Pas një sëmundje të rëndë, sot në spitalin e Mitrovicës vdiq veprimtari, luftëtari i lirisë dhe profesori i Sociologjisë, Rexhep Ahmeti. Profesor, Rexhep Ahmeti ka qenë i burgosur politik, luftëtar dhe epror në radhët e UÇK-së, drejtor shkolle, profesor në shkollë të mesme e po ashtu ishte profesor për një kohë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”. Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot më 9 dhjetor 2019, në orën 15 në Varrezat e Dëshmorëve të lirisë, në Shipol të Mitrovicës. Ai ka qenë edhe studiues i thellë i filozofisë dhe ka botuar vepra e shkrime të shumta.
Rexhep Ahmeti ka lindur në Gurakuq të Mitrovicës në vitin 1957. Shkollimin dhe studimet i ka kryer me sukses shembullor. Ka punuar profesor i lëndëve filozofi-sociologji. Ka marrë pjesë në të gjitha lëvizjet kombëtare të para luftës, ndërsa në radhët e UÇK-së ishte ushtar dhe epror në Brigadën 141, Mehë Uka të Zonës Operative të Shalës.
Qysh nga viti 1994 ka filluar të botojë analiza, studime e komente ku ta trajtuar probleme të shumta shoqërore, sociologjike e filozofike. Përveç veprave të botuara: Rendi Juridik i Mirëfilltë dhe Mendime e aforizma ka lënë në dorëshkrim edhe veprat: Ushtari i UÇK-së, ditar lufte, Kombi në vete dhe për vete, E drejta e Rendit Juridik dhe Toti Thati, e vepra të tjera.
Respekt e nderim jetës dhe veprës së luftëtarit të lirisë, veprimtarit e atdhetarit, profesor, Rexhep Ahmetit !