RKL: Mirë se vini në valët e Radios Kosova e Lirë e nderuar, Lavdie, vajzë e dëshmorit të kombit, Lec Leci Gradica. Na rrëfeni fillimisht diçka për familjen tuaj, e njohur për rezistencë kundër pushtuesve
Lavdie Leci: Fillimisht faleminderit për ftesën tuaj dhe respekt për Radion Kosova e Lirë.
Radio që na dha kurajo, guxim e motivim për luftën e lavdishme të UCK-së, në kohërat më të vështira. Kronologjia e familjes sime është mjaft e bujshme. Ne rrjedhim nga një familje e mirënjohur në historiografinë shqiptare për heroizmin dhe sakrificat sublime ndër shekuj, brez pas brezi. Babi im ishte stërnip i Lec Gradices nga edhe e trashëgoj denjësisht emrin. Babi im la pas bashkëshorten: Emine Leci -infermiere e përgjithshme në kohën e luftës si dhe Menaxhere e Emergjencave në kohën e paqes. Ish pjesëtare e UCK-së, pranë Zonës Operative të Drenicës, Brigada 114 ”Fehmi LLadrovci”, ish pjesëtare e TMK-së dhe FSK-së pranë Batalionit të 40 të Mjekësisë “Dr.Lec Leci-Gradica”
Besart Leci: Magjistër i Farmacisë
Lavdie Leci: Kirurge Orale, Doktoreshë e Stomatologjisë
Njomza Leci: Inxhiniere e Shkencave Kompjuterike studimet e masterit në përfundim në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës
Besnik Leci në prag të diplomimit pranë Fakultetit të Mjekësisë si Mjek i Përgjithshëm.
RKL: Si ndiheni nëpër përvjetorët e kujtimeve për babanë?
Lavdie Leci: Përvjetorët e babit gjithmonë janë manifestime krenarie e lavdie. Janë përvjetorët ato që na bashkojnë me koleget e babit, bashkëluftëtaret e atdhetaret, përfaqësuesit të Institucioneve të Republikës së Kosovës të cilët na sjellin kujtime e nderime për veprën e heroike të Tij. Normalisht unë si fëmijë kam momente mallëngjimi e dhimbje që mbulohen me petkun e krenarisë kur dëgjojmë e përkujtojmë veprën babit. Sepse për këto institucione e këtë liri që ka rrënjët thellë në tokën e larë me gjakun e gjithë bijve e bijave me të mira të kombit tonë, u flijuan më të shtrenjtit tanë. Ndihem krenare me luftëtarët të mbijetuar nga plagët e luftës që ishin të kuruara nga dora e babit. Po ashtu nga gjithë popullata e rehabilituar atë kohë e sidomos nga fëmijët- ata engjëj të lindur në krismat e luftës nën përkujdesjen e prindërve te mi.
RKL: Babai i Juaj Dr. Lec Gradica është ndër mjekët e parë të Drenicës, qysh në ilegalitet kishte kontakte me ushtarët e UÇK-së duke i ofruar ndihmë mjekësore atyre gjatë operacioneve ushtarake që ndërmerrnin ndaj forcave okupuese, kur u dëgjuan krismat e para në Drenicë në shkurt të vitit 1998 në betejën e Likoshanit dhe Qirezit iu erdh në ndihmë kësaj treve, rënia e tij ishte humbje e madhe për UÇK-në, por edhe për familjen e bashkëluftëtarët, si e kujtoni veprimtarinë e babit Tuaj?
Lavdie Leci: Ishte 28 shkurti gjakatar që unë si një fëmijë aso kohe 11 vjeç e mbaj mend mirë, sepse ishte një atmosferë e zymtë që vetëm autoblindat e makinat së bashku me mjetet e artilerisë së rëndë të policisë okupuese që dëgjoheshin.
Për një moment dëgjova krismat e dola shpejt në ballkon se e dija që babi atë moment sapo ishte nisur diku ku kishte nevojë më shumë për të. Ishte nisur për të sjellë ndihmë në ketë betejë e masakër gjakatare. Në atë moment pashë babin që ecte shumë shpejt me një çantë të madhe e të zezë në dore. Ndjeva një lehtësim dhe që pashë që ishte gjallë por me kaplojë një frikë e fillova të druhesha si do të mbërrinte babi aty ku kishte nevojë për të…. Veprimtaria e Tij ka qenë çdo herë tërësisht humane në përkushtim pacienteve dhe thellësisht patriotike në shërbim të atdheut.
Lufta e fundit është dëshmi për këtë e sidomos rënia e Tij Heroike duke i dalë në ndihmë të plagosurve deri në frymën e fundit. Babi në kohë lufte edhe pse ishte specialist i mjekësisë së përgjithshme, në luftë kryente shumë role: atë të përgjegjësit e udhëheqësit të punëve të spitalit ushtarak, të kirurgut, ortopedit e mbase etika e tij profesionale e detyronte të merrej me gra shtatzëna. Bashkë me mamin e ekipin e tij kryenin shumë shërbime, duke filluar nga zeroja duke improvizonin mjete, tavolina nga dyert e punonin në kushte shumë të vështira që vetëm një vullnet i madh për t’i dalë në ndihmë njerëzve arrin të tejkaloj këto kushte. Babi krijonte kontakte me organizata mjekësore dhe mjek e profesor të universitetit që vinin në ndihmë të kohëpaskohshme për intervenime kirurgjie dhe ndihmë sanitare. Veprat e tilla janë gjallë jetojnë thellë në secilin prej nesh e sidomos ne që kemi pasur rastin te përjetojmë e të jetojmë në atë kohë. Vdekja e Tij ishte humbje e madhe për të gjithë sepse kur vdes një mjek që shëron plagët e luftëtareve merr një dimension tjetër, sepse Ai është shpëtimtari në momentet më kritike.
Veprat e tilla nuk vdesin kurrë dhe janë udhërrëfyes e shembull për të gjithë ne se si duhet vepruar për atdhe. Unë nga vepra e babit kam mësuar si ta dua vendin tim dhe si ti ndihmoj njerëzve në nevojë. Ku ka ndjenje më mirë se të shohësh luftëtarët të shpëtuar, fëmijë të lindur e popullatën e shëruar që kanë kaluar nën përkujdesjen e duarve të babit tim që tani jetojnë të lirë. Kjo falë lirisë që na sollën vet Ata heronjtë e vërtetë.
RKL: A mbani kontakte me kolegët e bashkëluftëtarët e Tij?
Lavdie Leci: Takimet me shokët e babit e sidomos bisedat mundohem ti mbaj me fanatizëm e kur ata që flasin për kohën e studimeve, kohërat e vështira të para luftës, luftës e peripecitë tjera. Sepse fatkeqësisht babi kishte qenë i ndjekur qysh në kohët e hershme, pasi ishte trungu e trashëgimtari i një familje revulocionale, luftëtare kundër okupuesve serb. Nga bisedat mundohem të kuptoj karakterin, bujarin e fisnikërinë e tij. Paraqitjen e tij çdo herë të buzëqeshur e të afërm që jo me kot e quanin mjeku më popullor i Drenicës sepse ai më fjalë shëronte. E kuptoj modestinë e sidomos trimërinë e tij në kohen e luftës, pasi vetëm njerëzit e mëdhenj e Heronjtë janë të tillë e dinë si fitohet liria. Janë ata që ngrihem në piedestalin me të lartë të Lirisë. Me një përgatitje të lartë profesionale me shumë modesti e gatishmëri në çdo moment për t’ i dalë në ndihmë nevojtareve. Këtë e dëshmon dhe vepra e Tij duke i qëndruar besnik Betimit te Hipokratit në ndihmë pranë të plagosurve deri kur rënia e Tij heroike i ndanë. Ai ishte me një humanizëm të paparë e një atdhetarizëm të shquar.
RKL: A ju kujtohen mjekët që iu kanë bashkuar babit Tuaj në UÇK?
Lavdie Leci: Në atë kohë unë si fëmijë e kujtoj fillimin kur prindërit ishin të vendosur në odën e gjyshit në Gradicë dhe kishin pacientë të panumërt. Mbaj mend prindërit duke folur: na duhen mjete na duhen barna e vend ku t’i sistemojnë gjithë këta të plagosur. Aso kohe sa ishin në odë kujtoj Dr. Naim Bardiqin, Dr. Fadil Beken. Dr. Fatmir Parashticën dhe vizitat e kohëpaskohshme të doktorëve pranë Organizatave si: Kryqi i Kuq- Dr. Shpetim Robaj. Mirëpo, pasi lufta sa vinte e merrte hov të madh, prindërit e mi ishin zhvendosur në shkollën e fshatit për të themeluar e funksionalizuar Spitalin Ushtarak me ndihmë të familjes, bashkëfshatarëve e bashkëluftëtareve për të mos i parë unë me ditë e javë të tëra. Aso kohe në vendin tonë kishim strehuar shumë familje dhe shtëpia e gjyshit ishte përplot, (nuk mungonin as pacientë në mungesë e hapësire në spital gjendeshin në dhomat e shtëpisë sonë). Pra shtëpia ishte përplot por unë si fëmijë 11 vjeç,, motra 9 vjeç e vëllai i vogël 4 vjeç ndjenim shumë mungesën e prindërve. Sepse ishim mësuar që atë ishin pranë të përkushtuar, të kujdesshëm e të dashur gjithmonë për ne.
RKL: Na tregoni për familjen, shkollimin, studimet Tuaja, rrethin ku jetoni?
Lavdie Leci: Mami, Emine Leci heroina jonë e gjallë, veterane e luftës që qëndroj përkrah babit çdo moment është pensioniere e FSK-së , vëllai i vogël Besniku tanimë në prag të diplomimit duke ndjekur poashtu rrugët e babit në Mjekësi të Përgjithshme, jetojmë në Prishtinë. Vëllai i madh Besarti si Farmacist punon dhe vepron në një kompani farmaceutike. Njomza motra punon dhe studion në Tucson në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë punoj në një ordinancë private si Kirurge Orale dhe ligjëroj si asistente pranë Universitetit privat Rezonanca në Prishtinë.
RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?
Lavdie Leci: Nuk mund të them përkrahje konkrete, por përkrahjet kanë qenë gjithmonë morale me vizita në datat më historike të Kombit. Respekti dhe nderimi i veprës se Babit ju bë duke u dekoruar me titujt me të lartë si urdhri: Hero i Kosovës, Dekorata të Pavarësisë si dhe shumë e shumë nderime, dekorata e mirënjohje në shenjë falënderimi të sakrificës dhe humanizmit.
RKL: Dëshmorët Jetën, luftën e rënien e bënë bashkë, por fatkeqësisht tani për interesa personale edhe po i ndajnë, a mendoni se, Ju familjet e dëshmorëve duhet të reagoni për raste të tilla?
Lavdie Leci: Familjet e dëshmoreve janë të shenjta, ato nuk duhet të jenë partiak por kjo s’do të thotë që ata s’duhet të jenë politikë. Jemi na ata të cilët duhet dhe kemi me së shumti të drejtë të flasim e të ngremë zërin për këto dukuri negative. Jemi na ata prej të cilëve duhet të kanë respekt e të na ndjejnë borxhe që amanetin e dëshmoreve ta qojnë ne vend në mënyrë sa me të dinjitetshme. Jemi na ata që meritojmë respekt, nderim që të jetojmë si qytetar të denjë në një vend të integruar, një vend ku luftohet korrupsioni e ku të drejtat e njeriut nuk shkelen siç kanë ëndërruar ata vet për një Liri kuptimplote. Jemi ne ata që s’duhet të lejojmë më të na përfaqësojnë njerëzit që nuk janë atdhetar, kombëtar e që interesat personale i vënë para Kombit.
RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?
Lavdie Leci: Kosova ka pasur një rrugëtim të gjate plotë 20 vite por me një progresivitet , mirëpo gjatë këtij rrugëtimi ndodhën shumë padrejtësi e shkelje, mosnjohje, mos respekt që quan në mos realizimin e ëndrrës se dëshmoreve në vendin e duhur. Rrugëtim ky që nuk është varur çdo herë edhe nga vet vendoret, por e rëndësishme është qe mos të ndalemi dhe të vazhdojmë ta përcjellim amanetin e tyre në vendin e merituar. Sepse ai njeri që harron të kaluarën rrezikon që t’i përsëritet historia. Koha do ta tregojë të vërtetën edhe historia do t’ i mallkojë, nëse ne nuk mundem, ata që nuk kontribuuan denjësisht për kombin.
RKL: A ruani diçka të veçantë nga babai, ndonjë relikt, letër apo shkrim të Tij?
Lavdie Leci: Nga babi ruaj shumë kujtime ngrohta, të dashura, të lumtura dhe thellë dëshirën e lexuar në mendjen e tij: që të përcjellë rrugën e Tij prej një humanizmi e atdhedashurie. Përgjegjësi shumë e madhe kjo që na takon neve si trashëgimtar të përcjellim sa me denjësisht rrugën e tyre me forcën më të madhe e të dëshmojmë se jo rastësisht ndodhin gjerat në histori. Duhet guxim, kurajo, trimëri, humanizëm e profesionalizëm të lartë që në momente të caktuara e me kritike kurdo që kërkohet nevoja të jemi në shërbim të atdheut dhe popullit. Sakrificat sublime bëjnë vetëm ata që e dinë se si fitohet Liria! Lavdi gjithë Dëshmoreve të Kombit e gjithë te rënëve për Liri!
13 dhjetor 2019