Në Shtime u shënua Dita Ndërkombëtare e Gruas – 8 Marsi. Kjo është dita kur shënohet lufta e grave për barazi ekonomike, politike dhe sociale me burrat.
Organizuar nga Zyra e Kryetarit, kjo ditë u shënua edhe në Komunën e Shtimes me një ceremoni festive, me ç`rast, kryetari Naim Ismajli ka ndarë buqeta me lule për punëtoret e administratës komunale duke ua uruar 8 Marsin.
Viti 1910, përkujtohet si viti kur u kremtua për herë të parë dita e 8 marsit, e njohur si Dita Ndërkombëtare e Gruas. Ishin të paktën 100 gra, përfaqësuese të një sërë vendesh evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbledhura në Kopenhagë të Danimarkës nën kryesinë e Klara Cetkinit, që vendosen që çdo vit, 8 Marsi, të përkujtohej si Dita Ndërkombëtare e Grave. Kjo ditë u zgjodh në kujtim të 8 Marsit 1857, kur rrobalarëset e Nju ¬Jorkut u ngritën në protestë për të drejtat e tyre kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër që u bëhej atyre dhe fëmijëve në punë.