Në emisionin javor, “Bisedë” në Studion e TV-Diellit dhe në valët e Radios-Kosova i lirë, për disa segmente të jetës dhe angazhimit të tij të gjithanshëm në shërbim të kombit e atdheut, ka folur veprimtari, i burgosuri politik, mjeku i luftës së UÇK-së, kirurgu i njohur i QKUK-së, Fitim Selimi.
Doktor Fitimi rrjedhë prej një familje me tradita atdhetare e vazhdimisht qëndrestare, përballë sunduesve dhe okupatorëve të ndryshëm të Kosovës e trevave të tjera shqiptare.
Gjyshi i tij Qerim Selim Banulla me vëllanë e vet, Hazirin dhe shumë bashkë-veprimtarë për shkak të rezistencës dhe veprimtarisë në kuadër të LNDSH-së ka qenë i dënuar 20 vjet burg nga regjimi i Titos, në vitin 1946, ndërsa vëllanë e tij Hazirin, serbët e kishin pushkatuar pa gjyq.
I lindur dhe i rritur në një familje të tillë, ai ishte edukuar në frymën atdhetare duke treguar gatishmëri për të vazhduar aspiratat për çlirim dhe bashkim të shqiptarëve. Duke kërkuar bashkëmendimtarë dhe bashkëveprimtarë, qysh në rini iu kishte bashkuar radhëve të Lëvizjes së Fshehtë Atdhetare, gjatë shkollimit të mesëm në Lipjan e më gjerë. Po ashtu kishte qenë pjesëmarrës aktiv në kryengritjen e marsit e Prillit të vitit 1981 dhe kishte vepruar pa ndalur deri në vitin 1986 kur edhe arrestohet e burgoset në mesin e shumë bashkëveprimtarëve.
Pas burgut ka mbaruar pjesën e mbetur të studimeve dhe në vitet 90 është angazhuar në proceset politike të kohës së bashku me Ramë Bujën, Shukri Bujën, Heset Sahitin, Avdi Kelmendin e shumë të tjerë.
Ishte në kontakt me strukturat e para komanduese të UÇK-së dhe qysh në maj të vitit 1998, Fitim Selimi angazhohet në dërgimin e ndihmave për luftën e UÇK-së nga Fondi i Emergjencës, i cili edhe pse ishte krijuar për ndihmë të popullatës civile, në kontakt me Selatin Novosellën që ishte edhe përgjegjës i Fondit, kishte arritur të dërgonte ndihma të shumta në ushqime, barna e mjete të tjera në rajonin e fshatrave të Drenicës jugore, disa fshatrave të Rrafshnaltës dhe të Malishevës, ku ishin krijuar dhe vepronin pikat e para të UÇK-së.
Një kontribut të veçantë mjeku dhe luftëtari i lirisë, Fitim Selimi, i ka dhënë organizimit të pikave të shëndetësinë në fshatrat Krojmir, Shalë, Blinajë e fshatra të tjerë, që i mbante nën siguri e kontroll Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Së bashku me mjekët që iu kishin përgjigjur luftës si Naser Bytyçi, Jakup Ismajli, Avdullah Fazliu, më herët edhe Hafir Shala, i cili ende konsiderohet i pagjetur, si dhe me shumë mjekë të tjerë, me të cilët kishte kontakt, Fitim Selimi me kolegët e tij, të gjithë luftëtarë të lirisë, ka dhënë një kontribut madhor në sistemimin e konsolidimin e punkteve shëndetësore të luftës, të cilat ishin në shërbim të popullatës së zhvendosur e që asokohe iu kishte ekspozuar granatimeve të përditshme të armëve të forcave ushtarake e policore serbe.
Pas konsolidimit të këtyre pikave ambulante të shëndetësisë në kohën kur luftëtarët e lirisë kishin depërtuar, në Blinajë në qershor të vitit 1998 dhe e kishin marrë nën kontroll Hotelin dhe objektet e tjera, ishte angazhuar për sigurinë shëndetësore të ushtarëve, por edhe të popullatës, e cila pësonte nga granatat dhe armët e forcave të regjimit të Milosheviqit.
Në ofensivën e 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998, me rastin e mësymjes së forcave ushtarake e policore serbe nga shumë pika si nga Carraleva e Zborci, pastaj nga Magurja e Leletiqi e Mirena me qëllim për ta rrethuar pikën strategjike të Blinajës, Fitim Selimi, së bashku me Heset Sahitin një luftëtar tjetër i radhëve të para të UÇK-së e me bashkëluftëtarët e tij, kishte arritur ta tërhiqte me sukses kontingjentin e barnave dhe pajisjeve mjekësore që kishin qenë në atë pikë, në drejtim të Krojmirit e të Shalës.
Pastaj, Fitim Selimi ka folur për punën dhe aktivitetin e përgjithshëm që ka zhvilluar në mesin e popullatës së zhvendosur në Grykën e Krojmirit në Grykën e fshati Shalë e gjetkë, sipas nevojave ditore gjatë zhvillimeve në terren. Në verë të vitit 1998 një kohë kishte qenë i angazhuar në pikën shëndetësore të fshatit Kleçkë, ku ishte edhe komanda e Brigadës 121, Ismet Jashari Kumanova, në kohën kur ishin sjellë shumë të plagosur nga zona e Dukagjinit në mesin e tyre edhe komandanti i njohur i pikës së Smolicës, dhe i luftës së UÇK-së, Naim Maloku e të tjerë.
Me rastin e strukturimit të UÇK-së në muajt tetor nëntor të vitit 1998, mjeku i luftës, Fitim Selimi ishte në radhët e formimit e konsolidimit të drejtorive civile ushtarake, të SHP të UÇK-së dhe kishte marrë për detyrë ta hartonte detabazën e strategjisë së veprimit dhe konsolidimit të strukturave shëndetësore të Brigadës 121, Ismet Jashari Kumanova, Brigadë kjo e cila mbahej nën rrethim të hekurt nga forcat policore e ushtarake serbe por nuk ishte thyer në asnjë ofensivë dhe ishte konsoliduar në nivelin më të lartë organizativ dhe operativ.
Lidhur me punën dhe hartimin e strategjisë së strukturave shëndetësore, doktor Fitim Selimi, kishte dhënë një intervistë të gjatë në Radion Kosova e lirë, qysh në shkurt të vitit 1999, ku asokohe kishte segmentuar ecurinë, organizimin, sistemimin dhe funksionimin e shëndetësisë, në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme të luftës.
Ai ka folur edhe për jehonën që ka pasur fillimi i transmetimit të programit nga Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress në mobilizimin e masave dhe në trimërimin e popullatës së zhvendosur, e cila ishte bërë logjistikë e luftës së UÇK-së, duke qëndruar e patundur e pa luhatur dhe në funksion të luftës deri në mbarimin e saj.
Një pjesë të bisedës në studion e TV-Diellit, Fitim Selimi ia ka kushtuar edhe trajtimit që iu është bërë luftëtarëve të plagosur, jo vetëm të Brigadës por edhe të zonave të tjera ku niveli i organizmit shëndetësor kishte qenë më i mangët, në mungesë të konsolidimit me kohë, si dhe për shkak të rrethanave dhe zhvillimeve të caktuara. Ai ka veçuar me këtë rast zbarkimin e helikopterëve të NATO-s në Rrafshnaltë, kur ato kishin sjellë barna ushqime madje edhe naftë dhe gjatë kthimit kishin bartur për të Shqipëri, luftëtarët e plagosur rëndë. Fitimi flet me emocion të veçantë, kur ka parë të zbarkohen në afërsi të selisë të Shtabit të Përgjithshëm, forcat e Aleancës Veriatlantike dhe kontributin që kanë dhënë ato në çlirimin e Kosovës.
Mjeku i luftës, intelektuali, veprimtari e publicisti, Fitim Selimi ka folur edhe për kontributin, që ka dhënë pas luftës, sidomos në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, kur ishte caktuar Drejtor i Drejtorive të Spitaleve rajonale të vendit dhe ku ishin marrë të gjitha masat organizative për konsolidimin e radhëve, kishin funksionalizuar Këshillin parë të QKUK-në, emërtimin shqip të institucioneve dhe dikastereve të shëndetësisë, në kushte kur forcat serbe kishin lënë gjendjen kaotike, në kohën e dëbimit nga Kosova. përfundimisht më 21 qershor të vitit 1999.
Duke qenë i angazhuar në jetën politike dhe atë të shtet-ndërtimit të vendit, Fitim Selimi në studion e TV-Diellit ka folur edhe për gabimet e shumta që janë bërë në kohën e pasluftës, privatizimin në mënyrë të egër dhe abuzues nga politika e kohës bashkë me një segment të ndërkombëtarëve, ndasitë e përçarjet, luftën e ashpër politike, jo me qëllim të ndërtimit e fuqizimit të Shtetit të Kosovës, por për përfitime grupore e individuale, të cilat kanë çuar dhe në stagnimin e proceseve zhvillimore të vendit.
Shkaktarin kryesor të kësaj gjendje të rëndë, mjeku i luftës, Fitim Selimi e evidenton në mosgatishmërinë për sakrificë të njerëzve dhe mungesa e burrërisë për të pranuar dështimet, gabimet dhe mos angazhimin e duhur. Ai ka ruajtur edhe ditarin e luftës, ku ka shënuar të gjitha ngjarjet me rëndësi gjatë asaj kohe, që është një kontribut tjetër i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm për historinë e luftës së UÇK-së, në kushtet dhe rrethanat historike, kur ajo luftë ka rezultuar me çlirimin e vendit në qershor të vitit 1999 dhe shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008.
Ftim Selimi është një veprimtar i palodhshëm që është rritur dhe edukuar në kthesat vendimtare të Lëvizjes sonë Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar dhe që ka dhënë një kontribut të madh në të gjitha lëvizjet e kohës, para gjatë dhe pas luftës, gjithnjë në shërbim të kombit e atdheut.
(Bisedën me doktor, Fitim Selimin në Studion e TV-Diellit e realizoi, drejtori i Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi).
17 janar 2020
Prishtine