OAK

OAK organizoi koktej me gazetarë

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) organizoi një koktej rasti me gazetarë, redaktorë dhe e përfaqësues të mediave në Kosovë. Në një ambient relaksues në restorantin “Chicken Pub” në Prishtinë, gazetarët dhe zyrtarët e OAK-së, patën rastin që të diskutojnë për bashkëpunimin, ngjarjet që ndodhën gjatë këtij viti që po e lëmë pas në fushën e ekonomisë dhe ndërmarrësisë, por edhe për sfidat të cilat na presin për vitin që e kemi në prag.

Koordinatorja në OAK, Qëndresa Ibrahimi, i falënderoi gazetarët për bashkëpunimin e ngushtë me Odën gjatë vitit që shkoi, duke thënë që gazetarët gjithmonë janë shprehur të gatshëm që ta promovojnë lobimin për bizneset të cilin e ka bërë Oda në vazhdueshmëri gjatë tërë vitit.

Ndërsa, Sekretari i OAK, Diamant Elshani, shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e mediave, duke potencuar që ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm në mënyrë që ajo t’i arrijë qëllimet e saj.

Kryetari i OAK foli për historikun e Odës, planet për të ardhmen, për gjendjen jo të mirë ekonomike në Kosovë, kushtet momentale për të bërë biznes, mos përputhshmërinë e ligjeve, lobimin që e ka bërë Oda gjatë tërë vitit për kushte më të mira për të bërë biznes në Kosovë dhe me theks të veçantë, tha se duhet që vazhdimisht të bëhen propozime për ndryshimin e ligjeve dhe sponsorizimin e ligjeve të reja, në mënyrë që të ketë ligje sa më atraktive për ushtrim të biznesit në Kosovë.

Tutje ai shtoi se sektorët më të fuqishëm që ekzistojnë në Kosovë janë më të pa zhvilluarit; bujqësia, turizmi dhe minierat. Në fund, falënderoi gazetarët për bashkëpunimin e ngushtë dhe tha se do të ishte e pa mundur që të të ngrihej zëri dhe të prioritizohej zhvillimi ekonomik në Kosovë pa bashkëpunim të mirëfilltë me media. Po ashtu përmendi lobimin e OAK-së për krijimin e Ligjit për Sponzorizim për Media në Kosovë.

E, Anëtari i Bordit në OAK, Hysni Zogaj, përmendi pavarësinë financiare të Odës dhe tha se prioritet i OAK-së është puna dhe lobimi për zhvillimin e kompanive, përfshirë këtu ato mediale, prodhuese dhe shërbyese. Ai shprehu mirënjohje për sektorin medial dhe përkrahjen e këtij të fundit për punën e Odës.

Ndryshe, gazetari i sektorit të ekonomisë në Radio Televizionin e Kosovës, Behgjet Begu, përshëndeti punën e sinqertë të OAK-së, por shtoi se puna e Odave në Kosovë është keqkuptuar. Sipas tij, Odat përfaqësojnë direkt interesin e bizneseve përballë autoriteteve duke i quajtur ato si “hallka më e rëndësishme në ndërmjetësimin biznes-autoritete”.

Tutje, Zekeria Shabani, nga portali “Infokus”, foli për dallimin në funksionimin e mediave si biznese dhe në funksionimin e tyre bazuar në idealizmin për të raportuar drejtë dhe pa anshëm. Ai, po ashtu shtoi se në Kosovë duhet të krijohet Ligji për Sponzorizim për Media. Po ashtu përmendi mungesën e kuadrove të mirëfillta, përfshirë këtu edhe sektorin medial në Kosovë.

Faton Salihu, gazetar në RTK, përgëzoi OAK-në për gatishmërinë e vazhdueshme për bashkëpunim me media.

Blerta Blakaj, redaktore në portalin “RTV 21”, theksoi se rubrika e ekonomisë nuk e ka hapësirën e merituar nëpër portale. Ajo tha se hapësira e ekonomisë shpesh mbulohet me përkthime nga ngjarje nga ekonomi të huaja të cilat nuk përshtaten fare me realitetin ekonomik në Kosovë.

Ndryshe, kujtojmë që Oda e Afarizmit të Kosovës gjatë vitit 2019 në vazhdimësi ka organizuar aktivitete, konferenca, ka dhënë prononcime e ka marrë pjesë në intervista nëpër media tona. Në këtë mënyrë mediat kanë qenë faktor kyç në përçimin e mesazhit te bizneset, qeveria dhe qytetarët.

Urojmë që viti 2020 të jetë vit i bashkëpunimit sa më të ngushtë me sektorin medial, duke u angazhuar për krijimin e kushteve sa më të favorshme për të bërë biznes në Kosovë. Njëkohësisht, urojmë që në vitin 2020 të mbretërojnë lajmet e mira!

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …