Me moton “ Më përkrah sot që nesër të jem i pavarur”, Shoqata Down Syndrome Kosova (DSK), ka nisur fushatën vendore për shënimin e Ditës Botërore të Personave të Prekur me Sindromën Down . Për më tepër, “Më përkrah sot që nesër te jem i pavarur”, ka për qëllim t`i adresoj nevojat e komunitetit të personave të prekur me sindromën Down, tek përfaqësuesit kyç (vendimmarrësit) të institucioneve shtetërore dhe gjithë shoqërinë.
Fushata filloi me aktivitetin “Aftësitë për Art”, aktivitet ky i organizuar në bashkëpunim me shkollën “Mileniumi i Tretë”. Në këtë aktivitet, fëmijët e prekur me sindromën Down dhe fëmijët e shkollës “Mileniumi i III-të”, me anë të pikturave, treguan aftësitë e tyre për art.
Ndërsa që nga data 10 deri më 12 mars, fushata do te përcillet me aktivitetin e radhës, prezantimi i produkteve të Shoqatës Down Syndrome Kosova, në Sheshin “Nëna Terezë”. Ky aktivitet do të ketë përkrahjen e mësimdhënësve dhe nxënësve të shkollës “Mileniumi i III-të”, ku përveç produkteve te DSK-ës, në këtë aktivitet do të ketë edhe ushqim të përgatitur nga prindërit e shkollës “Mileniumi i III-të”. Të gjitha mjetet financiare të mbledhura nga shitja e produkteve, do të dedikohen për programet e Shoqatës DSK.
Në kuadër të fushatës vendore për Shënimin e Ditës Botërore të Personave të Prekur me Sindromën Down , më datë 15 dhe 16 mars DokuKino organizon shfaqjen e katër filmave vendorë, “Kali” me regji të Alban Ukaj dhe Yll Çitaku, “A është më mirë këtu apo atje”, nga Elena Avdija, “Ballkoni” nga Lendita Zeqiraj dhe “ Kolona” me regji të Ujkan Hysaj.
Të gjitha të hyrat nga shitja e biletave do t’i dhurohen Shoqatës Down Syndrome Kosova, qendrës në Prizren.
Gjithashtu, Down Syndrome Kosova do të vazhdojë aktivitetet e saja në kuadër të kësaj fushate deri më datë 22 Mars.
Shoqata Down Syndrome Kosova, për të dhjetën herë me radhë shënon Ditën Botërore të Personave të Prekur me Sindromën Down, këtë vit me moton “Më përkrahë sot që nesër të jem i pavarur”.
*Më këtë rast ju kërkojmë që të na mbuloni ngjarjen me pranin tuaj. Si gjithnjë, do të jemi shumë mirënjohës për prezencën tuaj në aktivitetet e fushatës për shënimin e Ditës Botërore të Personave me Sindromën Down.