Burim Piraj, pronari i fabrikës “Meka” tha se suksesi i biznesit është i garantuar vetëm kur punëtorët janë të kënaqur me punën e tyre. Këto komente ai i bëri në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK ku foli për sfidat dhe investimet në prodhimin vendor .
Piraj tha se kompania e përpunimit të mishit “Meka” e ka përmbyllur vitin me sukses të plotë. Ai njoftoi se gjatë vitit që lamë pas punëtorëve ua ka dhënë pagën e 14-të.
“Me 15 korrik e bëjmë pagesën e pagës së 13-të, ndërsa me 15 janar pagën e 14-të. Kemi zgjerim të prodhimtarisë, të produkteve, të hapësirave prodhuese, të shtimit të numrit të punëtorëve dhe gjithashtu edhe pagesën e pagës së 14-të”, tha ai.
Piraj tha se premtimin për pagën e 14-të e kishte bërë në bazë të trendëve të shitjes që kishin dhe të shtimit të rritjes së kapaciteteve.“Kam qenë i sigurt se do të arrijmë një gjë të tillë dhe vërtetë ndodhi. Ka qenë produkt i punës së punëtorëve, i rritjes së shitjes ajo e cila neve na ka mundësuar të paguajmë pagën e 14-të. Ajo është rezultat i punës së punëtorëve, nuk është thjesht një meritë e jona, por është meritë edhe e gjithë stafit. Punëtorët janë falënderues dhe kjo për ta është motiv shtesë”, tha ai.
Piraj tha se në qoftë se nuk janë të kënaqura burimet njerëzore në kompani, atëherë ajo nuk mund të funksionoj si duhet .“Ai tha se shumë rëndësi të madhe ka suksesi i kompanisë me trajtimin e punëtorëve. Kjo lidhet me çështjen e besimit, lidhet me menaxhimin e suksesshëm të kompanisë”, tha ai.
Ai njoftoi se këtë vit do të dalin edhe me dy produkte të reja, duke shtuar se kanë kërkesa shumë të mëdha për eksport të produkteve të tyre edhe jashtë vendit.
“Ende nuk mund të eksportojmë për shkak se Kosova nuk mund të eksportoj produkte me prejardhje shtazore në vendet e Bashkimit Evropian. Në moment që Kosovës i jepet drita e gjelbër për të eksportuar këto produkte, ne do të eksportojmë dhe kemi kërkesa shumë të mëdha dhe atëherë mendojmë se do të kemi një punësim të konsideruar të punëtorëve”, tha pronari i Fabrikës për Përpunimin e Mishit “Meka”, z. Burim Piraj.