Në rrugën e gjatë për liri e pavarësi një kontribut e meritë të madhe kanë nënat shqiptare, ato të cilat përkundër gjendjes ekonomike, sociale, politike të kombit shqiptar kanë ditur ta mbajnë gjallë atdhetarizmin dhe ti japin shtytje duke përkrahur bijtë e tyre në rrugëtimin me plotë rreziqe por gjithmonë në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar dhe në rrugën e drejtë për liri. Njëra ndër ato është nëna Nemkë, veprimtare e shquar në luftën për çlirimin e Kosovës.
Nemke Brahimaj rrjedh nga një familje e madhe dhe bujare nga Rozhaja e Sanxhakut, e cila me nder dhe krenari ju bëri ballë furtunave të jetës deri në rënien e saj si një heroin.
Nemka u martua me Sadik Brahimajn nga Novosella e Pejës, një njeri me tipare të larta morale e patriotike. Sadiku që herët ishte aktiv në organizimit ilegale të viteve 50-të dhe 60-të të shekullit të kaluar. Bashkë edhe me Avdi Brahimajn dhe Ramush Brahimajn bënin pjesë në organizatën BTSH ( Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare), të cilët kryenin aksione të ndryshme në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar dhe kundër trysnisë së robërimit shekullor serbë. Sadiku dhe Nemka kishin pesë fëmijë: Ahmet Brahimajn (ish drejtor i trupës së Baletit të Kosovës) i dekoruar me urdhrin e lartë – Artistë i Merituar, Ramiz Brahimajn ( dëshmor i kombit) i dekoruar me urdhrin e lartë – Hero i Kosovës dhe vajzat Gjylen, Eminen dhe Ajshen.
Luftëtarët e lirisë, disa prej tyre sot dëshmor të kombit Nënën Nemkë e quanin: Heroinë, Malësore, Atdhetare, Nënë të UÇK-së. Shtëpia e saj ishte çerdhe e UÇK-së në anën e Podgurit të Pejës, pak kush merrte rrugë nga lagjja Haxhiaj për në Rosuli e Rugovë pa kaluar nëpër vatrën e shtëpisë së Nemkës e cila me bujarin e saj nuk lëshonte askënd pa bukë sepse tradita e shqiptarit e ruajtur ndër brezni na tregonte se shtëpia është e Mikut dhe e Zotit. Pritja tipike shqiptare në vatrën e Tahir Fekës ishte shëmbëlltyrë se nënat shqiptare kanë ruajtur me fanatizëm: kulturën, traditën, gjuhën, atdhedashurinë dhe i përcollën po me aq nder e krenari në gjeneratat pasardhëse.
Qindra ushtarë të lirisë që kaluan në shtëpinë Shtab të Ramizit që nga viti 1997 e deri në vitin 1999 u mirëpritën nga nëna Nemkë me “bukë e krip”. Nemka bashkë edhe me Hidajeten bashkëshorten e Ramizit lanin e shpërlanin rrobat, këpucët, çorapet e të gjithë ushtarëve që qëndronin në shtëpinë e tyre. Një kontribut të shquar në sigurimin e ushqimit për luftëtarët e lirisë e dhanë të gjitha gratë e lagjes Haxhiaj si: Xhemilja, Zoja, Raza, Sofia, Nifa, Nusha, Fatimja e shumë të tjera.
Pas 8 prillit 1999 kur edhe u vra njëri ndër kriminelët më të mëdhenjtë serbë Vidomir Salipur, lagjja e Haxhiajve fillon të garantohet nga artileria e rëndë e ushtrisë çetnike serbe krahas edhe sulmeve të drejtpërdrejta. Me datë 10 prill 1999 plagoset rëndë në kraharor dhe fytyrë Nëna Nemkë. Ofensiva serbe e atyre ditëve detyroi popullatën të largohen për në drejtim të bjeshkëve të Rosulisë e më pastaj të merrnin edhe rrugën për në Rozhajë. Numri i refugjatëve dhe familjarëve ishte shumë i madh të cilët kishin gjetur strehim në lagjen Haxhiaj. Me datë 18 prill 1999 në fshatin Husaj, forcat ushtarake serbe që ishin pozicionuar më parë shtien në drejtim të kolonës së refugjatëve duke lënë të vrarë Nënën Nemkë, Murselin, Sherifin, Rexhepin, Milazimin dhe Labinotin. Kurse Ramizi vritet në Qafë të Hajlës.
Martirja e heroina e kombit Nemke Brahimaj u varros pas lufte në memorialin e dëshmorëve dhe martirëve të Novosellës me nderime të larta ushtarake. Nëna Nemkë është bashkë kohanikë e Zahide Jasharit, Aze Brahimajt e shumë nënave të tjera që dhanë shumë për lirinë dhe pavarësin e Kosovës.
Lavdi jetës dhe veprës së nënës Nemkë!
Kontrolloni gjithashtu
BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme
Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …