Mehmet Hajrizi

Mehmet Hajrizi: Çast me përmbledhjen poetike: “Vdes me Trëndafilin” të autores, Elife Luzha

E lexova me kënaqësi tufën e poezive tuaja që më dhurove. Aty pashë, prototipin e bijës shqiptare, si Marigonën që lind për të qëndisur flamur, që rritet pranë shtizës së tij dhe që i jep ngjyrë plisit e bozhurit të Kosovës. Aty pash Norën, Shotën, Margaritën, Ganimeten e Xhevën, duke ikur nga djepi, të burrëruara me epe kreshnikësh (në vend ninullash), për t’u bërë jo vetëm shpresa, por edhe jeta e të zezës nënë. Aty pashë Elifen që dëshiron të jetojë përjetshëm si bijë Shqipërie dhe të vdes te ylli polar i idealeve të mëdha.

Në librin “Vdes me trëndafilin” pashë poeteshën me shpirtin e dëlirë e të trazuar, tek i këndon Shqipërisë, që dimrin ia kishte ngrohur, tek i këndon me mallë në maje të penës, Kosovës së saj dhe fëmijëve që nuk ia kanë frikën dimrit se gurët bomba i bëjnë, të rënëve e të gjallëve, si copa të atdheut që gjakun e tyre përpinin vetëm këmbë armiku të mos e shkelë, tek i këndon vendlindjes ku motrat me shami rreth vetullës e me lotët e freskët në buzët qershi, që në pragun e derës presin, si në zi. Larg në dhe të huaj, ajo pret në ankth telefonatat e lajmet për dhembjet e lindjes të Kosovës nënë dhe prehet në poezi, që zjarrin për të në shuplakë ia sjell. Një ditë ajo vendos t’i kthehet vendlindjes, sepse e thërrasin me vite gurët, por edhe lumi që t’ia freskoj buzët shkrumb nga malli.

Ajo u këndon ndjenjave njerëzore, mallit e dashurisë, dhembjes e krenarisë, bukurisë fizike e shpirtërore, këngës e poezisë dhe s’do të pushoj së kënduari. Kënga e poetes nuk kuptohet pa përjetimin e dhembjes së shpirtit, pa përjetimin e ndjenjave të saj.

MIRËSIA

Është në ty njeri

Që akullin shkrin

Me fjalën e pathënë

Është kënga

E shpirtit të ri

Të zgjatë jetën

Si lulja me magji

Mirësia

Bimë e shpirtit

Të mirë

E bënë botën

Më të dëlirë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …