leoni

Ushtaret serbe rober

Miftar Kurti: Lufta e drejtë dhe e pastër e UÇK-së dhe këmbimi i robërve të luftës

Ushtria Çlirimtare e Kosovës tashmë i takon historisë. Si e tillë përbën një temë të veçantë për trajtim nga historianë e studiues të ndryshëm. Është një temë shumë komplekse, e cila mund të trajtohet nga disa aspekte. Një nga aspektet është edhe ai që ka të bëjë me pastërtinë e luftës së saj.

Për pastërtinë e Luftës së UÇK-së ka mjaft shembuj, ka shumë fakte, ka shumë dëshmi, që nuk mund të mohohen në asnjë rast. Një dëshmi dhe shembull që e dëshmon më së miri pastërtinë e kësaj lufte është zënia rob e shtatë ushtarëve dhe një oficeri të Ushtrisë Jugosllave (UJ) nga njësite të UÇK-së dhe trajtimi i tyre sipas të gjitha konventave ndërkombëtare dhe traditës kombëtare shqiptare. Se trajtimi ishte i tillë e kanë thënë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, madje e kanë pohuar edhe vetë robërit e luftës. Ja faktet, ja argumentet.

Më 3 janar 1999, në Smrekonicë (Komuna e Vushtrrisë), nga forcat serbe-jugosllave, u vra në prit ndihmëskomandanti për Logjistikë në Zonën Operative të Shalës, Xhevat Jusufi dhe u plagos rëndë zëvendëskomandanti i Brigadës 141 “Mehë Uka”, Zymer Halimi (Komandant Besi).1 Kjo ishte një nga goditjet më të rënda që iu dha jo vetëm Brigadës 141 dhe Zonës Operative të Shalës, por gjithë UÇK-së. Megjithatë, njësitet e saj nuk qëndruan duarkryq. Kështu, vetëm pesë ditë pas vrasjes së Xhevatit dhe plagosjes së Komandant Besit, Njësitet e Brigadës 141 kundër armikut organizuan një aksion shumë efikas. Ato me këtë rast zunë rob një skuadër (shtatë ushtarë dhe një oficer) të Ushtrisë Jugosllave. Kjo ndodhi më 8 janar të vitit 1999, rreth orës 11:30, në hyrje të fshatit Bare, pak kilometra mbi Minierën “Trepça” në Stanterg (Komuna e Mitrovicës), në rajonin e Shalës së Bajgorës. Ky aksion i njësiteve të UÇK-së pati bërë jehonë të madhe kombëtare e ndërkombëtare. Jehonë të madhe edhe për mënyrën se si u zunë ushtarët jugosllavë, edhe për mënyrën se si u trajtuan ata, edhe për përmasën që mori kjo ngjarje, edhe për faktorët  që u inkuadruan në këmbimin e robërve të luftës, edhe për mënyrën e funksionimit dhe disiplinën e lartë që demonstroi UÇK, edhe për pastërtinë, seriozitetin dhe imazhin e saj në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, ushtarak, politik, diplomatik e mediatik.

Në analet e Epopesë së UÇK-së, deshi dikush a nuk deshi, Brigada 141 “Mehë Uka” e Zonës Operative të Shalës do të përmendet me respekt për organizimin ushtarak, për betejat dhe luftën që zhvilloi, për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin me zonat e tjera simotra, për bashkëpunimin me popullatën në zonën e saj përgjegjëse dhe për një varg ngjarjesh të tjera, që ishin dhe mbetën përgjithmonë shembull i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo, ngjarja më emblematike e asaj periudhe shumë të lavdishme ishte zënia rob e tetë ushtarëve serbë. Disa nga aktorët e kësaj ngjarjeje janë gjallë, disa kanë marrë rrugën e përjetësisë. Janë gjallë ushtarët e postërojës te barrikada krye Lugut të Zenelit, midis fshatrave Bare e Vidishiq, vëllezërit Miftar Kurti dhe Hajzer Kurti (si dhe Arsim Muzaqi, Eset Ibishi, Rrustem Rrustemi, Florim Islami, të cilët prehen në përjetësi-M.K) të Njësisë Speciale; pjesëtarët e Policisë Ushtarake të Brigadës 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës (ZOSH) Sylejman Shala, Ejup Fejzullahu, Ahmat Hasani, Fatmir Abiti e Haki Behrami; eprorët e Shtabit të Brigadës, të cilët kontaktuan fillimisht me ta: Hajzer Istrefi, Feriz Fetahu dhe Asllan Istrefi; kreu i Policisë Ushtarake të brigadës që zhvilloi hetimet: Ibrahim Ferati, Raif Preteni e Fahri Zeneli dhe pjesëtarët e Njësisë intervenuese të prirë nga Rexhep Suma, që siguruan objektin ku ushtarët serbë ishin në arrest.2

Si erdhi deri te kjo ngjarje?

Edhe pesë ditë pas vrasjes së eprorit të lartë Xhevat Jusufi dhe plagosjes se Komandant Besit, nga terreni vinin informata se po bëhej grumbullimi i madh i forcave të armikut në Trepçë dhe rrethinë, vetëm pak kilometra larg pozicioneve të UÇK-së. Kjo ishte një shenjë se forcat pushtuese të armikut po përgatiteshin për ta sulmuar Shalën e Bajgorës. Para një gjendje të tillë duhej vepruar. Duhej vepruar dhe ndërmarrë ndonjë aksion sulmues për ta parandaluar një ofensivë të re. Ishte momenti i duhur. Më nuk kishte kohë për të pritur. Duke qenë se edhe ushtarët e Batalionit III të Brigadës 141 “Mehë Uka” në Melenicë e kishin vërejtur grumbullimin e forcave të armikut edhe përgatitjet që po bënin për lëvizjen e njësiteve të tyre, atëherë ishte njoftuar Komanda e Brigadës, e cila kishte ndërmarrë masat e nevojshme për gatishmëri luftarake të shkallës së lartë. Sinjalin për nisjen e një njësiti të forcave ushtarake “jugosllave” (të një automjeti të tipit “kompanjollë” përplot ushtarë) në drejtim të pozicioneve të UÇK-së e kishin dhënë vëzhguesit e Njësisë Speciale, që e mbanin nën vëzhgim vazhdimisht magjistralen Mitrovicë – Kaçanoll. Në momentin kur njësiti ushtarak arrin te Xhamia e Mazhiqit dhe u afrohet pozicioneve të UÇK-së, vëzhguesit japin sinjalin për veprim. Komanda e Brigadës dhe komandanti i saj, Hysni Ahmeti, jep urdhër që të veprohej në momentin dhe në mënyrën e duhur. Policia Ushtarake, e cila po patrullonte në magjistrale, së bashku me Njësinë Speciale, në hyrje të fshatit Bare, rrethojnë skuadrën dhe çarmatosin ushtarakët serbo-malazezë pa pasur mundësi të shkrepin asnjë plumb. Sipas urdhrit, ushtarët e UJ-së, vendosen me sy mbyllur në një automjet ushtarak të UÇK-së dhe fillimisht dërgohen në Komandën e Brigadës, në fshatin Bajgorë për procedura të mëtutjeshme. Pastaj njoftohet komanda e ZOSH dhe vetë komandanti, Rrahman Rama, i cili, po ashtu, njofton Shtabin e Përgjithshëm për aksionin. Ngase veprimi i njësiteve të UÇK-së ishte shumë i shpejt, forcave të UJ-së skuadra e vet u doli nga “radari”. Ata humbën kontaktin pa ditur se çfarë ngjau, çfarë ndodhi, ku humbi skuadra e tyre, se as krisma armësh kishin dëgjuar. Nuk mund ta besonin se UÇK kishte njësite e kapacitete të tilla që t’ua kapnin të gjallë komplet një skuadër në pikë të ditës, pa lënë asnjë gjurmë. Megjithatë, nuk shkoi shumë kohë dhe ata u bindën se në duart e UÇK-së kishte rënë skuadra e tyre, pjesë e të cilës ishin këta ushtarë: Nikolla Cvijoviq (1977, Igallo, Mali i Zi), Robert Çekanoviç (1976, Suboticë, Vojvodinë), Aleksandar Subotiq (1975, Sombor, Vojvodinë), Nenad Joviçeviq (1977, Podgoricë, Mali i Zi), Marko Pavloviq (1977, Hercegnovi, Mali i Zi), Aleksander Millashinoviq (1977, Smederevska Pallankë, Vojvodinë), Ivan Kostiq (Kragujevc, Serbi) dhe rreshter Dragan Jugoviq (1971, Mitrovicë, Kosovë).3

(13 janar 1999, Bajgorë, 8 ushtarët e UJ-së të zënë rob nga UÇK-ja)

Ndërhyrja dhe marrëveshja

Pritej se forcat ushtarake jugosllave do të sulmonin me të gjitha forcat Shalën e Bajgorës dhe pozicionet ku operonte Brigada 141, mirëpo nuk pritej ndërhyrja aq e shpejtë e faktorit ndërkombëtar. Pra, pa kaluar asnjë orë, në vend të armikut, po ngjiteshin në drejtim të Shalës së Bajgorës përfaqësuesit e Misionit Verifikues (MV) të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE).

Verifikuesit e OSBE-së, qysh në orët e para nisën presionin e madh ndaj Komandës së Brigadës, ndaj Komandës së Zonës Operative të Shalës fillimisht e më vonë edhe ndaj Shtabit të Përgjithshëm (SHP) të UÇK-së, madje edhe ndaj ushtarëve në pozicione. Më ka rënë të jem një nga ata që i kemi ndaluar dhe legjitimuar zyrtarët e Misionit Verifikues të OSBE-së. Ata ishin shumë nervozë, madje mund të thuhet edhe me sjellje jo korrekte, duke akuzuar për aksionin dhe duke kërcënuar ushtarët e pozicionuar në Trepçali, në magjistralen kryesore Mitrovicë-Bajgorë4, por edhe në Melenicë5, se nëse nuk lirohen menjëherë, pa kushte, ushtarët do të pasojë sulmi i forcave jugosllave.

Kur verifikuesit u bindën se nuk do të ketë lirim pa kushte, i ndryshuan kërkesat.

Ata kërkonin nga ushtarët tanë të vendosur në pozicione luftarake që të paktën të tërhiqeshin nga pozicionet, me arsyetimin se forcat serbe po ndihen të kërcënuara. Meqë as kjo kërkesë nuk po merrej parasysh, atëherë verifikuesit do të kërkojnë që, së paku, ushtarët tanë të maskohen nëpër pozicione që mos t’i vërejnë forcat serbe, të cilat, ato ditë, vazhdimisht provokonin me lëvizje të tankeve dhe automjeteve të tjera dhe me këmbësori6.

Ndërkohë që vazhdonte presioni i MV ndaj ushtarakëve të UÇK-së në Shalë për lirimin pa kushte të robërve, forcat serbe-malazeze të Jugosllavisë së Millosheviqit nuk do të vonojnë të lëvizin nga anë të ndryshme në drejtim të pozicioneve të UÇK-së në Shalën e Bajgorës. Kështu, në Studime të Epërme, nga Vushtrria ishte nisur një konvoj ushtarak-policor, i përbërë nga tre kamionë dhe shtatë xhipa, plot me trupa serbe. Në Stantërg, në dy vende do të dislokohen edhe 11 tanke T557, përveç forcave të tjera që ishin vendosur herët në postbllok edhe në stacionin policor në Trepçë, por edhe në bazën ushtarake serbe në Kutllovc.

Presioni i madh që bëhej nga disa anë ndaj Komandës së Brigadës, Komandës së Zonës dhe Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për lirimin pa kushte të ushtarakëve serbë, nuk dha asnjë rezultat. Nuk po pranohej me asnjë çmim lirimi pa kushte i robërve të luftës. Mekanizmat ndërkombëtarë të vendosur në Kosovë, si KDOM, OSBE-ja etj., sipas gjeneral Rrahman Ramës, ishin shumë të alarmuar. Kjo, sepse në kontaktet që kishin marrë nga pala serbe, e siç ua komunikonin Komandës së ZOSH, kishin marrë mesazhe tepër të rrepta dhe kërcënuese për UÇK-në, madje duke dërguar edhe ultimatume8. Mirëpo, komandanti i Zonës Operative të Shalës, Rrahman Rama, “ishte kategorik se nuk do të liroheshin në asnjë mënyrë ushtarët e tyre, vetëm në qoftë se liroheshin 9 ushtarët e UÇK-së që ishin zënë në kufi me Shqipërinë (dhjetor 1998) dhe kjo të bëhet në mes të dy ushtrive”9.

Kjo këmbëngulje e ushtarakëve të UÇK-së, që të mos bëhej lirimi pa kushte i robërve, kishte alarmuar edhe MV, i cili po e akuzonte UÇK-në publikisht. Refuzimin për lirimin e tetë ushtarëve serbë të zënë robër nga UÇK, MV i OSBE, i vendosur në Kosovë, e shfrytëzoi për ta akuzuar, me anë të një komunikate, palën shqiptare, përkatësisht UÇK-në për ndërlikimin e fundit të situatës në Kosovë10. Siç shprehet gjeneral Rrahman Rama, ata e dinin mirë se UÇK nuk do të lëshonte pe as ndaj presionit të MV, as ndaj ultimatumeve të UJ-së, sepse UÇK ishte në pozicione më të mira luftarake. Sipas gjeneral Ramës, “një interesim kaq i madh i ndërkombëtarëve për ushtarët jugosllavë dhe jo në të njëjtën masë edhe për ushtarët tanë të zënë robër lufte, na nervozonte dhe na krijonte shqetësime, megjithatë përmbaheshim”11. Aq më tepër kur Komanda e ZOSH kishte informata se njësiti i zënë rob kishte qenë i sakrifikuar nga UJ, me qëllim të sigurimit të një preteksti për të ndërmarrë ofensivë ekskluzive kundër UÇK-së në Shalë12.

Duke e parë këmbënguljen e UÇK-së për të mos i liruar robërit serbo-malazezë të luftës pa kushte, gjatë 8, 9 dhe 10 janarit MV zhvilloi aktivitet të dendur ndërmjetësimi. Ky mision do të mbajë takime me përfaqësues politikë të UÇK-së dhe me përfaqësues të zonave operative. Përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm iu kishin thënë dhe u kishin dëshmuar përfaqësuesve të Misionit Verifikues se ushtarët serbo-malazezë janë shëndosh e mirë, se edhe atyre (verifikuesve-M. K.) ju lejohet të kontaktojnë me robërit e arrestuar. Mirëpo, lirimi i tyre do të bëhej vetëm kur të arrihej marrëveshja për shkëmbimin e robërve, në përputhje me konventat ndërkombëtare. Megjithatë, edhe në këto takime, përfaqësuesit e MV do të kërkojnë lirimin pa kusht të policëve ushtarak serbë… Lirim po, por lirim të dyanshëm u kishin thënë përfaqësuesit politikë të UÇK-së13.

Duke e parë se lirimi i robërve nuk do të bëhej njëanshëm, pothuaj vazhdimisht në Komandën e Brigadës dhe të ZOSH po qëndronte një ekipi i MV, i cili kërkonte vazhdimisht lirimin e tyre dhe vëzhgonte trajtimin e tyre. Verifikuesit, që qëndronin në Shalë dhe që po i vizitonin robërit, po bindeshin se robërit ishin shëndoshë e mirë dhe se po trajtoheshin në bazë të konventave ndërkombëtare për robërit e luftës. Bashkë me verifikuesit po qëndronte në Komandë edhe një grup i gazetarëve të huaj. Verifikuesit ishin dëshmitarë se Komanda e Zonës, vetë komandanti i saj Rrahman Rama, u kishte mundësuar ushtarëve serbo-malazezë biseda telefonike me familjet e tyre14.

Bisedimet shumë të vështira dhe dramatike do të zgjasin deri më 13 janar, kur edhe arrihet marrëveshja për këmbimin e robërve të luftës. Kështu, më 13 janar, në Likoc do të mbahet një takim i rëndësishëm mes përfaqësuesve të SHP të UÇK-së, në përbërje: Jakup Krasniqi, Ramë Buja e Sokol Bashota, nga njëra anë dhe përfaqësuesve zyrtarë të bashkësisë ndërkombëtare: Kristofer Hilli (SHBA), Volfang Petriçi (BE) dhe Uiliam Uokeri (OSBE). Pas një bisede të gjatë e të rëndë mes përfaqësuesve të SHP të UÇK-së dhe të bashkësisë ndërkombëtare, u arrit marrëveshja, e cila obligonte palët në konflikt për lirimin e robërve të luftës. Kështu, po atë ditë, u liruan tetë ushtarët e zënë robër. Ndërkaq, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare garantuan se pala serbe do t’i lirojë (pas dhjetë ditësh) nëntë ushtarët e UÇK-së të zënë në mesin e dhjetorit 1998 afër kufirit Kosovë – Shqipëri. Ushtarët serbë u morën nga verifikuesit ndërkombëtarë dhe u dërguan në Prishtinë, kurse ata shprehën fjalë miradije për trajtimin korrekt që iu bë atyre. Me atë rast, vetë gjenerali i Misionit Verifikues, që mori në dorëzim robërit, tha: “Trajtimi i tyre ka qenë jashtëzakonisht korrekt nga ana e UÇK-së.”15

Garant për respektimin e marrëveshjes nga pala serbe, pra për lirimin e nëntë ushtarëve të UÇK-së nga UJ, ishte OSBE. Vetë diplomati Petriç pas arritjes së marrëveshjes për këmbimin e robërve të luftës do të shprehet: “Jam shumë i gëzuar për mënyrën se si UÇK-ja ka vepruar me këtë rast”. Marrëveshja e UÇK-së me përfaqësuesit ndërkombëtarë për lirimin e pengjeve do të cilësohet akt ndërkombëtar16.

Në mbrëmjen e 23 janari 1999, sipas marrëveshjes, nga burgu ushtarak i Nishit u liruan nëntë ushtarët e UÇK-së. Në momentin e sjelljes së tyre në Drenicë nga një ekip i Verifikuesve të OSBE-së, ishin të pranishëm përfaqësuesit e SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe Sokol Bashota17. Ushtarët e UÇK-së që u liruan me këtë rast ishin: Enver Krasniqi, Xhavit Krasniqi, Merita Ramadani, Ismet Krasniqi, Azem Suma, Blerim Spahiu, Nazmi Ballazhi, Samed Ballazhi dhe Sherif Balazhi18.

Reagimet dhe komentet

Aksion i zënies së ushtarakëve “jugosllavë” nga ana e njësitit të Brigadës 141 “Mehë Uka” kishte bërë jehonë atëkohë si brenda radhëve të UÇK-së  ashtu edhe në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar. Kështu ndodhi edhe më vonë. Nuk janë të pakta reagimet, opinionet, deklaratat, letrat, telegramet, komunikatat nga zonat operative, nga organizata dhe subjekte politike dhe jo politike kombëtare dhe ndërkombëtare. Për këtë aksion të UÇK-së,  pati gjithashtu edhe një numër jo të vogël shkrimesh nëpër gazeta, revista, libra të ndryshëm të ushtarakëve, politikanëve, diplomatëve, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe zyrtarëve të tjerë jo vetëm në hapësirën e gjeografisë shqiptare, por edhe në Ballkan, Evropë, madje deri edhe në SHBA e Rusi. Në Komandën e Brigadës dhe të ZOSH ato ditë arrinin telegrame mbështetëse nga popullsia e Shalës, e Mitrovicës, e Vushtrrisë, e Drenicës, por edhe nga zona të ndryshme operative të UÇK-së, si: Zona Operative e Drenicës, Zona Operative e Dukagjinit, Zona Operative e Llapit19 etj.

Në telegramin e Zonës Operative të Drenicës, ndër të tjera thuhet:

Jemi me ju, mos iu nënshtroni presionit të paskrupullt të faktorit ndërkombëtar! Drenicën do ta keni mbështetje të fortë. Janë djemtë civilë, të paarmatosur shqiptarë që po i kidnapon Serbia para syve të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe jo ushtarët okupatorë, të armatosur deri në dhëmbë. Ata janë robër lufte. Morali i ushtarëve tanë është i lartë dhe do të shërbejë kudo që të ketë nevojë Atdheu, prandaj do të shërbejë edhe në Shalë. Mos u përkulni! Përshëndetje luftarake!20

Zona Operative e Dukagjinit në telegramin përkrahës dërguar Zonës Operative të Shalës, shkruante:

Jemi me Ju, shantazhet dhe presionet nuk na frikësojnë. Kur shqiptarët civilë të zihen e të mbahen peng, kjo nuk i bën aspak përshtypje Misionit Verifikues të OSBE-së, kurse kur ushtarët tanë zënë robër ushtarë okupatorë, i quajnë pengje. Para këtyre presioneve nuk lëshojmë pe. Ta mbajmë dinjitetin e ushtrisë sonë të lavdishme. Morali i ushtarëve tanë është rritur shumë nga qëndrimi i papërkulur i juaji, prandaj mbahuni të pamposhtur. Ndihma jonë nuk do të mungojë. Përshëndetje luftarake!21

Në telegramin përshëndetës dhe inkurajues të Zonës Operative të Llapit dërguar Zonës Operative të Shalës, ndër të tjera, thuhet:

Këto ditë, pas zënies robër të tetë ushtarëve pushtues, Zona juaj i është nënshtruar një presioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për lirimin e tyre. Lirisht mund të thuhet se gjatë këtyre ditëve ishit në qendër të opinionit ndërkombëtar dhe atij kombëtar. Mirëpo, ju me dinjitet të shkëlqyer jeni duke i bërë ballë këtyre presioneve joparimore të faktorit ndërkombëtar që të zënit rob të lirohen pa kushte… Me qëndresën e Juaj po i tregoni gjithashtu edhe pushtuesit se nuk frikësoheni nga kërcënimet e tij dhe se të gatshëm prisni të gjitha sulmet ofensive të tij… Qëndresa Juaj po merr përmasa madhështore. Jeni bërë këto ditë qendra e krenarisë kombëtare. Ju lumtë! Mbahuni!22

Telegram përkrahës për SHP të UÇK-së do të vijë edhe nga LKÇK në Zvicër. Në atë telegram, ndër të tjera, thuhet:

Të nderuar vëllezër, luftëtarë të lirisë! Qëndresa juaj vërtet ka ngritur moralin luftarak të ushtarëve të zonave të Drenicës, të Dukagjinit dhe të Llapit, ndërsa ne, në mërgim na obligon që Ushtrinë Çlirimtare ta ndihmojmë edhe më shumë se deri tash. Qëndresa juaj e paluhatshme Ushtrinë tonë Çlirimtare e bëri edhe më të lavdishme. Ju, vëllezër luftëtarë të lirisë, këto ditë vërtet jeni në qendër të vëmendjes kombëtare e ndërkombëtare dhe jeni krenaria e kombit. Ju lumtë mendja dhe pushka!23

Komanda e Zonës Operative të Shalës dhe komandanti i saj, Rrahman Rama, ishin entuziazmuar me këtë aksion, prandaj me anë të një telegrami shprehen kështu:

Komanda e Zonës Operative të Shalës falënderon të gjithë ushtarët dhe eprorët e Brigadës 141 “Mehë Uka” për trimërinë, gjakftohtësinë, gatishmërinë e plotë luftarake dhe disiplinën për kryerjen e detyrave ushtarake… Qëndrimi stoik i ushtarëve edhe eprorëve në istikame dhe morali i lartë luftarak, që u vërejt kudo në këtë Brigadë, ishte baza jonë mbështetëse për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në betejën gjashtëditore. Beteja jonë e fituar është humbje e thellë e armikut, prandaj duhet të qëndrojmë edhe më tej në shkallën e parë të gatishmërisë luftarake. U lumtë trima!24

Për marrëveshjen e arritur për këmbimin e robërve të luftës, në Likoc do të prononcohet edhe njëri nga përfaqësuesit e SHP të UÇK-së, Ramë Buja, i cili për Agjencinë Kosova Press, pas lirimit të tetë ushtarakëve serbë deklaroi:

Bisedimet zgjatën rreth pesë orë. Ato ishin të rënda, të mundimshme e të lodhshme. Vendimi për lirim u mor pas garancisë së dhënë nga tre përfaqësuesit e tri mekanizmave ndërkombëtar: SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së25.

Nga Zyra e Përfaqësuesit Politik të UÇK-së në Prishtinë jepet një Komunikatë, në të cilën ndër të tjera thuhet:

…Tetë ushtarët jugosllavë, të zënë robër nga njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Shalës u çarmatosën dhe, gjatë mbajtjes së tyre në arrest, si robër lufte, u trajtuan sipas konventave ndërkombëtare mbi luftën… Lirimi i tyre është pjesë e marrëveshjes së përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, me garancinë e Misionit Verifikues për lirimin e ushtarëve të UÇK-së të zënë robër, duke u bazuar në parimin e reciprocitetit për shkëmbimin e robërve të luftës, sipas rregullave ndërkombëtare26.

Lëvizja e Bashkuar Demokratike e komenton dhe e vlerëson kësisoj marrëveshjen e arritur për këmbimin e robërve të luftës:

Peshën e kësaj marrëveshjeje e rritë karakteri i theksuar politik e ushtarak, sidomos ai humanitar. Kjo dëshmon, jo vetëm epërsinë morale të ushtarëve tanë të lirisë, por edhe synimin e qartë politik e kombëtar dhe ndërgjegjen e lartë për misionin historik që i kanë vënë vetes27.

Agjensia Kosova Press, jep këtë koment:

Marrëveshja e arritur…ka ngritur moralin e ushtarëve dhe të popullsisë së kësaj ane. Mbretëron bindja e përgjithshme se, në këtë rast, më tepër se deri sot u legjitimua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si forcë dhe autoritet i patejkalueshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Njëkohësisht, konsiderohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka fituar legjitimitet, si palë ndërluftuese në konfliktin e Kosovës28.

Për marrëveshjen e arritur do të deklarohen edhe ambasadorët Uilliem Uoker, Kristofer Hill dhe Petriç:

Jemi të kënaqur që Ushtria Çlirimtare e Kosovës i ka liruar tetë ushtarët jugosllavë, si pjesë e një marrëveshjeje fer dhe të balancuar. Kjo është pjesë e një mirëkuptimi që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka arritur me bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori Petriç, Ambasadori Hill dhe unë kemi dhënë garancitë tona për përmbushjen e të gjitha pikave që ne i kemi diskutuar, shprehet ambasadori Uoker. Kurse ambasadorët Hill e Petriç do të deklarojnë: -Jemi të kënaqur që, në bazë të një marrëveshjeje të ndershme dhe të balancuar, UÇK-ja i liroi ushtarët jugosllavë29.

Nga Brukseli njoftohej se NATO kishte përshëndetur lirimin e tetë ushtarëve jugosllavë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës: Ushtarët jugosllavë ishin të zënë robër nga njësitet e UÇK-së më 8 janar të këtij viti. Burimet e Aleancës thanë se sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, prezantoi këtë lajm edhe në Këshillin e Partneritetit Evroatlantik, që përbëhet nga 44 shtete30.

Ja edhe disa komente e reagime të gazetarëve, reporterëve e diplomatëve në Shqipëri, Serbi, Francë, Britani, Gjermani, në Evropë, madje edhe në SHBA e Rusi.

Gazeta serbe “Vreme”, e datës 11 janar 1999, citon gazetën britanike “Sandey telegraf”, e cila njofton për bisedimet dramatike midis UÇK-së, dhe përfaqësuesve të Misionit Verifikues. Edhe pse po bëhej presioni i fuqishëm ndërkombëtar edhe ndaj komandantëve të UÇK-së në Dragobil, sipas gazetës, shqiptarët kryengritës, po kushtëzonin lirimin e ushtarëve me kërkesën që të lirohen nëntë pjesëtarë të UÇK-së. Sipas gazetës tjetër, “Der Standard”, rrëmbimi i tetë ushtarëve jugosllavë nga UÇK nuk ishte i rastësishëm, por ishte aksion i planifikuar… Koha kur ishte bërë aksioni, sipas gazetës, nuk ishte e zgjedhur rastësisht. Ajo lidhej me vizitën që kishte bërë kryesuesi i ri i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, ministri i jashtëm norvegjez Knut Volebek, i cili kishte udhëtuar në Jugosllavi, ku do të bisedonte si me Millosheviqin ashtu edhe me liderët shqiptarë të Kosovës, Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin… Në këtë mënyrë, sipas kësaj gazeta, UÇK-ja politikisht ka fituar rëndësi, peshë…. Ndërsa në komentin e gazetës “Vreme”, të datës 16 janar 1999, ndër të tjera thuhej: Nga kriza e pengjeve ka përfituar vetëm UÇK-ja… Është e qartë se shteti i Serbisë nuk është në gjendje që me mjetet e dhunës të shkatërrojë ose të mund UÇK-në. Të bësh përpjekje për një gjë të tillë, do të na kushtonte edhe më shtrenjtë sesa që kemi për të paguar. Në të vërtetë, UÇK-ja është shndërruar në faktorin më të fuqishëm politik të shqiptarëve31.

Atë kohë edhe qarqet politike serbe kishin reaguar rreptë ndaj aktit të zënies rob të 8 ushtarëve të tyre nga UÇK-ja. Sipas burimeve jugosllave të kohës, bisedimet për lirimin e ushtarëve të zënë robër po zhvilloheshin me ndërmjetësimin e Misionit Verifikues në Mitrovicë, Prishtinë dhe Dragobil32… Kjo po shkaktonte nervozizëm të madh në Serbi. Prandaj, kishte edhe reagime. Se sa të rrepta ishin reagimet në Serbi po veçojmë dy sosh. Kështu, Partia Demokratike e Zoran Gjingjiqit, pasi kishte shprehur indinjatën për rrëmbimin e ushtarëve, thoshte se çdo qytetar i Serbisë duhet të shtrojë pyetjen se çka është bërë deri në tash për t’u shmangur tragjeditë e tilla…33 Pra, në Serbi akti i zënies rob të ushtarëve të tyre konsiderohej tragjedi.

Reagime të ndryshme dhe të rrepta nga Beogradi pati jo vetëm me rastin e zënies, por edhe me rastin arritjes së marrëveshjes për këmbimin e robërve. Vojisllav Koshtunica, kryetar i Partisë Demokratike të Serbisë, këmbimin e robërve të luftës e konsideronte si një precedent tejet të rrezikshëm. Me këtë, sipas Koshtunicës, UÇK-së i është njohur legjitimiteti dhe se ajo ka dalë fitimtare, duke tërhequr për hunde edhe Beogradin, edhe Uashingtonin… dhe se UÇK është nivelizuar me Ushtrinë jugosllave34.

Çështja e këmbimit të robërve pati jehonë  edhe në Shqipëri. Këtë e pohon edhe Paskal Milo, ish Ministër i Punëve të Jashtme, në librin e tij “Ditari i një Ministri të Jashtëm”. Në atë kohë, Ministri i Punëve të Jashtme i Norvegjisë, njëkohësisht kryetar i radhës i OSBE-së, Knut Volebek, do të kërkojë nga Qosja të ndikojë në lirimin e robërve serbë të zënë nga UÇK-ja35. Se çështja ishte aq serioze dëshmon edhe fakti se edhe përfaqësuesi i OSBE-së në Shqipëri, Dan Everts, kishte kërkuar takim urgjent me akademik Rexhep Qosjen për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të ushtarëve serbë, sepse, shprehet ai, gjak i madh mund të derdhej, sepse Millosheviqi do të fusë në luftë forca të mëdha për t’i liruar ata! Nga akademik Qosja, Dan Everts kërkon me këmbëngulje për lirimin e robërve, siç i quan ai të rrëmbyer. Lirimi i serbëve, sipas tij, do të mund të shfrytëzohet shumë në të mirë të UÇK-së dhe të shqiptarëve në përgjithësi në Kosovë36.

Reagime, madje të rrepta, kishte edhe nga Franca. Qeveria e Francës do ta dënojë dhe do ta quajë aksion terrorist aktin heroik dhe human të UÇK-së. Madje, Qeveria e Francës u kishte bërë një demarsh vëzhguesve të OSBE-së që të ndërmarrin të gjitha masat për lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kusht37.

Siç shkruan gazeta gjermane “Tageszeitund”, edhe Gjermania kërkonte të liroheshin sa më shpejt robërit serbë të luftës38.

Rusia, madje, do të kërkojë që kjo çështje të dërgohej edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ditët e fundit, me nismën e Rusisë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së janë zhvilluar konsultime intensive lidhur me përkeqësimin e situatës në Kosovë, pra edhe për tetë ushtarët e UJ-së të zënë robër lufte nga UÇK-ja. Kësisoj MP të Jashtme e Rusisë kishte kërkuar që edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së të dilte me një deklaratë…39 Mirëpo, në fund edhe Rusia e kishte përshëndetur lirimin e grupit të ushtarakëve të Ushtrisë Jugosllave të kapur me 8 janar nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës40.

Këmbimi i robërve të luftës zuri vend edhe në shtypin amerikan. Sipas shtypit amerikan: Luftimet e reja në Kosovë kishin ngritur emergjencën e vëzhguesve ndërkombëtarë për të parandaluar një dhunë më të gjerë dhe për të liruar tetë ushtarët jugosllavë që i kishin zënë rob kryengritësit shqiptarë… Sipas shtypit amerikan, kur kryengritësit ishin pajtuar me lirimin e tyre, Knut Volebek, që njëkohësisht ishte edhe drejtor i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, kishte thënë se negociatat me UÇK-në kishin qenë të suksesshme. Lirimi i tetë ushtarëve serbë ishte bërë vetëm pasi autoritet qeveritare (serbe-M. K.) u kishin premtuar vëzhguesve se do të linin të lirë (9 ushtarët e UÇK-së-M. K.) kryengritësit e burgosur që kishin zënë në kufi të Shqipërisë një muaj më parë, brenda dhjetë ditësh…41

Çështja e këmbimit të robërve të luftës do të aktualizohet madje edhe në vitin 2011, atëherë kur Dik Marti del para opinionit me raportin e tij të famshëm, duke e akuzuar UÇK-në dhe krerët e saj në mënyrën më të padrejtë, madje edhe për trafikim të organeve. Reagimet do të jenë nga më të ndryshmet, por jo shumë argumentuese. Megjithatë, një përgjigje e mirë dhe e qëlluar do të vijë nga profesor Agim Vinca. Ai, ndër të tjera, do të shkruajë: …Qëndrimi i UÇK-së si formacion ushtarak ndaj serbëve lokalë, jo rastësisht, por si qëndrim politik, ka qenë tejet i kujdesshëm dhe korrekt… Se është kështu mjafton të përmendim një fakt shumë domethënës, që, për çudi, nuk më ka rënë ta dëgjoj në reagimet e shumta që pasuan ndër ne pas raportit të Dik Martit… Fjala është për zënien rob të tetë pjesëtarëve të Ushtrisë Jugosllave (një rreshteri dhe shtatë ushtarëve) në janar të 1999-tës nga pjesëtarët e UÇK-së të Zonës Operative të Shalës, të cilët u trajtuan në mënyrën më korrekte të mundshme, konform konventave ndërkombëtare, gjë që e konfirmuan vetë ata para përfaqësuesve të OSBE-së, që ndërhynë për lirimin e tyre… A nuk flet mjaft ky fakt për pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe epërsinë e saj morale në raport me forcat kundërshtare, të cilat vrisnin e masakronin pleq e fëmijë dhe dhunonin gra e vajza?…42

Nuk është për t’u çuditur që edhe pas kaq vjetësh nga përfundimi i luftës shkruhet, përmendet dhe veçohet kjo ngjarje, sepse …për historinë e UÇK-së, shënon të arriturat e saj më të mëdha gjatë luftës kundër forcave serbe43. UÇK me këtë akt të mençur …në secilin variant kishte dalë fitimtare karshi forcave jugosllave… Me këtë trajtim të njerëzishëm të robërve të luftës, UÇK fitoi shumë para opinionit dhe qarqeve diplomatike perëndimore… Kjo marrëveshje është konsideruar akt ndërkombëtar44.

Sipas ambasadorit U. Uoker, janë tri ngjarje që kanë ndodhur në Kosovë gjatë fundit të vitit 1998 dhe në janarin e vitit 1999, të cilat e kanë përshpejtuar thirrjen e Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje në dobi të Kosovës dhe popullit të saj. Njëra nga to, sipas tij, është marrëveshja me bashkësinë ndërkombëtare për lirimin e pengjeve të luftës45.

Mendoj se është rast i rrallë që një aksion ushtarak (siç ishte ai i Brigadës 141) të merrte përmasa të tilla politike e diplomatike, ku do të angazhohen aq vendosmërisht faktorë të fuqishëm vendorë dhe ndërkombëtarë për zgjidhjen e çështjes. Ky veprim i UÇK-së ndryshoi dukshëm imazhin dhe opinionin për të në sytë e faktorit ndërkombëtar. Kjo ia imponoi Serbisë që ta njoh de fakto UÇK-në si ushtri e barabartë me të sajën dhe si faktor shumë të rëndësishëm, pa të cilin nuk mund të arrihej asnjë marrëveshje.

Përkundër të gjitha këtyre vlerësimeve, komenteve e opinioneve pozitive etj., lidhur me ngjarjen në fjalë, janë bërë lëshime, janë hapur dhe të pavërteta (të cilat duam të besojmë se janë të paqëllimshme). Një gjë e tillë ka ndodhur në librin “Shqiptaro-amerikanët e UÇK-së” të autorit Uk Lushi. Aty thuhet:

“Në janar të vitit 1999, formacionet e UÇK-së, të komanduara nga Rrustem Mustafa (Komandant Remi), zunë rob tetë ushtarët jugosllavë në Zonën Operative të Llapit”46. Me gjithë respektin për autorin e këtij libri, për botuesin e librit, për Zonën Operative të Llapit dhe komandantin e saj, Rrustem Mustafën, duhet të them se e vërteta është tjetër, se faktet flasin ndryshe. Dhe e vërteta është kjo: Më 8 janar 1999, diku rreth orës 11:30, në hyrje të fshatit Bare të Shalës së Bajgorës, Njësiti Special në bashkëpunim me Policinë Ushtarake të Brigadës 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës, zunë rob 7 ushtarë dhe 1 rreshter të UJ-së, pa pasur mundësi që ata ta shkrepin asnjë plumb. Pra, UÇK kapi shtatë ushtarë të UJ-së dhe një oficer në rrethana poshtëruese, pranë Mitrovicës (në fshatin Bare-M. K.) 47. Siç flasin të gjitha faktet, siç flasin burimet të cilave iu referuam dhe, duke qenë se autori i këtij shkrimi ishte pjesë e këtij aksioni, atëherë është i padiskutueshëm fakti se ata ushtarë janë zënë në Shalë të Bajgorës, në zonën e përgjegjësisë të Brigadës 141 “Mehë Uka” (komandant i së cilës ishte Hysni Ameti) dhe të Zonës Operative të Shalës, komandant i së cilës ishte Rrahman Rama (aktualisht gjenerallejtënant dhe komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës).

Sido që të jetë, pavarësisht lëshimeve, komenteve, opinioneve e deklaratave në ndonjë rast jo korrekte, duhet të themi se kjo ngjarje “për historinë e UÇK-së, shënon një ndër të arriturat e saj më të mëdha gjatë luftës kundër forcave serbe”. Me këtë akt, siç është thënë me të drejtë, UÇK-ja ishte shndërruar në faktorin më të fuqishëm politik të shqiptarëve.” Për më tepër, ky akt flet më së miri se sa e drejtë dhe e pastër ishte lufta e UÇK-së.

(Pjesë nga një punim më i gjatë)

1 Miftar Kurti, Brigada 141 “Mehë Uka” e ZOSH, Punim Masteri, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2013; Instituti i Historisë-Prishtinë, Arkivi i luftës, Kosova Press, Prishtinë, 2016, f. 60

2 Asllan Istrefi, Po kthehet me gjoksore vrima-vrima, Prishtinë, 2016, f. 121-122.

3 Emin Musa, Shënim, 28. 06. 2013, Arkivi i Brigadës.

4 Miftar Kurti, Ditar lufte.

5 Miftar Kurti, Intervistë me Qamil Mehollin, Mitrovicë, 29.03. 2013.

6 Po aty.

7 Instituti i Historisë-Prishtinë, Arkivi i luftës…, f. 98.

8 Agim Zogaj: Vdekja e madhe erdhi pa paralajmërim, Zëri, Prishtinë, 16 nëntor 2002, f. 18.

9 Drita Simnica: Heroizmi kreshtave të Shalës, Ditar lufte, Vatra, Prishtinë, 2000, f. 54.

10 Instituti i Historisë, Arkivi i luftës…f.90.

11 Agim Zogaj: Vdekja e madhe…, f. 18.

12 Instituti i Historisë, Arkivi i luftës…, f. 98.

13 Po aty, f. 89, 92.

14 Aty, f. 94-95.

15 Aty, f. 110-111.

16 Fehmi Baftiu, Kosova krizë ndërkombëtare, Çlirimi, Prishtinë, 2004, f. 292, 293.

17 Instituti i Historisë, Arkivi i luftës.., f. 211.

18 Enver Krasniqi (njëri nga robërit e luftës), Shënim, Prishtinë, 6.05. 2013.

19 Instituti i Historisë, Arkivi i luftës…f. 99.

20 Instituti i Historisë, Arkivi i luftës…, f. 99; Letër përkrahjeje nga ZOD, janar 1999, Arkivi i Brigadës 141 “Mehë Uka”.

21 Instituti i Historisë, Arkivi i luftës… f. 99.

22 Letër përkrahjeje nga ZOLL, janar 1999, Arkivi i Brigadës 141 “Mehë Uka”; Instituti i Histirisë, Arkivi i luftës.., f.99-100.

23 Instituti i Historisë, Arkivi i luftës…, f. 100.

24 Po aty, f. 116-117

25 Aty, f. 116

26 Aty, f. 117

27 Aty, f. 118

28 Aty, 119

29 Aty, f. 115

30 Aty, f. 120.

31 Agim Zogaj, Vdekja e madhe, Zëri…f. 18.

32 Fahri Musliu, Ditari i një shqiptari në Beograd, Prizren, 2006, f. 11-13

33Po aty, f. 11, 12, 13.

34 Po aty, f. 15, 16, 20, 22, 23.

35 Paskal Milo, Ditari i një ministri të jashtëm, Botime Teona, Tiranë, 2009, f. 127; Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike (1990-1998), Ditar VII, Botimet Toena, Tiranë, 2016, f. 699-700.

36 Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike…, f. 699-700.

37 Fehmi Baftiu, Kosova krizë ndërkombëtare…, f. 289

38 Instituti i Historisë, Arkivi i luftës…, f.109.

39 Shaqir Vukaj, Rusia dhe Kosova, Tiranë, 2007, f. 230.

40 Po aty, f. 231.

41 Hajrudin S. Muja, Lufta e Kosovës në shtypin amerikan, Logos-A, Shkup, 2009, f. 164, 165.

42 Agim Vinca, Arti i reagimit, Artini, Prishtinë, 2011, f. 277, 278.

43 Agim Zogaj, Vdekja e madhe erdhi pa paralajmërim, Zëri, Prishtinë, 16 nëntor 2002, f. 18.

44 Blerim Shala, Vitet e Kosovës 1988-1999, Zëri, Prishtinë, 2003, f. 200.

45 Jakup Krasniqi: Kthesa e madhe, Buzuku, Prishtinë, 2007, f. 157.

46 Uk Lushi: Shqiptaro-amerikanët e UÇK-së, Koha, Prishtinë, 2009, f. 35-36.

47 Shih: Ditari Operativ i Brigadës 141 “Mehë Uka”, Arkivi i Brigadës; Gjeneralmajor Rrahman Rama, Fjalë rasti, 30. 06. 2009, Bare, Shalë e Bajgorës; Instituti i Historisë-Prishtinë, Arkivi i luftës, Kosova Press, Prishtinë, 2016, f. 90, 98, 99, 100, 117, 118, 119; James Pettifer, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Onufri, Tiranë, 2013, f.220; Hajredin Muja, Lufta e Kosovës në shtypin amerikan, Logos, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2009, f. 164, 165; Miftar Kurti, Ditar lufte.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …