leoni

Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Familja Jashari porositë, bashkohuni e hapni sytë!

Kosova dhe mbarë kombi kujtuan me manifestime 18-vjetorin e fillimit të luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të sakrificave të mijëra dëshmorëve të kombit, luftë e cila me ndihmën dhe me ndërhyrjen ushtarake të aleancës së NATO-s dhe miqve perëndimorë të shqiptarëve, çoi në çlirimin e trojeve dardane, duke dëbuar nga Kosova forcat terroriste të ushtrisë dhe policisë serbe. Ka shumë për tu festuar, pasi  për 8 vjet tani Kosova gëzon pavarësinë dhe është njohur mbi 100 shtete anë e mbanë botës.  Sido që ta merresh, kjo është një arritje historike dhe një fitore e lavdishme për kombin shqiptar.  Kjo luftë u ndërmor në një kohë kur popullit shqiptar të Kosovës po i rrezikohej vetë ekzistenca e tij në trojet e veta shekullore.  Lufta dhe diplomacia e Kosovës gjatë 30-viteve të fundit, lehtë mund të krahasohet me arritjet historike të kombit shqiptar, siç është Kuvendi i krerëve të të gjitha krahinave shqiptare nën udhëheqjen e  Gjergj Kastriotit Skënderbe në Lezhë të vitit 1444 dhe me Lidhjen e Prizrenit më 1878, ku përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, me në krye Abdyl Frashërin, u mblodhën aty në Prizren, në një çast historik për të shpëtuar tërësinë e tokave shqiptare.

Çlirimi dhe pavarësia e Kosovës është një periudhë që ashtu si edhe dy datat e mësipërme të luftërave historike, përgjithmonë do të pasurojë historinë e Shqiptarëve.

Për nga rëndësia historike, çlirimi i Kosovës nuk ishte aspak më pak i rëndësishëm se dy ngjarjet e lavdishme të lartë përmendura të historisë shqiptare, i rëndësishëm sepse, ndonëse pas luftërash të gjata shekullore për liri e pavarësi, lufta dhe çlirimi i Kosovës — 18-vjetori i së cilës po festohet këtë fund jave — më në fund çoi në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.  I tregoi botës se shqiptarët vetëm donin të udhëhiqnin veten, në liri dhe të pavarur në trojet e veta stërgjyshore, me qëllim për të qenë të bashkuar në një shtet të tyre. I treguan botës se trojet shqiptare nuk ishin pa zot. Ishte një luftë dhe një qëndresë shekullore kundër pushtuesve sllavë për lirinë, për përparimin dhe për bashkimin e kombit shqiptar.

Por, fatkeqësisht këto 25 vitet e fundit kanë treguar se nuk ka përparim as bashkim pa bashkimin e kokave të politikanëve.  Si rrjedhim, fatkeqësisht, ky përvjetor i kësaj epopeje po shënohet as në përparim as në bashkim e duhur, por në një atmosferë tepër të acaruar politike midis pozitës dhe opozitës dhe jo vetëm në nivele politike – një situatë kjo që sipas vrejtësve politikë të brendshëm dhe miqve të jashtëm, është më e vështira qysh prej çlirimit të vendit.  Një aktualitet politik ky – i cili me grindjet dhe dhunën politike që mbartë, madje edhe në nivelet më të larta të  shtetit siç është parlamenti – ka krijuar një atmosferë, e cila në qoftë se vazhdon kështu, po e çon Kosovën drejtë një humnere me pasoja të pa parashikueshme, për veten dhe për rajonin.  Atmosfera aktuale politike e krijuar në mbarë trojet shqiptare në fillim të shekullit 21, që duhej të ishte qindvjetori i ri i Shqiptarëve është  kthyer me të vërtetë në një tragjedi mbarë-kombëtare. Për këtë situatë, përgjegjësinë kryesore e kanë vet shqiptarët, e sidomos klasa politike dhe partitë që i udhëheqin ata në këtë moment.

I vetëdijshëm për gjendjen aktuale të grindjeve dhe mosmarrëveshjeve politike në Kosovë, përfaqësuesi i Familjes Jashari, Z. Rifat Jashari, familje e cila ka sakrifikuar më shumë se çdo kush tjetër për lirinë e Kosovës,  paralajmëroi në mesazhin e tij me këtë rast, politikanët shqiptarë dhe partitë që ata përfaqësojnë, që për të mirë të Kosovës dhe për hir të lirisë dhe pavarësisë së vendit së vendit për të cilën u derdhë aq shumë gjak, të gjithë të bashkëpunojnë me njëri tjetrin për një të ardhme më të mirë për Kosovën.  Ai u kujtoi të pranishmëve se në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, ishin mbledhur jo vetëm për të “për t’i kujtuar ata që sakrifikuan për ne dhe gjeneratat e reja” që vinë më pas, por theksoi se në nderim të dëshmorëve të rënë, të gjithë duhet të jenë vigjilentë dhe të bashkuar për arritje të reja.  Për këtë, shtoi ai,  “Ne duhet të jemi sy çelë, të punojmë dhe të veprojmë, të ruajmë gjakun e bijve dhe bijave tona. Ta çojmë amanetin ku ata dëshiruan. Nëse punojmë së bashku, çdo gjë do ta kalojmë më lehtë. Ushtarë të nderuar, mua po më kënaqet zemra, kur po u shoh juve këtu para nesh, se dikur në këtë vend këtu, është rreshtuar dhe ka komanduar ushtria serbo-sllave e Beogradit”, është shprehur Rifat Jashari.

Me këtë rast, temën e bashkimit ose të mungesës së unitetit të aktorëve kryesorë të politikës, e theksoi edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duke thënë se kjo, “Është dita që simbolizon bashkimin e qytetarëve të Kosovës rreth një synimi të përbashkët për ndërtimin e një vendi të përparuar dhe demokratik”. Është një ditë, theksoi ajo, në të cilën duhet të “Mendohet për të ardhmen e gjeneratave të reja duke lënë anash dallimet politike.”

Po, kush po mendon për të ardhmen e gjeneratave të reja, jo vetëm në këtë ditë në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Gjenerata e re po voton “me këmbë”, jo se po detyrohet të arratiset prej vendlindjes nga diktatura e një regjimi komunist ose nga politika terroriste shpërngulëse e diktatorit serb Millosheviç, por nga grindjet dhe shpesh nga dhuna politike që rezulton në mungesën e prspektivave për një jetë më të mirë, në liri dhe pavarsi për të gjithë.  Kjo gjendje e tmerrshme e largimit të shqiptarëve nga trojet e veta është pasqyruar nga një raport i fundit i Eurostat-it ku Kosova dhe Shqipëria, radhiten në vendin e katërt dhe të pestë respektivisht, të vendeve me numrin më të madh të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian – pas vendeve që janë për shumë vite tani janë kapluar nga një luftë shumë e egër, siç janë Siria, Afganistani dhe Iraku.   Në çfarë lufte gjenden sot Kosova dhe Shqipëria që po shkakton largimin e rreth 120-mijë shqiptarëve nga vendlindja, (nga Kosova 66,885 dhe nga Shqipëria 65,935 gjatë vitit 2015). Këto shifra janë vetëm për ata shqiptarë që kërkojnë azil në Evropë e jo për ata të shumtë që në mënyrë legale ose ilegale emigrojnë në Amerikë dhe në vende të tjera demokratike. Janë grindjet politike dhe politika në vend numro e diskursit politik të pa kurrfarë perspektive dhe pa bashkim qëllimi ose mendimesh, arsyet që po shkaktojnë këtë largim në masë të shqiptarëve nga Kosova dhe nga Shqipëria.  Në mos e vetmja arsye, atëherë është një nga arsyet kryesore të arratisjes nga vendi i tyre.

Me rastin e manifestimit për të kujtuar përvjetorin e luftës në Kosovë, temën e bashkimit, ose mungesës së tij, në radhët e aktorëve kryesorë të politikës e theksoi edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duke thënë se “Sot është dita që simbolizon bashkimin e qytetarëve të Kosovës rreth një synimi të përbashkët për ndërtimin e një vendi të përparuar dhe demokratik”. Është një ditë, theksoi ajo, në të cilën duhet të “Mendohet për të ardhmen e gjeneratave të reja duke lënë anash dallimet politike.”  Kush po mendon për të ardhmen e gjeneratës së sotme dhe të gjeneratave të ardhshme të shqiptarëve për të ndërtuar një jetë më të mirë në trojet e veta?

Kjo është pyetja që klasa politike shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, por edhe në trojet shqiptare anë e mbanë Ballkanit, duhet t’ia bëjë vetes, dhe të gjejë përgjigjen e nevojshme, — sidomos në data historike, siç është kujtimi i përvjetorit të Epopesë të luftës në Kosovë dhe të kujtimit të flijimit të Familjes Jashari dhe të dëshmorëve të tjerë të vendit. Në këtë periudhë historike, në fillim të shekullit 21, kombi shqiptar ka nevojë — jo për një revolucion, as për politikanë që janë më të interesuar të grumbullojnë pasuri për veten dhe të cilët mbrojnë interesat e veta politike e partiake mbi interesat e përbashkëta – por për një brez të ri politikanësh të cilët bashkëpunojnë me njëri tjetrin, për të mirën e përbashkët. Ka nevojë urgjente për një brez të politikanësh që mbi të gjitha vlerësojnë dhe mbrojnë lirinë, dinjitetin, mirëqenien dhe përkujdesjen materiale dhe pse jo edhe atë shpirtërore, të çdo shqiptari në trojet e veta. Politikanët e mirëfilltë dhe patriotë, nderojnë dhe përkujtojnë dëshmorët, sidomos në përvjetorë të tillë, duke pasur parasysh mirëqenien e mbarë kombit dhe jo “sa për sy e faqe”. Kombi shqiptar ka nevojë për një klasë politike, të vendosur dhe të bindur për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, sepse doni s’doni, fati i një shqiptari kudo në trojet e veta, është fati i të gjithë shqiptarëve në mbarë hapësirën shqiptare në Ballkan.  Politika shqiptare ka nevojë për një brez të ri politikanësh me një krenari të lartë kombëtare, të pajisur me nder, besë e burrri, veti këto që e kanë dalluar kombin gjatë gjithë historisë.

Rifat Jashari, si përfaqësues i një familje të flijuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, lëshoi kushtrimin e tij për bashkim ashtu si në kohën e Lidhjes së Prizrenit dhe të Besëlidhjes së Gjergj Kastriotit në Lezhë. Andaj, në qofte kjo klasë politike me të vërtetë dëshiron të nderojë luftën çlirimtare dhe sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që kanë dhënë jetën për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, lirinë që kjo klasë politike e gëzon sot, por nuk duket se e çmon. Nder më të madh nuk do të kishte për kujtimin e dëshmorëve në këtë ditë dhe gjithmonë, se në qoftë se klasa e sotme politike do të reflektonte seriozisht dhe t’i përgjigjej kushtrimit për bashkim të zëdhënësit të familjes Jashari,  Rifat Jasharit, i cili i paralajmëroi të gjithë se duhet  “Të jemi sy çel, ta ruajmë gjakun e bijve dhe bijave tona dhe ta çojmë deri në fund amanetin e të gjithë të rënëve për liri dhe pavarësi. Nëse punojmë së bashku, çdo gjë do të kalojmë më lehtë”, ka thënë ai.  Ishte kjo një thirrje me dhembje në zemër i zëdhënësit të Familjes Jashari për bashkëpunim në radhët e politikës, në traditën më të mirë historike të burrave shqiptarë, kur kombi gjendej përballë sfidave të mëdha – duke përcjellë porositë e të gjithë dëshmorëve, ashtu që amaneti i tyre të mos harrohet dhe që gjaku i tyre të mos tradhtohet nga grindjet dhe mosmarrëveshjet politike personale të këtij brezi politikanësh.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …