Doli nga shtypi libri: “Shtigjet e lirisë – ditar lufte” i autorit, Naser Shala

Doli nga shtypi libri: “Shtigjet e lirisë – ditar lufte” i autorit, Naser Shala

Libri, Shtigjet e lirisë, është një ditar lufte i veprimtarit, Naser Shala, nga fshati Shalë i Drenicës Jugore, pjesëmarrës i luftës së UÇK-së në vitet 1998-1999.

Në këtë vepër autori ka radhitur kujtimet e tij të luftës dhe zhvillimeve kryesisht në fshatin Shalë dhe në fshatrat  përreth si: Krojmir, Pjetërshicë, Risinovc, Baicë, Kleçkë, Nekovc, e fshatra të tjerë, ku edhe ka vepruar gjatë kohës së luftës.

Përshkrimet e ngjarjeve të cilat i ka shënuar kohë pas kohe, janë dokumentare dhe pasqyrojnë përpjekjet për mbijetesë të popullatës civile, e cila ishte ballafaquar me tërë egërsinë e forcave pushtuese, duke qenë shënjestër e granatimeve nga distanca, por edhe e luftimeve të drejtpërdrejta të luftëtarëve të lirisë kundër forcave ushtarake dhe policore serbe.

Autori, nuk ka arritur të shënojë zhvillimet e çdo dite për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme dhe pamundësisë së qëndrimit në një vend të caktuar.

Megjithatë, ai edhe në kushte të tilla të pasigurisë për jetë, si edhe të gjithë banorët në zonat e luftimeve, në “Ditarin” e tij ka përshkruar edhe zhvillimet politike sipas medieve si dhe jehonën e luftës së UÇK-së, e cila ishte mirëpritur dhe përkrahej  unanimisht në zonat e përfshira në luftë e më gjerë, por kishte fituar edhe simpatinë e qarqeve demokratike  e përparimtare kudo në botë.

Naser Shala, gjatë luftës,  ka qenë pjesëtar i Drejtorisë për Marrëdhënie Publike dhe Administrim Civil, një sektor i veçantë i SHP të UÇK-së që kishte për detyrë të përkujdesej për popullatën civile, sidomos për atë që ishte zhvendosur dhe ishte strehuar  në pyje e lugina të lumenjve, me qëllim për t’ i ikur sulmeve të drejt për drejta   të forcave armike.

Kjo Drejtori kishte shtrirë veprimin në të gjitha fshatrat e përfshira në luftë dhe kishte për detyrë të përcillte organizimin civil-ushtarak në mbështetje dhe ndihmë të UÇK-së, në rregullimin e rrugëve, të ndihmonte edhe në hapjen e transheve e bunkerëve, të ndihmonte evakuimin e popullatës kur sulmohej nga forcat serbe, të ndihmonte të plagosurit, të rënët  dhe të  raportonte lidhur me zhvillimet ditore kurdo që kishte nevojë.

Duke qenë i përkushtuar për luftën, me kohë kishte menduar se zhvillimet në terren duhej të shënoheshin dhe të mos harroheshin, meqë lufta e UÇK-së nuk pasqyrohej drejt nga mediet në Prishtinë e më gjerë, sepse informatat nuk ishin nga vendi i ngjarjes, por ato sajoheshin në ndonjë burim,  i cili në shumë raste mund të mos ishte i sigurte. Ka ndodhur për shembull që një gazetar në Prishtinë kishte raportuar “se popullata në Grykën e Krojmirit nuk kishte ngrënë bukë tri ditë rresht dhe banorët po hanin grurin e pazier”, edhe pse raste të tilla nuk ka pasur pothuajse në asnjë zonë të luftës dhe në Krojmir jo se jo. Krejt kjo bëhej nga qarqet pacifiste me qëllim që popullata të ikte nga zonat e luftës dhe të mos qëndronte si logjistikë e saj.

Informim i drejtë, profesional dhe i përgjegjshëm në luftën e UÇK-së ka filluar prej 4 janarit të vitit 1999 kur kanë nisur  transmetimin Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress, punën e të cilave, autori i librit,  iu ka kushtuar vëmendje e besueshmëri.

Naser Shala, gjatë luftës, krahas kontributit fizik në DMPAC dhe në mesin e luftëtarëve të lirisë, ka arritur që të shënojë çdo lajm, të cilin e ka dëgjuar nga burimet e veta, nga shtypi, e mediet e tjera, me qëllim që ato luftime e zhvillime të mbesin të shkruara si dëshmi, për një luftë të drejtë çlirimtare, dëshmi për vuajtjet e një populli që ndodhej buzë katastrofës humanitare,  dëbimet të dhunshme nga trojet e veta, degdisjen e gjenocidin si qëllim për shfarosjen e tërë një populli, i cili përkrahte UÇK-së, meqë  kishte marrë përsipër çlirimin nga armiku shekullore serb me çdo kusht dhe me çdo çmim.

Pas rënies heroike të Kryekomandantit të luftës së UÇK-së, Adem Jashari me gati krejt familjes së tij të ngushtë dhe familjes e gjerë Jashari të Prekazit, në mars të vitit 1998, shqiptarët liridashës nuk kishin më mëdyshje, por ishin mobilizuar rreth UÇK-së dhe ishin vënë në shërbim e ndihmë të saj. Ky mobilizim është përshkruar me besnikëri  nga autori. në shumicën e ditëve të luftës.

Libri i Naser Shalës, “Shtigjet e lirisë – ditar lufte”, është një vepër dokumentare, e lehtë për t’u lexuar e për t’u kuptuar, e pasur me fakte e dëshmi të besueshme, të cilat kanë ndodhur në një territor të caktuar, por që kanë reflektuar edhe ngjarje të tjera dhe zhvillime të përgjithshme në zonat e luftës e më gjerë. Si çdo ditar lufte,  edhe ky libër ka mangësi që janë pjesë e kundrimit të ngjarjeve nga një kënd subjektiv, në një territor të caktuar dhe me individë po ashtu të një mesi të caktuar, ku ka vepruar autori.

Ky libër pasuron literaturën dokumentare të luftës së UÇK-së.

Librin  ka 290 faqe. Botoi, Radio-Kosova e Lirë, shtypi Lena grafik, në Prishtinë. (A.Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …