Sabit Syla

Prof. assoc. dr. Sabit Syla: Është rast unik, sakrifica e Komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij

( Fjala e drejtorit të Institutit të Historisë, dr. Sabit Syla mbajtur më  6. 3. 2016, në Akademinë Përkujtimore, për Epopenë e UÇK-së)

           Rasti i parë solemn, më emocionon dhe njëherit ndihem i nderuar qe kam rastin te ju drejtohem me disa fjalë për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, e cila është pika kulmore e kombit tonë, e mbuluar me lavdinë dhe krenarinë e Historisë tonë më të re. Është rast unik, sakrifica legjendare e komandantit, Adem Jashari dhe familjes së tij, pasi, historia nuk njeh një rast të tillë të lindjes e të formimit të një familjeje – plejadë e tërë luftëtarësh të devotshëm për çështjen kombëtare sikurse familja Jashari. Kjo natyrisht është rezultat i një familjeje të tërë, të jetuar me përkushtim e të sakrifikuar për një qëllim të madh, që fund e krye ka pasur në fokus lirinë e popullit të vet, si sublimim i synimeve tona të kahershme shekullore.

          Historia ka vërtetuar se idealet nuk vriten, e familja Jashari ishte plotësisht koshiente se çdo të thoshte të ecte kundër pushtimit, por nuk veproi ndryshe, sepse pushtimi godiste e shpërbënte dhe çonte deri në asgjësim popullin e tij, e Jasharajt s’mund të pajtoheshin assesi me këtë. E dinin se do të përballeshin me një barrierë të fortë, do t’u duhej të përballeshin me një shtet të fuqishëm me ide të rrënjosura antishqiptare, por e pranuan sfidën, duke vrarë friken për te hapur shtigjet e lirisë dhe te ardhmërisë sonë. E rruga qe plot sakrifica. Nuk qe kurrsesi një fenomen i rastit, por një hallkë zinxhirore e pashkëputur përpjekjesh, heroizmash, e luftërash çlirimtare qe ka bere populli ynë gjate shekujve, te cilën familja Jashari e rrugëtoi pa dilema, te udhëhequr nga qëllimi i lartë kombëtar. Qellim i cili mund te kuptohet në të veçantën dhe ne te përgjithshmen e saj duke i pasur parasysh rrethanat dhe kohën në të cilën ndodhej populli shqiptar, kjo së cilës ia dha shenjen e vet dalluese, kjo familje, në Marsin e vitit 1998, duke ndikuar edhe në masovizimin dhe mobilizimin e përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës. Kështu, familja, Jashari me heroizmin dhe sakrificën, vulosi epokën e fund shek. XX, si në aspektin kombëtar po ashtu edhe ne atë ndërkombëtar.

        Në aspektin e brendshëm, paraqet përmasën e lavdisë tonë kombëtare me madhështi të veçantë, për çlirimin e vendit tonë duke u ngritur si një kushtrim për gjithë popullin  dhe shërbeu si një himn për luftën e tij të shenjte, duke i tejkaluar kështu përmasat humane, duke u ngritur ne piedestalin me të lartë të vetëdijes kombëtare, për te cilin u flijua tërë familja, duke fituar pavdekësinë me sakrificë dhe heroizëm.

        Në aspektin e jashtëm, 5, 6 e 7 marsi e zgjoi ndërgjegjen e botës demokratike perëndimore. Pas luftës së zhvilluar u mbajt edhe takimi i parë ndërkombëtarë që iu kushtua tërësisht çështjes së Kosovës në Londër nga mbledhja e Grupit të Kontaktit më 9 mars 1998, ku rezultat kryesor i këtij takimi ishte fakti që për herë të parë po merrej ekskluzivisht me çështjen e Kosovës, Grupi i Kontaktit. Po ashtu, OSBE diskutoi  për Kosovën e kërkoi bashkëveprim me Unionin Evropian e NATO-n, e shumë diplomatë amerikanë e britanikë vizituan Kosovën e shumë përfaqësues tjerë diplomatik u deklaruan rreth gjendjes në Kosovë. Kështu me fillimin e luftës çlirimtare, çështja e Kosovës vetëm gjatë një jave 7 deri me 14 mars dominoi në forume të larta ndërkombëtare si: Bashkimin Evropian, në Grupin  e Kontaktit, Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian e forume tjera. Me një fjalë, e tërë ajo që qoi në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare, qe rezistenca dhe lufta e armatosur e UÇK-së, ne krye me familjen Jashari.

          E mbështetur ne aspektin historik, nga të gjitha analizat shkencore del përfundimi se faktori vendimtar për të gjitha të arriturat në Kosovë, ishte Lufta Çlirimtare e Kosovës, me dinamizmin, pjekurinë, operacionalitetin, zhdërvjelltësinë, largpamësinë, qëndrueshmërinë, unitetin, kompleksitetin dhe ndër-veprueshmërinë. Të gjithë faktorët e tjerë kanë qenë faktorë ndihmës dhe mbështetës. Pra, është e qartë se pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe pa luftën e saj, nuk do të kishte as ndërhyrje të NATO-s dhe as mbështetje të opinionit ndërkombëtar dhe organizmave tjerë evropiane e botërorë.

           Liria, na kushtoi shtrenjte. Te rënët për këtë dite qe po e gëzojmë ne sot, ishin nga fshatra dhe qytete të ndryshme. Edhe profesionet, edhe dëshirat, edhe ëndrrat, edhe përgatitja shkollore profesionale i kishin të ndryshme. Edhe mosha e tyre ishte e ndryshme. Por ata kishin një gjë të përbashkët: ëndrrën për çlirim kombëtar. Rënia e tyre ishte sa heroike aq edhe krenare. Vendet, betejat, aksionet, istikamet, pozicionet, çastet, orët, ditët, javët muajt dhe vitet kur ata ranë ishin, gjithashtu, të ndryshme. Ata ranë në mbrojte të nderit, identitetit dhe krenarisë kombëtare pavarësisht nga cili vend, nga cila lagje, në cilin fshat, qytet a krahinë u lindën, u rritën, punuan, u shkolluan dhe luftuan derisa ata ranë: dikush në prag të shtëpisë a kullës, dikush maje ndonjë kodre, në ndonjë lëndinë, buzë një lumi a të ndonjë shkëmbi, pranë një lisi a shkurreje, të cilës do krahinë të Kosovës: në Drenicë, Dukagjin, Shalë, Llap,  apo në brezin kufitar, që ndante shqiptarët padrejtësisht. Jetët e te rënëve, janë të freskëta në kujtesën tonë historike dhe mbeten frymëzim i përhershëm për të gjithë shqiptarët kudo që gjenden, e qe kristalizuan idealet dhe ndërgjegjen tonë kombëtare si imperativ i fund shekullit XX-te.

Andaj edhe sot e kujtojmë me pietet këtë 18 vjetor te Epopesë se Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, si inspirim i mëtejshëm i përpjekjeve tona për plotësimin dhe jetësimin e idealeve të tyre.

Lavdi familjes Jashari,

Lavdi dëshmorëve te kombit!

Ju faleminderit!

(Prof. assoc. dr. Sabit SYLA është  Drejtor i Institutit të Historisë)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …