Në muajt e parë të këtij viti pritet të përfundojnë punimet tek rrethi i Veternikut

Në muajt e parë të vitit 2020, pritet të përfundojë zgjerimi i rrugës nacionale N2, përkatësisht segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës nga ana e Veternikut, bashkë me urën që lidhë rrugët nacionale N2 dhe N25.2, me kyçjen e autostradës R7  “Ibrahim Rugova”.

Me 10 korrik të vitit të kaluar filluan punimet për zgjerimin në hyrje të Prishtinës, bashkë me urën që lidh autostradën “Ibrahim Rugova”.

Mirëpo punimet për zgjerimin e kësaj rruge ende nuk kanë përfunduar dhe janë duke shkaktuar kolona të gjata në këtë pjesë, sidomos te rrethi në hyrje të autostradës.
Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) kanë thënë se punimet pritet të përfundojnë 155 ditë nga data kur kanë filluar punimet.

“Punimet kanë filluar me 10 korrik 2019 dhe me kontratë parashihen 155 ditë pune, me mundësi plus 30 ditë shtesë që përcaktohen nga operatori në bazë të kushteve atmosferike dhe mundësisë së punëve shtesë”, thuhet në njoftimin e MIT.

Kolona të gjata dhe tollovi në qytet kanë shkaktuar punimet në rrugën te ura në Veternik. Menaxheri i projekti në Departamentin për menaxhimin e rrugëve nga Ministria e Infrastrukturës, Isa Berisha, tha për Radio Kosovën se kompania kontraktuese do t’i përfundojë punimet e parapara brenda 60 ditëve pasi që të përfundojë sezoni dimëror.
“Bazuar në planin dinamik dhe rrjedhjen e punimeve dhe përfundimin e periudhës së dimrit, besoj që kompania së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës do t’i përfundojë punimet në afatin e paraparë, që janë edhe 60 ditë parapara të planifikimit nga pjesa kur përfundon sezoni dimëror”, tha Berisha.

Kompania kontraktuese është “Eskavatori Company Sh.P.K” nga Ferizaj dhe vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 2.5 milionë euro.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …