Kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi, i kërkoi Sekretarit amerikan të Shtetit, Majk Pompeo, përgatitjen e një mekanizmi për tërheqjen e trupave amerikane nga vendi. Mahdi e bëri kërkesën gjatë një bisede telefonike me sekretarin Pompeo, pas vendimit të Kuvendit të Irakut i cili votoi pro dëbimit të trupave amerikane nga vendi. Parlamenti e ndërmori këtë veprim, pas vrasjes së komandantit iranian Kasem Suleimani, gjatë javës së kaluar në Irak, nga ana e Shteteve të Bashkuara. Në shenjë hakmarrje, Irani sulmoi dy baza ushtarake në Irak të cilat strehonin trupat e SHBA-së. Në Irak gjenden 5 mijë trupa amerikane. Kryeministri irakian i ka kërkuar sekretarit Pompeo që të dërgojë përfaqësuesit amerikanë për të përgatitur planet, për një tërheqje të sigurt të trupave amerikane. Mirëpo Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e kanë në plan t i tërheqin forcat nga Iraku.
