Në periudhën e kaluar gati 50-vjeçare të sundimit të sistemit socialist-komunist, në vendet socialiste, është mësuar dhe është studiuar marksizmi, jo vetëm si doktrinë, si drejtim në filozofi, por edhe si shkencë e materializmit dialektik. Ajo filozofi në esencën e kundrimit materialit të botës ka qenë dhe është shkencore, sepse shërbehet me fakte shkencore, por edhe trajtohet, analizohet e sintetizohet me një metodologji të mirëfilltë shkencore.
Për të parë dhe për t’ u bindur sot në qëndrueshmërinë e analizave shkencore të filozofisë marksiste, duhet të kthehemi e të lexojnë atë literaturë shkencore, pa paragjykime banale, idiotike, sepse ajo literaturë mohohet pa fakte, ose përjashtohet kategorikisht vetëm sepse është marksiste, dhe kjo bëhet në emër të barazisë dhe demokracisë dhe në emër të lirisë së shprehjes së mendimit të lirë e profka të tjera, që nuk i ha as tharku i derrave.
Frika nga komunizmi ka qenë dhe është evidente kudo në botën mujshare kapitaliste, sepse filozofia materialiste marksiste çjerrë maskat, denoncon krimin kapitalist në rrugë për t’ ia imponuar rendin e vet tërë botës.
Prej viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1990, në dy të tretat e shteteve të botës sundonte e majta socialiste komuniste, e cila edhe tani sundon më shumë se në gjysmën e botës, në pesë shtetet e forta komuniste në krye me Kinën, fuqia herë e parë herë e dytë ekonomike e ushtarake e botës, dhe prezenca e partive të majta socialiste në një pjesë të madhe të shteteve më të industrializuara të Evropës dhe të botës. Partitë socialiste, laburiste, punëtore, apo spektri i partive neoliberale, ekologjike e të gjelbra është i pranishëm dhe mjaft i zhvilluar kudo në botë.
Me qëllim për ta kuptuar më mirë sistemin e quajtur kapitalist në Kosovë, Shqipëri e më gjerë, të cilin po e mbajmë mbi supe si të keqen e domosdoshme, sikur gungën që e mbanë gungaçi gjatë tërë jetës, po u sjellim me këtë rast vetëm disa mendime shkencore të Leninit në studimin e tij shkencor: Tri Burimet dhe tri pjesët përbërëse të Marksizmit.
Duke i bërë një rekapitullim sistemit kapitalist para 100 viteve, ja si i referohej këtij formacioni shoqëror, Lenini, legjenda e klasës punëtore e tërë rruzullit…
Kapitali, i krijuar me punën e punëtorit, e shtyp punëtorin duke i rrënuar pronarët e vegjël dhe duke krijuar ushtrinë e të papunëve.
Në industri fitorja e prodhimit të madh të bie menjëherë në sy, po edhe në bujqësi ne shohim të njëjtin fenomen: epërsia e bujqësisë së madhe kapitaliste shtohet, zgjerohet përdorimi i makinave, ekonomia fshatare bie në kthetrat e kapitalit monetar, bie poshtë e më poshtë dhe rrënohet nën peshën e teknikës së saj të prapambetur. Në bujqësi format e rënies së prodhimit të vogël ndryshojnë, por vetë kjo rënie është një fakt i padiskutueshëm.
Duke e mundur prodhimin e vogël, kapitali çon në rritjen e rendimentit të punës dhe në krijimin e pozitës monopoliste të bashkimeve të kapitalistëve më të mëdhenj. Vetë prodhimi bëhet gjithnjë më shoqëror, — qindra mijëra dhe miliona punëtorë lidhen në një organizëm ekonomik të drejtuar me plan, kurse produktin e punës së përbashkët e përvetëson një grusht kapitalistësh. Shtohen anarkia në prodhim, krizat, gara e tërbuar për të siguruar tregje, pasiguria e jetesës së masës, së popullsisë.
Duke i bërë punëtorët gjithnjë më të varur nga kapitali, rendi kapitalist krijon fuqinë e madhe të punës së bashkuar. Marksi e ka ndjekur zhvillimin e kapitalizmit që nga embrionet e para të ekonomisë së mallrave, që nga këmbimi i thjeshtë deri te format e tija më të larta, deri te prodhimi i madh.
Dhe eksperienca e të gjitha vendeve kapitaliste, si të vjetra, ashtu edhe të reja, ua tregon qartë nga viti në vit një numri më të madh punëtorësh saktësinë e kësaj teorie të Marksit.
Kapitalizmi ka fituar në gjithë botën, por kjo fitore është vetëm pragu i fitores së punës mbi kapitalin.
Lenini jo vetëm që i kishte bërë anamnezën shoqërisë kapitaliste e feudale të kohës së tij, por ai kishte shkuar edhe shumë më larg, duke kryer të parin Revolucion botëror të punëtorisë e të fshatarësisë në Rusinë feudale borgjeze, e cila edhe ashtu ishte duke vdekur nga vetvetja, nga kontradiktat klasore e shoqërore që kishin arritur kulimin dhe në atë luftë kishte fituar shumica (bolshevike) sovjetike.
Nuk është fjala për ndonjë nostalgji, as argatëri që mund t’ i bëhet një sistemi, që kishte arritur ta bënte faktor klasën e të varfërve e të shtypurve, duke u bazuar në mësimet e internacionales:
Ngrihuni ju o të munduar
ju te urët skllevër anë e mbanë
na buçet gjaku i turbulluar
s’duam padron dhe as tiran.
Botën mizore ne do ta shkatërrojmë
që nga themelet e pastaj
me duart tona do të ndërtojmë
botën e re në vend të saj.
Është lufta finale
vendimtarë mbi dhe
Internacionale
do jete botë e re.
Sot në kaosin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, në kapitalizmin e xhunglës, kemi një regjim edhe më shfrytëzues e më kriminal sesa kapitalizmi standard, sepse këtu përfitimi, zhvatja shfrytëzimi nuk bëhet sikur në sistemin kapitalist prej industrialistëve, magnatëve, që të paktën të ofrojnë punë me detyrime dhe obligime të caktuara.
Këtu, militanti i djeshëm partiak, në garën zgjedhore sapo i fiton zgjedhjet, automatikisht fiton edhe të drejtën e udhëheqjes së institucioneve, dhe, për fitoren që ka marrë nga 20 apo pak më shumë për qind të atyre, që kanë marrë pjesë në zgjedhje, e merr në dorëzim buxhetin e shtetit, të cilin e ndanë për vete, duke u bërë përfitues i një kapitali të përbashkët shoqëror, pa derdhur asnjë pikë djerse, pa investuar, pa rrezikuar asnjë pasuri, pronë apo investim.
Kjo është gara e partive politike në sundimin e sotëm kapitalist në Kosovë, dhe në këtë garë më të lehtë, sesa gara në futboll apo në sporte të tjera, të drejtën për të qeverisur e merr jo kapitalisti që ka investuar në industrinë e tij, por produktin e punës së përbashkët e përvetëson një grusht politikanësh. Ata pasi kanë fituar zgjdhjet duke blerë vota, duke i mashtruar votuesit me premtime, duke u zotuar se në rast fitoreje do të fitojnë të gjithë nga paraja publike, gjatë një apo më shumë mandateve fitojnë edhe të drejtën për ta ndarë buxhetin e vendit, sipas orekseve të tyre.
Pikërisht paraja publike bëhet mollë sherri në pazarin e ndarjes së pushtetit. Ky karrem bën që të bashkohen për të bashkë-qeverisur, ata që deri dje kanë bërë përpjekje t ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit, të djathtë e të majtë, sepse të gjithë i bashkon qëllimi i përbashkët, zhvatja e buxhetit për interesa të tyre dhe jo për të mirën e popullit.
Andaj nuk ka asgjë të keqe të merren në shqyrtim përvojat botërore të zhvillimit të regjimeve shoqërore, të krahasohen ato dhe të zbulohen forma qeverisëse, të cilat nuk prodhojnë kontradikta të thella në zhvillimin heterogjen të një shoqërie, sikur është kjo ta themi shoqëria jonë me elemente feudo-kapitaliste, ku krejt gara e marramendshme bëhet për t’ iu qepur pushtetit dhe për të siguruar pastaj materialisht veten, të afërmit, partiakët, votuesit, jo vetëm për një brez. Ky është kapitalizmi, që për një natë të bën milioner, dhe nuk ndalet me kaq, por mbetet vazhdimisht në garë, jo për ta ndërruar botën e re të lirisë e të barazisë për të gjithë, por vetëm për fitimtarët, mujsharët, të agraisurit, deledashët, gjysmakët, ata që i dalin zot çdo pune, vetëm me qëllim për t u pasuruar brenda një kohe të shkurtë, pa investuar asgjë, por duke përfituar nga rendi shoqëror i cili e jep këtë mundësi, duke u mbështetur në ligjet e lirisë, barazisë dhe konkurrencës së të gjithëve, në një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve…
( Ahmet Qeriqi)
12. 1. 2020