Libri për biznes, “Nga zero në njëqind” i autorit, Dritan Shpuza, u konsiderua shumë i nevojshëm për botën e biznesit. Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi duke folur për botimin e këtij libri dhe autorin tha se në mesin e shumë detajeve që gjenden në këtë libër është edhe dallimi mes biznesmenit dhe afaristit. “Do të flas shumë edhe për një dallim që mbrëmë e folëm mes biznesit dhe afaristit. Ka biznes të vetin dhe përveç kësaj merret me shërbime të ndryshme që janë investimet financiare, sipërmarrje të përbashkëta, konsulentë dhe ndërkombëtarizim të biznesit. Gjithashtu do të flas edhe për sjelljen si biznes, zanatin, zhvillimin si shitës, ku do të duhej të përqendrohemi në menaxhimin e kompanisë. Cila është strategjia që duhet të vendosim për të realizuar një mision? Si duhet të bëhet trajnimi dhe rekrutimi i njerëzve?”, tha Krasniqi.
Autori i librit, Dritan Shpuza teksa paraqiti në mënyrë kronologjike gjithë të arriturat e tij që tashmë i ka të vulosura në faqe të librit tha se puna e biznesit duhet të bëhet me pasion. Por krahas kësaj u shpreh se për suksesin duhet të ketë sjellje të mirë, zanatin e duhur dhe fokus zhvillimin e shitjes.
Teksa tha se 85 përqind e suksesit të një biznesi është sjellja, ndërsa vetëm 15 përqind është profesionalizmi.
“Po u zhvilluam ne, kemi me zhvillu vendin. Po për t’u zhvillu na çka duhet? Duhet me qenë ne të zhvilluar. Duhet me qenë ne sipërmarrës, jo afaristë, biznesmenë profesionistë. Nuk duhet me shku pas lekut për me pas. Duhet me kriju një strukturë që automatikisht kjo strukturë na jep fitime neve dhe kush punon për ne. Për me pas këtë karakteristikë janë të rëndësishme tre gjëra. Në përqindje 85 përqind e suksesit është sjellja. 15 përqind profesionalizmi”, u shpreh ai.