Sot ambientet e Radios Kosova e Lirë, ishin shumë të ngushta për të pritur vizitorët e shumtë, luftëtarët e lirisë, dëgjuesit e Radios e shfletuesit e faqes në internet, miqtë e dashamirët nga tërë vendi.
Prej orës 10.00 të mëngjesit e deri në orën 18.00 qindra vizitorë kishin ardhur për të uruar 21-vjetorin e fillimit të transmetimit të Radios-Kosova e Lirë.
Ata uronin këtë ditë me rëndësi për luftën e UÇK-së dhe mbarë popullit shqiptar, me shpresë e besim se ky zë nuk do të shuhet kurrë dhe do të vazhdojë po të njëjtën përmbajtje kombëtare, ashtu sikur deri tani.
Për veç familjarë të dëshmorëve, veteranë e invalidë të luftës, kishin ardhur për urime edhe luftëtare e luftëtarë të tri luftërave tona çlirimtare, veteranë të Lëvizjes Kombëtare, pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës, shkrimtare e shkrimtarë, poetë e poetesha, studiues e krijues, bashkëpunëtorët shumëvjeçarë të Radios, dëgjues të apasionuar, pensionistë e veteranë të arsimit, këngëtarë e rapsodë, gazetarë e reporterë, anëtarë të stafit gjatë luftës, reporterë të luftës, gazetarë e redaktorë të Kosovapressit dhe miq e dashamirë të Radios.
Në bisedat e tyre, të gjithë vizitorët i kanë dhënë mbështetje të fuqishme përmbajtjeve programore të Radios, ruajtjes së vlerave të luftës, emisioneve për dëshmorët e kombit, për personalitetet historike, për karakterin militant të ruajtjes dhe restaurimit të vlerave kombëtare.
Drejtoria e Radios-Kosova e lirë, të gjithë vizitorëve u ka dhuruar nga një kalendar të vitit 2020 dhe libra të autorëve të ndryshëm.
Gepostet von Radio Kosova e Lire am Samstag, 4. Januar 2020