Sot pra është 30 dhjetori, Dita e Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ditë të cilën pas padrejtësive të mëdha dhe roberisë gati njëqind vjeçare Kosova dhe populli i saj e kanë merituar.
Jo vetëm sot po sot e për mot, ne duhet t’i nderojmë të gjithë ata që përdorën trupin e tyre si armë, dhe armën si pjesë të trupit, ata që në kohët më të veshtira me sherbimin e tyre, çliruan kombin dhe i kthyen nderin atdheut, duke mos i harruar kurrë por duke i përkujtuar gjithmonë ata që dhanë jetën e tyre për të shpetuar jetën tonë, deshmorët e atdheut. Bashkluftetarët tanë-Dëshmorë, nuk i kemi fizikisht pranë në çaste gëzimesh, por ata gjithmonë na mbajnë afër ne, duke i bërë roje Atdheut, le ti mbajmë në mendje e zemër gjithëherë, ti kujtojmë sa herë që përmendim Atdheun, të kujdesemi për familjet e tyre, tua gëzojmë fëmijët e tyre, ti ledhatojmë ata sa herë që ti ledhatojmë fëmijet tanë.
Ashtu si në ditën e Dëshmorëve të Atdheut që vargu i popullit do të duhej derdhur lum pranë varreve të atyre që derdhen heroizëm në fushë-beteja e me gjak ngjyrosen flamurin kombetarë, po ashtu edhe sot, sheshet e qyteteve të Kosovës do të duhej mbushur plot me popull për ti ledhatuar plagët e luftës e nderuar uniformat e Ushtrisë së shenjtë Çlirimtare të ndriçuara nga emblema e artë e UÇK-së gjatë buçitjes së kalldremëve nga marshimi i vashave dhe djemve trima – veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në ditën e veteranit do të organizohej në mënyrën më madheshtore nga shteti i ndertuar me sakrificën e tyre të madhe.
Atdheu ynë u shenjtërua përgjatë mijëra vjetëve në përpjekje të ruajtjes së kufijëve të vet natyrorë me gjakun e bijave dhe bijëve më të mirë të kombit. Qëndresa e të gjithë brezave nëpër shekuj jetoi me kauzën për atdheun e lirë, një e të pa ndarë. Furtuna të mëdha na përplasën gjatë gjithë historisë, përballë perandorive të mëdha vumë gjoksin, me heroizma dëshmuam se si duhet atdheu e me vetëdije të lartë kombëtare u ringjallëm në vazhdimësi. Edhe në kohën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vetëdija kombëtare e kishte ngritur në këmbë rininë shqiptare për ti dhënë fund padrejtësisë së madhe historike të përgjysmimit të atdheut tonë. Prandaj nuk është e rastësishme që në vijat e para të luftës, luftëtarët e lirisë, ishin nga të gjitha trojet shqiptare, mergimi dhe diaspora. Lufta që bëri Ushtria Çlirimtare Kosovës ishte luftë për liri, e pastër dhe e drejtë prandaj edhe e fitoj përkrahjen e aleances më të madhe ushtarake në botë- NATO-s. Për kundër gjithë kësaj që nga organizimet e para si luftetarë lirie të rreshtuar në UÇK e deri me sot si veteranë të organizuar në OVL të UÇK-së ndërskamcat e problemet nuk na u ndalen kurrë. Në kohën kur UÇK-ja vepronte në ilegalitet në Kosovë dhe i sulmonte në mënyrë të sinkronizuar forcat armike serbe duke i goditur mu në çerdhet e tyre nëpër stacione policore e kazerma ushtarake, fatkeqësisht ata udhëheqës shqiptarë që ishin vënë në ballë të popullit gjoja për ta udhëhequr drejtë lirisë, deklaronin se UÇK-ja është dorë e zgjatur e Serbisë. Kur ndodhën ngjarjet e mëdha historike në Llaushë e Prekaz ata ndërruan taktikën dhe filluan ta shantazhonin luftën në terren me metoda që do t’ua kishin lakmi edhe projektuesit e “kolonave të pesta”.
Kështu Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu imponua lufta në dy fronte. Ajo fitoj shumë beteja dhe arriti që me ndihmën e faktorit pozitiv ndërkombëtarë ta përzejë pushtuesin serb nga Kosova, por e humbi betejën më të rëndesishme në frontin e luftës, kundër bashkëpunëtorëve të Serbisë, spiunë e tradhëtarë të kombit. Në prag të çlirimit gjërat rrodhën edhe më keq, bashkëpunëtorët e Serbisë të cilët e kishin merituar plumbin në ballë, depërtuan në skenën politike të pas luftës duke e shfrytëzuar faljen morale që ju dha dita e çlirimit (me kushtë që historia të merret me gjykimin e tyre) dhe i shantazhuan institucionet e sapo formuara në Kosovën e lirë. Me qellime shumë të errëta politike bashkëpunëtorët shqiptarë të Serbisë, të ndihmuar nga qarqe të caktuara evropiane proserbe, e bojkotuan Qeverinë e Përkohëshme të Kosovës dhe kështu e lanë Kosovën pa ushtri të mirëfilltë, pa përfaqësues diplomatik dhe me institucione të rendit të mbajtura peng përmes zyrave të hueja të vendosura në Kosovë. Skena politike shqiptare e pas luftës fatkeqësisht, (më vonë e quajtur dhe e vetëquajtur kosovare) ishte e ndërtuar nga agjentura të hueja të dirigjuara nga Beogradi në formën më të përsosur të mundshme në mënyrë që koalicionet që do e mbajnë pushtetin çdo herë të bëhen ashtu siç ata kanë nevojë dhe ligjet që dalin nga Parlamenti i Kosovës të jenë ligje që u përshtatën interesave të Serbisë dhe që pakices serbe ti jepet mundesia që Kosovën ta bllokoj në çdo hap. Të gjitha këto padrejtësi i bën dëm të pa riparueshem jo vetëm Kosovës por edhe çeshtjes shqiptare në përgjithësi duke i prekur drejtëpërdrejtë edhe interesat strategjike të miqëve tanë ndërkombetarë para syve të të cilëve u luajtën të gjitha këto lojna me pasoja tragjike për kombin tonë.
Duke e parë që situata në Kosovë ka marr kahje krejt të kundërt lutetarët e UÇK-së filluan të riorganizoheshin dhe themeluan së pari në Prishtinë e pastaj në të gjitha komunat e Kosovës Shoqatën e Vetëranëve të Luftës më vonë OVL Të UÇK-së. Në fillim qellimi ishte fisnik e atdhetarë, mbrojtja e atdheut nga rreziqet e pas luftës, ndertimi i vendit plotësishtë të shkatërruar, nxjerrja e atdheut nga kthetrat e agjenturave të hueja dhe bashkëpunëtorëve të tyre serb e shqiptarë dhe përpjekja që në strukturat e partive politike shqiptare të ketë sa më shumë patriot me tituj shkencorë, të burgosur politik, luftetarë të UÇK-së dhe njerëz nga familje të deshmuara për atdhetarizëm nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Kosideronim se ishim forca e vetme në Kosovë që mund ti bënte ballë çdo presioni, shantazhi apo edhe kërcnimi dhe realishtë një pjesë e jona ishin të gatshëm për çdo sakrificë. Fatkeqësishtë ne nuk kishim shtet dhe si rrjedhojë lufta na zuri pa ushtri, e të detyruar nga situata, radhet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i mbushëm me vullnetarë pa ndonjë kriter vetëm e vetëm që të kemi numër në mënyrë që të mund t’i bënim ballë armikut në numër e armatim shumë herë më të madh siç ishte Armata Jugosllave me forcat tjera ndihmëse paramilitare e policore serbe të përkrahura edhe nga Rusia me njerëz e armatim po edhe në fushën diplomatike. Edhe organizimi i tanishëm i veteranëve në OVL të UÇK-së po bëhet në baza vullnetare dhe të drejtë ka secili pjesëmarrës në luftën çlirimtare, çuditërishtë gjatë aplikimit për veteran, më të pajisurit me dukumentacion ishin të derguarit në radhët tona me misione të caktuara pra ata që ne i dinim si spiunë dhe ata që kishin kaluar nëpër zona të luftës duke qendruar vetëm nga disa ditë deri sa kishin dal të sigurtë jashtë Kosovës për tu kthyer vetëm pas çlirimit të vendit.
Degradimi më i madh në gjithë këtë proces u bë, kur Qeveria e Kosovës shpalli konkurs dhe i dha të drejtë secilit qytetar për të aplikuar për veteran të UÇK-së duke anashkaluar gjithë dokumentacionin e kohës së luftës të grumbulluar për shumë vjet nga TMK-ja dhe shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së dhe iu mundësua secilit aplikant të hyj në listat e veteranëve pa ndoni kriter. Tani në garë se kush do të bëjë më shumë veteranë dhe kush do ti ketë listat më të gjata hynë shumë faktor; nga partitë politike, agjent, aktivistë, shoqata e klube e deri të “komandatët” që na dolen më të pamëshrëshmit në gjithë këtë proces, duke i pajisur me nënshkrime e dukumentacion fallso e afruar rreth vetit pos të “tjerëve” edhe të gjithë ata që për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, për një pension, e ndonjë të mire tjetër materiale pranojnë të bëhen vasal e votues të tyre. Po flitet se me mijëra statuse të veteranit janë shitur nga njerez të caktuar e me përgjegjesi, por nuk desha e nuk dua të bësoj sepse kjo është gjëja më e ulët që mund ta bejë njeriu, është shkelje mbi gjakun e dëshmorëve, mbi plagët e invalidëve, mbi skrificën e mbinjerëzore të secilit luftetar veç e veç e mbi të gjitha është shumë e pamoralshme.
Përkundër gjithë kësaj, ne sot duhet ti nderojmë të gjithë ata që nderuan atdheun si luftetarë lirie të rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ata të cilët hoqen dorë nga jeta e tyre për ti dhënë jetë atdheut, ata të cilët flijuan lumturinë e fëmijëve të
tyre, që fëmijët e atdheut të jetojnë të lumtur, ata që dhanë pjeset e trupit për ti bashkuar pjeset e ndara të ardheut, pra sot duhet ti nderojmë të gjithë ata që me gjakun e tyre ngjyrosën FLAMURIN KOMBETARË.
Nexhmi Lajçi