vargut janë problemet e shoqërisë, ndjenjat e forta njerëzore, veset, dhe virtytet, të afërmit dhe miqtë, objektet dhe sendet, pjesë e përditshmërisë jetësore. Më këtë vëllim autorja idealizon virtytin e besnikërisë si shtysë progresi për jetë më të bukur, njëherazi premton dhe përcjell mesazhin se, koha është gjykatësja më e mirë e rezultateve dhe e cilësive individuale të njeriut. Ky vëllim poetik tregon forcën e arsyes dhe kërkesat që ka ndaj vetes autorja, për të qenë  një penë premtuese me stil karakteristik  që e dallon lehtazi në mes poetëve të tjerë që kanë zënë vendin e duhur në poezinë shqipe.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …