OAK: Afaristët e Gjilanit bëjnë thirrje për forcim dhe unifikim të komunitetit te biznesit

OAK: Afaristët e Gjilanit bëjnë thirrje për forcim dhe unifikim të komunitetit te biznesit

Oda e Afarizmit të Kosovës ka vazhduar aktivitetin e saj “Kafja e mëngjesit”, në qytetin e Gjilanit. Afaristë nga ky qytet janë mbledhur të enjten në ambientet e restorantit “Vali Ranch”, ku janë pajtuar se duhet të jenë më të zëshëm në kërkesat e tyre në mënyrë që ato të mos mbeten vetëm në letër. Bizneset shprehën shqetësim se ekziston një tendencë që bizneset të keqtrajtohen, pronarët e bizneseve janë gjithmonë të paragjykuar dhe ekziston prirja që bizneset të dëmtohen nga shteti. Gjithashtu ata janë dakorduar që duhet motivuar punëtorët e sektorit privat në mënyrë që ata të qëndrojnë në Kosovë.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi hapi fjalimin duke shpalosur aktivitetet e Odës dhe kërkesat që i ka bërë kjo e fundit drejtuar qeverisë në ardhje, përfshirë këtu kërkesat për ndryshimin e disa prej udhëzimeve administrative që dëmtojnë bizneset, të miratuara nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ai ka thënë se disa nga ligjet që duhet ndryshuar për të cilat Oda ka ardhur në përfundim se janë të dëmshme për bizneset në Kosovë janë: Ligji për Miniera dhe Minerale, Ligji i Punës, Ligji për Pushimin e Lehonisë, Ligji mbi TVSH, Ligji për Falimentim…. Gjithashtu, ai ka rekomanduar që të krijohet Ligji për tregti të brendshme, të funksionalizohet Ligji për Investime Strategjike me ç’rast do të krijoheshin oferta për bizneset, të lobohet që Kosova të jetë anëtare e “International Transport Routes” – TIR, të hiqet taksa e dyfishtë për bizneset e peshkut, të largohet kamata prej 5% e bankave komerciale për para të imëta, Kosova të largohet në nga CEFTA si “UNMIK- Kosovo” dhe të prezantohet si “Republika e Kosovës”, të kthehet Gjykata Ekonomike në Kosovë, të bëhet lirimi i lëndës së parë për bizneset prodhuese, Kosova të bëhet pjesë e “ATA CARNET”,  të kompletohen parqet industriale me infrastrukturë të duhur për të zhvilluar biznes, të krijohet Ligji për Lobim dhe të largohet taksa ekologjike për rimorkio.

Përfaqësuesi i “Orangenet” në Gjilan, Vedat Morina, u shpreh i pa kënaqur me trajtimin që po u bëjnë bankat bizneseve në Kosovë dhe tha se duhet të rritet numri i bankomatëve në Komunën e Gjilanit, sepse sipas tij bankomatët ekzistues janë të paktë në qytet.

Ndërkaq, Njazi Jonuzi, auditor ligjor në Komunën e Gjilanit kërkoi që të ketë më shumë fushata senzibilizuese lidhur me miratimin e ligjeve në Kosovë. Ai përmendi Ligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, për të cilin tha se pronarët e bizneseve duhet ta shqyrtojnë mirë dhe ta aplikojnë në përpikmëri.

E Bashkim Zejnullahu nga “Thesari”, shprehu pesimizmin e tij duke marrë parasysh ngërçin politik që e ka kapluar Kosovën. Ai tha se komuniteti biznesor në Kosovë duhet të mobilizohet dhe të dalë të protestojë në mënyrë që kërkesat e tyre të merren parasysh.

Metush Zymberi nga “Menakon” përmendi ikjen e punëtorëve nga Kosova dhe premtimet për krijimin e parqeve të biznesit në Kosovë, të cilat sipas tij kurrë nuk u realizuan. Ai po ashtu propozoi që dita e shtunë të bëhet pushim në sektorin privat në Kosovë, në mënyrë që punëtorët të motivohen për punë dhe të qëndrojnë në Kosovë, sepse ndryshe sipas tij do të ketë krizë për gjetje të punëtorëve në vend.

Hevzi Xhelili nga EuroCable tha se duhet përpjekur që të krijohen kushte më të mira për punëtorët në Kosovë sepse ndryshe ata do të ikin të gjithë. Gjithashtu ai tha se Gjykata Ekonomike duhet urgjentisht të kthehet dhe të jetë funksionale në mënyrë që çështjet biznesore të mos neglizhohen nëpër gjykatat ekzistuese, ashtu siç po ndodhë tani.

Ndërsa, Ali Avdyli nga “Alfa Qeramika”, tha se në Kosovë ekziston një tendencë që bizneset të keqtrajtohen, sepse sipas tij pronarët e bizneseve janë gjithmonë të paragjykuar dhe ekziston prirja që bizneset të dëmtohen nga shteti.

E sekretari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Diamant Elshani bëri thirrje që bizneset të bashkohen në kërkesat e tyre sepse kur ato janë të bashkuara, rezultati del më i mirë. Ai potencoi se Oda e Afarizmit të Kosovës është totalisht e financuar nga bizneset dhe nuk ka kurrfarë financa nga shteti, duke e bërë atë plotësisht të pavarur.

Në fund, Idriz Zejnullahu nga biznesi anëtar, gurthyesi “Guri”, u shpreh i kënaqur me punën e Odës së Afarizmit të Kosovës. Tutje, ai vazhdoi duke thënë që bizneset duhet të luftojnë ligjet që janë në dëm të tyre dhe çështjeve t’u shkohet deri në fund, e në rast se ato nuk merren parasysh, të organizohen protesta nga bizneset.

Ndryshe, Oda e Afarizmit të Kosovës në këtë takim u përfaqësua nga Kryetari i Bordit Skënder Krasniqi, Sekretari Diamant Elshani, Koordinatorja Qëndresa Ibrahimi, Zyrtarja Mirjeta Shala dhe Zyrtari Astrit Halili.

Ndërsa, bizneset që morrën pjesë në takim ishin:Altin Berisha nga Tingon, Idriz Zejnullahu nga Guri shpk, Rexhep Veseli nga Agi-Dani shpk, Ahmet Demiri “Agmia Shpk”, Vedat Morina nga Orange Net, Begishe Arifi Musliu nga Kopeshti i fëmijeve POEMA, Elvan Alidema nga Metali Company, Hevzi Xhelili nga EuroCable, Bashkim Zejnullahu nga Fair Shpk, Nijazi Jonuzi nga Trend Biz, Metush Zymberi nga Menakon, Granit Ahmeti nga Euro Tech, Shaqir Hajrullahu nga Instal Mont, Afrim Spahiu nga Besi Commerce, Herolinda Lakna nga Mobi  Casa, Mentor Elezi nga Vilsoni, Bensik Hajdini nga Super Market Besniku, Mexhit Emini nga Mobileria IDEALE.

Kontrolloni gjithashtu

“KB Krusha” i ka quajtur tendencioze dhe të pabaza pretendimet e ministrit, Faton Peci

Kooperativa Bujqësore “KB Krusha” i ka quajtur tendencioze dhe të pabaza pretendimet e ministrit, Faton …