Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Bashkim qytetar për Shtetin e së Drejtës

Ish-kryekuvendari dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, një shkrim të tij për mediet, thotë se Kosovës i duhet një qeverisje nga fronti opozitar. Vetëm udhëheqja e tri partive opozitare, është rruga më e mirë dhe e vetme e ndryshimit dhe e veprimit. Ai shkruan për shkatërrimin që po i bëhet shtetit nga ana e koalicionit aktual ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Ky koalicion i madh qeverisës, që ka bërë marrëveshje tepër të dëmshme, që ka renë ndesh me Kushtetutën e ligjet, që qeverisin keq, që kanë uzurpuar të gjitha institucionet e shtetit, që kanë bllokuar Sistemin e Drejtësisë duke humbur edhe sovranitetin e këtij pushteti, që na e qiti faqen e zezë për krim, korrupsion, për mashtrim, për njerëz, të cilët atë që e thonë në mëngjes e mohojnë në mbrëmje. Kjo gjendje  shtron para nesh nevojën e domosdoshme për krijimin e një fronti të përbashkët, të një spektri të gjerë politik e qytetarë, për t’i dhënë një rrugë të re Republikës së Kosovës, ka shkruar mes tjerash Jakup  Krasniqi.

Jakup Krasniqi: Bashkim qytetar për Shtetin e së drejtës

Është momenti i fundit që Opozita e Bashkuar të hartojë një Deklarate Programore të përbashkët për veprim të koordinuar, të saktësuar qartë. Pastaj t’i hyjë krijimit të një Programi të përbashkët qeverisës. Qytetari ynë dëshirpn të shoh ndryshim esencial me pozitën e cila nuk ka ide sesi qeveriset vendi, pasi fjalët boshe, pa përmbajtje e mashtrimet e vazhdueshme i kanë dalë “mbi kapuç”. Ky koalicion i madh qeverisës, që ka bërë marrëveshje tepër të dëmshme, që ka renë ndesh me Kushtetutën e ligjet, që qeverisin keq, që kanë kapur të gjitha institucionet e shtetit, që kanë bllokuar Sistemin e Drejtësisë duke humbur edhe sovranitetin e këtij pushteti, që na e qiten faqen e zezë për krim, korrupsion, për mashtrim e pa dije, që atë që e thotë në mëngjes e mohon në mbrëmje e shtron para nesh nevojën e domosdoshme për krijimin e një fronti të përbashkët të një spektri të gjerë politik e qytetarë për t’i dhënë një rrugë të re Republikës së Kosovës. Kjo është rruga më e mirë dhe e vetme e veprimit dhe e ndryshimit. Ka edhe rrugë tjera, por ato nuk duhet ndjekur pa e provuar ketë, pasi kjo është më e pa dhimbshmja për qytetarët tanë. Ta bëjmë ndryshimin pa hile, ne, tri partitë opozitare nëse nuk na ka kapur edhe ne, mania e pushtetit personal si i ka kapur Isa & Hashimin. Mania e pushtetit personal si e kemi parë deri më tani, nuk prodhon rend demokratik e as shtet të së drejtës.

Opozita e Bashkuar, me punën e saj të derisotshme ka arritur rezultate të kënaqshme, ndonëse jo e mjaftueshme, për t’i detyruar shkelësit e Kushtetutës që të japin dorëheqje e t’i pranojnë zgjedhjet për zgjidhje edhe pse ky koalicion qeverisës nuk e ka asnjë kredi për të përfaqësuar e udhëhequr me vendin. Qeveria ka dështuar në të gjithë segmentet e jetës institucionale. Është fakt i pamohueshëm se Kryeministri e vartësi i tij, si dhe krerët tjerë të institucioneve kurrë nuk kanë pasur mbështetje më të vogël qytetare (mbështetja për ta është nën 15%), por as kjo nuk po mjafton që ky pushtet i kalbur në çdo pore të jetës të bie. Një nga arsyet e kësaj është se as opozita e bashkuar nuk e ka besimin e qytetarëve për t’i bërë ndryshimet, ndonëse ka një mbështetje të fuqishme qytetare (e cila u tregua më 9 janar e 17 shkurt 2016). Qytetarët janë skeptikë, prandaj ky skepticizëm duhet evituar me punë përkushtuese e të përbashkët për ndryshimin e kualitetit të qeverisjes. Kështu si jemi e sa jemi nuk mund ta bëjmë ndryshimin, që i duhet vendit tonë. Duhet të provojmë që të ndryshojmë ne, para se t’i “ndryshojmë” qytetarët. Për ndryse, qeveritaret e tashëm kanë ndërtuar një skemë piramidale të mashtrimeve e cila në të ardhmen e ofertë rrezikon falimentimin e shtetit. Edhe loja e turpshme me listat e “veteranëve” është në shërbim të mashtrimit e falimentimit. Nuk ka asnjë dyshim, Komisioni i Qeverisë duhet të vihet para përgjegjësisë e drejtësisë për shkak të nëpërkëmbjes se idesë së lirisë dhe veprës së çlirimit.

Ne një situatë të tillë, partitë opozitare duhet të vihen në kërkim të një organizimi të ri opozitar, i cili do të krijonte një moment të ri që do të ndihmonte për të marrë besimin e qytetarëve e të shoqërisë civile dhe kështu të krijohet fryma e besimit në fitore. Ketë frymë ende nuk e kemi krijuar dhe mund ta krijojmë vetëm të bashkuar pa hile, pa kleçka primitive politikaneske. Ketë frymë duhet ta krijojmë ne dhe askush tjetër.

Kjo nuk është e pa arritshme, por duhet të hiqet dorë nga kapja e opozitës që pastaj të kapet shteti, siç e kanë kapur krerët e partive të koalicionit Mustafa & Thaçi. Është e domosdoshme të lirohet shtetit, për t’ia kthyer atë ligjit. Për një periudhë katër vjeçare emergjente është e domosdoshme që opozita e bashkuar të mendoj për një qeverisje ndryshe, për një qeverisje të një kualitetit të lartë, vërtet atdhetar, e cila do të duhej ta kthejë besimin te qytetarët te politika dhe përgjegjësia publike, të bijtë e vet që i duan pa hile atë dhe shtetin. Qytetarët duhet të binden se këtu ka njerëz që duN, dinë dhe kanë qellim qeverisjen në shërbim të tyre. Katër vjet janë periudhë e mjaftueshme për t’i qitur gjerat në binarë të duhur dhe për të projektuar rrugën sesi do të ecim tutje. Këto ndryshime nuk behën me ata që mendojnë se me ta fillon historia e këtij vendi dhe e këtij populli, me njerëz që mendojnë se u mjafton vetvetja dhe s’kanë nevojë për aleatë e partner. Kemi nevojë për një mbështetje të fuqishme qytetare nga brenda, por edhe për mbështetje nga jashtë. Ende nuk mund të themi se e kemi rritur besueshmërinë e ndryshimit demokratik, për forcimin e shtetit të së drejtës.

Nëse partitë politike opozitare, nuk janë në gjendje të merren vesh për një individ, rreth të cilit do të rreshtoheshin, le të krijohet një trupë e përbashkët prej tre a më shumë njerëzve, trupë e cila do të qeveriste sipas një platforme e programi të përbashkët. Sipas kësaj platforme, për çështjet më vitale do të duhej të pajtoheshin krerët e partive që e përbëjnë koalicionin. Kjo trupë do të duhej që në çdo tre muaj t’i bënte vlerësimet dhe orientimit e më tejshme. Nëse qëllimi i opozitës së bashkuar është, krijimi i institucioneve të përgjegjshme e të besueshme, qeverisja e mirë, Shteti i se drejtës dhe zhvillimi i vendit, pse mos ta gjejmë çelësin për të arritur ketë qellim. Por kjo nuk arrihet pa pasur qellim parësor ndryshimin dhe qeverisjen e mirë. Jam i bindur se kjo është lehtë e mundshme, por kërkohet vullnet e përkushtim për ti shërbyer kombit e shtetit. Pasi unë besoj se populli ynë ka njerëz që e donë dhe dinë të qeverisin me përkushtim, por njerëzit e tille duhet kërkuar me durim e përkushtim.

Kështu si jemi, ndonëse jemi mjaftë mirë (si opozitë), nuk besoj që mund t’i bëjmë hapat e duhur për ndryshimet. që i kërkon vendi dhe qytetari ynë. Kjo që kemi bërë deri më tani, ishte dhe është punë e mirë, por e pa mjaftueshme për të arritur qëllimin. Ndryshimi është i mundshëm, por jo duke ecur në gjurmët e Mustafës e të Thaçit. Loja me njisha ose unë i pari me çdo kusht, duhet të përfundojë pasi ketë lojë të pistë veç e kemi parë që sa vite dhe diçka e tillë nuk i duhet askujt. Nëse nuk dëshirojmë të jemi paterica të partive te koalicionit, të partive që kanë degraduar gjithçka në jetën tonë politike, publike e institucionale, për tu bërë pjesë e krimit dhe e korrupsionit, apo edhe e uzurpimit të shtetit duhet të ndërpritet njëherë e mirë. Opozita nuk guxon të lejojë të katandiset ashtu siç u katandisë LDK-ja e Isa Mustafës kur bëri koalicion me Thaçin. Realiteti është duke e kërkuar një bashkim përtej partive opozitare, të cilat nuk janë të vetëmjaftueshme për t’i bërë ndryshimet e shumëpritura.

Një frymë e re politike e demokratike duhet të shtrihet në jetën politike e institucionale në Republikën tonë! Po çështja është a mund të jemi ne, ata të duhurit! Nëse nuk jemi, mund të bëhemi, por duhet vullnet politik, intelektual e atdhetar, na duhet një mirëkuptim i ri! Dhe ai vullnet nuk duhet t’i mungojë asnjë lideri opozitar.

Opozita e bashkuar duhet ta formojë trupën e përbashkët për platformën e veprimit dhe Programin qeverisës të harmonizuar në detale dhe të dakorduar për çdo imtësi. Bashkimi rreth një qëllimi të lartë dhe një programi të qartë, është domosdoshmëri nëse qëllim kemi ndryshimin në qeverisje e jo ndërrimin e “kuajve” të karrocës. Ne, duhet t’ua kthejmë qytetarëve tanë besimin se këtu ia vlen të jetohet, të punohet, të arsimohet e të kërkohet shërbimi shëndetësor me besim e siguri, se këtu do të ketë siguri për punë, jetë e mirëqenie! Se këtu mund të funksionoj “Zemra” e “shpirti” i shtetit – Sistemi i Drejtësisë, i cili tani është katandisur si është më së keqi! Në këto troje ka funksionuar drejtësia tradicionale, pse mos të funksionoj edhe Drejtësia e kohës?

Ne, duhet të jemi krejt të sinqertë si me njëri tjetrin ashtu edhe me qytetarët!

Vendi ynë, Republika e Kosovës dhe njerëzit tanë e meritojnë ketë! Madje ne, ketë ua kemi borxh njerëzve që na kanë mbështetur e vazhdojnë të na mbështesin, por edhe të atyre që janë të zhgënjyer në politikë bërjen! Ata e presin ketë nga ne! Mos t’i shërbejmë zhgënjimit qytetarë se këtu nuk mund të ndryshohet e as të jetohet me dinjitet e mirëqenie. Ky vend ka pasuri, që njerëzit të jetojnë më dinjitet! Besimin mund dhe duhet t’ua kthejmë qytetarëve tanë, por paraprakisht duhet të lirohemi nga egoja për pushtet personal të cilitdo nga ne!

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …