Investimet në qendrat grumbulluese për pemë e perime, kanë lehtësuar veprimtarinë bujqësore të shumë fermerëve vendorë. Njëra nga këto qendra, e cila merret me grumbullimin e frutave të malit, është kompania “Besiana G”, që menaxhohet nga Visar Aliu e i cili tregon se ka 30 vite që merret me grumbullimin e këtyre frutave. Në Prelez të Ferizajt, ai grumbullon dhe përpunon dredhëza, mjedra, manaferra e boronica. Në këtë vend frutat e malit i sjellin një numër i madh i fermerëve të kësaj ane.
“Kompania “Besiana G” merret më grumbullimin e frutave të malit. Kemi një eksperiencë më shumë se 30 vjeçare dhe punën tonë e kemi filluar me grumbullim e më pastaj edhe me përpunimin e frutave të malit. Tani kompania jonë i ka 400 fermer që kultivojnë mjedrën, dredhëzën, manaferrën, ku gjithë këto produkte të cilat i kultivojnë e kanë një adresë ku të dorëzojnë”, tregon ai. Duke folur për veprimtarinë e kësaj kompanie, Aliu thotë se fruti kryesor, i cili grumbullohet në këtë fabrikë është mjedra dhe se një pjesë e madhe e këtyre frutave eksportohet jashtë vendit. Mbi 800 tonë të këtij fruti, Visar Aliu, i dërgoi vitin e kaluar në Gjermani.
“Viti 2019 për kultivuesit e këtyre frutave ka qenë vit shumë i mirë pasi që është rritur dyfish çmimi në krahasim me vitin e kaluar e po ashtu edhe interesimi ka qenë mjaft i madh. Krahas kësaj edhe për neve si kompani grumbulluese ka qenë një vit mjaft i frytshëm sepse ka pasur kërkesa të mëdha për këto prodhime bujqësore e sidomos për mjedër”, thotë ndër tjerash Aliu, duke treguar se gjatë vitit të kaluar kanë arritur të eksportojnë mbi 800 tonë mjedër dhe 200 tonë dredhëza.
Përveç në Ferizaj, “Besiana G” ka edhe 2 pika tjera grumbulluese. Novobërda e Shtërpca janë vendet tjera ku fermerët e këtyre zonave mund të dorëzojnë produktet e tyre. Përfaqësuesi i kësaj kompanie tregon se pas grumbullimit, frutat malore kalojnë në disa faza të selektimit, ngrirjes dhe pastaj dalin në treg.
“Menjëherë pas pranimit të produkteve kompania jonë i ka frigoriferët ku bëhet ngrirja në -40 gradë dhe ku ruhet kualiteti dhe cilësia e produktit. Këto fruta, të cilat i grumbullojmë ne e kërkojnë ngrirjen sa më të shpejtë në mënyrë që qëndrueshmëria dhe kualiteti të jetë sa më i mirë”.
Por, zhvillimin e këtyre qendrave grumbulluese në mënyrë të vazhdueshme e ka përkrahur Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Aliu tregon se në gjitha fazat e saj, kompania e tij ka marrë përkrahjen e MBPZHR-së.
“ Në vitin 2014 me përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë kemi rritur kapacitetet ekzistuese e bashkë me këtë është rritur edhe numri i fermerëve kultivues të këtyre frutave, e të cilët Ministria e Bujqësisë po i përkrahë tashmë me nga 8 centë për kilogram të sasisë së dorëzuar”, ka treguar fermeri Visar Aliu.
Në fabrikën e tij tanimë më nuk është asnjë frut malor, pasi që ai ka arritur t’i shesë të gjitha produktet e grumbulluara nga fermerët
Ai tregon se i kane eksportuar të gjitha produktet e grumbulluara në vitin 2019.
Cilësinë e produkteve të qendrës grumbulluese “Besiana G” e kanë verifikuar edhe auditorët e vendeve të jashtme. Kjo kompani është e certifikuar me standarde më të larta evropiane.
Përfaqësuesi i “Besiana G”, Visar Aliu tregon se kjo kompani është e certifikuar me standarde HASP-in ISM 22000, ISM 9001. Ndërkaq, tashmë ai thotë se janë në proces të certifikimit të ISF-së, që është standardi kryesor që kërkojnë kompanitë evropiane. Ndërkaq, në vitin 2020 ai thekson se do të jenë pjesë edhe e standardit BIFS, i cili është standard që kërkohet në tregun anglez. Kjo kompani ka të punësuar mbi 60 punëtorë sezonal.
https://www.mbpzhr-ks.net/sq/lajmet/qendrat-grumbulluese-garantojne-tregun-per-fermeret