Gjokë Dabaj

GJOKË DABAJ: DO TË VIJË NJË KOHË TJETËR I

Shkrimin me titull “Namik Luci, inxhinieri nga Peja që u arrestua i akuzuar se do t’i bënte atentat Enver Hoxhës” e lexova te gazeta “Tema” e datës 26 dhjetor 2019.

Para disa vjetësh, me kërkesën e bashkëshortes së tij Leno Lucit, si njëri prej shokëve të Namikut, kam shprehur edhe unë mendimin tim në librin që i kushtohet atij dhe atje marrëdhëniet tona janë treguar gjërë e gjatë në gati 20 faqe. Por duke parë që, 21 vjet mbas vdekjes së tij, po shihet e arsyeshme të flitet e shkruhet përsëri për Namikun, po e ndiej edhe unë, jo vetëm të nevojshme, por edhe detyrë, t’u tregoj lexuesvet të sotëm si e kam njohur unë Namik Lucin dhe si e kam përjetuar fatkeqësinë e tij. Njëkohësisht do të sjell këtu edhe disa të dhëna, përjetime dhe qëndrime, në mënyrë që brezi i tanishëm të mund ta kuptojë më mirë kohën në cilën kemi jetuar ne.

Në vitin 1967 unë isha i internuar në Tepelenë. Namiku, që ish martuar me të bijën e një patrioti tepelenas, duke qenë ende student në Tiranë, vinte në Memaliaj dhe në Tepelenë, për të takuar bashkëshorten dhe për të parë e përkëdhelur një foshnjë që sapo u kishte lindur.

Lenoja, e shoqja, punonte mësuese në Memaliaj. I jati, Kalo Brahimi (Xhaferri) nga Krahësi, ishte një atdhetar që e nderonin të gjithë. Kish qenë luftëtar në vitin 1920 për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë dhe përsëri luftëtar për çlirimin nga fashizmi e nazizmi në Luftën e Dytë Botërore. Ai e kish shumë për zemër Kosovën dhe më përshëndeste me shumë dashamirësi.

Isha njohur me Namikun në një restorant dhe, në prill të 1967-s, ish i dyti apo i treti rast që u pamë, por këtë herë në rrethana krejt të pazakonshme. Unë sapo kisha dalë nga një grevë urie 5-ditore, sepse më kishin akuzuar për armik. Dhe isha dukshëm i dobësuar. Namiku dhe Ahmet Sadiku, një djalë tjetër i mrekullueshëm nga Peja, po hanin drekë në po atë restorant dhe, kur hyra unë aty, ata u habitën me pamjen time të frikshme dhe m’u afruan. Ua sqarova ç’më kish ndodhur. Të dy u indinjuan dhe më premtuan që këtë ngjarje timen nuk do ta linin pa e bërë problem në Ministrinë e Punëvet të Brendshme.

Namiku, sapo është kthyer në Tiranë, ka shkuar në Ministrinë e Punëvet të Brendshme, ku drejtor i një drejtorie e cila merrej me të quajturit “emigrantë”, ishte Skënder Backa, një burrë shumë i nderuar skraparlli, dhe, i revoltuar, ia ka thënë çfarë kishte ndodhur me mua në Tepelenë.

Kjo ndërhyrje e Namikut në Ministrinë e Punëvet të Brendshme bëri që mua, qysh atë vit, të më jepej shtetësia dhe të më jepej bursa për të filluar studimet në Universitetin e Tiranës.

Shoqëria dhe miqësia jonë ka vazhduar në të gjithë vitet, edhe mbasi ai ka dalë prej burgut. Mbasi doli nga burgu, i bëra vizitë bashkë me bashkëshorten time, për ta uruar. Në atë kohë ai ishte shef i seksionit të indusrisë për rrethin e Kurbinit, ndërsa Lenoja ishte Kryetare e Këshillit të Rrethit dhe anëtare e Kryesisë së Parisë Demokratike.

Unë kisha blerë një furgon të keq, me të cilin mundohesha të bëja pak tregti, por policët rrugorë e financiarë kërkonin shumë “bakshishe”. Kur e mori vesh Namiku, kontaktoi me njërin nga shefat e atyshëm të policisë dhe pastaj më tha: “Sa herë të të ndalë ndonjë polic, kërkoja emrin, që unë ta di cili ëshë, dhe përmendja emrin tim.” Kjo ndërhyrje e tija e dha menjëherë efektin e vet. Policët e atij segmenti rrugor, nga Fushë-Kruja deri në Milot, nuk më bënin më presione.

Por unë po dua të ndalem pak edhe në disa gjëra të tjera që duhen sqaruar në lidhje me Namik Lucin. Namik Luci, në vitet para arrestimit, ka qenë vërtet kundër Enver Hoxhës, por në kohë të mëhershme jo. Në vitet e mëhershëm, psh, kur ne ishim studentë, ndodheshim ndonjëherë në shoqëri me Skënder Backën dhe ai na tregonte se si kish qenë pikërisht Enver Hoxha ai që i kish thënë Skënderit: „Shko dhe kujdesu për vëllezërit kosovarë! Të mos i trajtojnë sikur janë të huaj!“ Në atë kohë Namikun e kishin pasë marrë nga fakulteti dhe e kishin pasë degdisur në Kampin e Semanit. Skënder Backa e pat marrë prej andej dhe e pat sjellë sërish në fakultet. Namiku e zinte në gojë shpesh porosinë që Enver Hoxha i kish dhënë Skënderit: „Shko dhe kujdesu për vëllezërit kosovarë!“. Ç’i ndodhi Namikut më vonë, që ndryshoi mendim?!

 Nuk e di se cili vit ishte, kur shkuam njëherë për të parë Qazim Radoniqin, që ish i shtruar në Sanatoriumin e Tiranës. Mbasi ndenjëm një copë herë të mirë me Qazimin dhe mbasi i uruam shërim të shpejtë, zbritëm më këmbë asaj lugine deri te Filologjiku. Është goxha rrugë nëpër pyll dhe ne patëm kohë bisedojmë gjatë. Gjithë rrugës Namiku më foli kundër Enverit, duke u munduar të më mbushte mendjen se „Enver Hoxha e ka tradhtuar Kosovën“. Unë e kundërshtoja vendosmerisht, me argumentet e mi, por ai ngulte këmbë në të tijën.

Në po ata vite, në një bisedë me Nysret Rodonin, me të cilin Namiku kish kaluar kufirin në vitin 1961, Nysreti, shumë i shqetësuar, më pat thënë: „Gjokë, fol me Namikun, se ndoshta të dëgjon ty.“ Unë i qeshë përgjgjur: „Nysret, ti Namikun e ke shok kufiri. Në mos të dëgjoftë ty, as mua nuk më dëgjon.“ Por Nysreti ishte me të drejtë tepër i shqetësuar, sepse Namiku mendimet e tij kundër Enverit tashmë ua kish shfaqur mjaft njerëzve.

Këta mendime të tijët, shprehur me shumë të njohur të tij, me siguri kanë qenë material i mjaftueshëm, që dikush e ka shfrytëzuar për t’i arrestuar, edhe Namikun, edhe Istref Këlmendin, edhe Selim Këlmendin. Por nuk mund të mendohet kurrsesi që ata të tre kanë dashur ta vrasin Enver Hoxhën. Nuk ishte Namik Luci atentator! As Istrefi e as Selimi, i cili vdiq në hetuesi, nga goditjet e ndonjë polici “atdhembrojtës” dhe “të papërmbajtshëm”, nuk mund të ishin kurrë atentatorë, sidomos ndaj Enver Hoxhës. Pastaj ka edhe një arsye tjetër: Pse do ta vrisnin Enverin, në një kohë kur ai ishte gati të vdiste vetë, pa e vrarë askush? Ka prapë edhe një arsyetim plotësues: Nëse vërtet, në vitin 1982, do ta kishin përgatitur një atentat të tillë, ata që të tre do të ishin pushkatuar. Do të ishin pushkatuar jo për “agjitacion e propagandë”, por për organizim atentati ndaj udhëheqësit të Partisë e të shtetit.

As Idriz Zeqiraj, i cili gjithashtu qe arrestuar, madje dy herë, dhe më në fund qe dënuar, nuk ka qenë fillimisht kundër Enver Hoxhës. Unë e kam pasë shok Idrizin dhe e di mirë që ai nuk ka qenë as kundër Enverit, as kundër vepravet të Enverit.  

Atëherë, ç’mund të ketë ndodhur me këta atdhetarë të përkushtuar?! Kjo është detyra e gazetarisë, që të hetojë, qoftë me investigime, qoftë duke e shtruar si kërkesë, qoftë edhe duke përdorur arsyetimin. Kjo është detyrë edhe e historiografisë: Ç’mund të ketë ndodhur realisht me këta djem e tashmë burra, të cilët ia kishin kushtuar jetën e vet Kombit dhe Atdheut?! A mos vallë u “ndërgjegjësuan” apo, thënë më sakt, u çorientuan nën ndikimin e ndonjë konspiracioni të mirorganizuar antishqiptar?! Unë mendoj që ata u çorientuan, prej një veprimtarie perfide, për t’u bërë dëm ashtu, vetë atyre dhe çështjes kombëtare, së cilës qenë kushtuar.

Në ata vite, dhe sidomos mbas vitit 1981, armiqtë e Kombit Shqiptar ishin tepër të shqetësuar. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë po i përkrahte demonstruesit e Kosovës me të gjitha mundësitë që kishte. S’është e vërtetë ajo që thuhet se RPSSH-ja nuk i ka përkrahur demonstratat e 1981-shit. Lexoni gazetat e Tiranës të atyre muajve dhe do të shihni sa shumë janë përkrahur dhe me sa zgjuarësi politike janë përkrahur! Unë kam kryer një studim mbi mënyrën si janë pasqyruar ngjarjet e 1981-shit në shtypin e Tiranës dhe ai studim është botuar.

Në anë tjetër, madje edhe në këtë artikull që e botoi „Tema“ më 26 dhjetor 2019, është shkruar: „Kancelaritë e Perendimit… jo vetëm… ngritën zërin në mbrojtje të asaj popullate martire, por e detyruan Beogradin zyrtar që të tërhiqte nga Kosova makinerinë e saj të luftës.“ (Kolona e parë, rreshtat 31 etj). S‘është aspak e vërtetë! Në vitin 1981 Sërbia jo vetëm nuk e tërhoqi makinerinë e saj të luftës, por e shumëfishoi terrorin dhe vetëm mbas 20 vjetësh, (mbas 20 vjetësh!), u detyrua të tërhiqet disi. Të tërhiqet disi, por pa hequr dorë nga absurdi shekullor dhe kjo pikërisht për faj të kancelarivet perendimore! Në qoftë se kancelaritë e Perendimit do të kishin dashur të ushtrojnë presion ndaj Beogradit për t’u dhënë shqiptarëvet të atjeshëm statusin e republikës, a thua shteti shqiptar („shteti komuist shqiptar“) do të mund t’i pengonte?! E vërteta është se Perendimi në ata vite nuk ka ushruar kurrfarë presioni ndaj Beogradit. Është mjaftuar vetëm me njoftimet nëpër gazeta.

Me qenë se edhe mund të mos e kem informacionin e duhur, po i bëj edhe këto dy pyetje: A ka ndonjë notë proteste qeveritare, perendimore apo lindore, që t’i jetë drejtuar qeverisë së Beogradit me qëllim plotësimin e kërkesavet për republikë të atyre mijëra demonstruesve, të atyre shqiptarëve që ishin në numër më të madh se tri nga republikat e asaj Jugosllavie?! Po Organizata e Kombevet të Bashkuar a ka bërë ndonjë reagim zyrar kundër atyre reprezalieve të Sërbisë mbi një popullsi që kërkonte të drejta kombëtare?! Sepse e quajnë „Organizatë e Kombervet“! Si vepron ajo organizatë e kombevet, kur shkelen të drejtat themelore të kombevet?!

Unë kam bindjen që Namiku dhe shumë nga bashkëkombësit tanë, që e kishin kaluar kufirin dhe jetonin në RPSSH, janë dënuar këtu në Tiranë nga duart e zgjatura të Beogradit, ndihmuar ndoshta edhe nga ndokush tjetër. Ose të paktën përkrahur heshturazi.

Thashë duart e zgjatura dhe kjo do kuptuar që: disa shqiptarë në Tiranë bënin edhe atëherë punët e tjetërkujt. Vetë Skënder Backa, funksionar i lartë i Ministrisë së Punëvet të Brendshme, në prani të Namik Lucit, Ahmet Sadikut, Cen Stojkut e ndonjë tjetri që tash s’po më kujtohet, më pat thënë kështu (dhe kemi qenë mu në banesën e tij që e kishte në rrugën „Gjon Buzuku“): „Gjokë Dabaj! Unë, për ty e për Myrteza Bajraktarin, kam ndenjur gatitu para Ministrit (Kadri Hazbiut), i cili më ka qortuar pse ju kam prurë ju të dyve në fakultet.“

Megjithkëtë, falë, midis tjerash, edhe mbrojtjes që më bënin matjanët, në mesin e të cilëvet shërbeva një çerek shekulli, unë jam nga të rrallët që shpëtova pa u ndëshkuar rëndë. Pra, pa u burgosur. Myrteza Bajraktarit dhe shumë të tjerëve iu gjetën mënyrat dhe u çuan në burgje.

Nuk dua të duket sikur unë tani po shfryj kundër Kadri Hazbiut. Në të vërtetë, unë nuk e di dhe s’kam si ta di, nëse Kadri Hazbiu ka qenë, këtu në Tiranë, një nga duart e zgjatura të Beogradit. Por unë po sjell këtu vetëm disa nga ngjarjet që na kanë ndodhur ne, që e kishim kaluar kufirin shtetëror Shqipëri-Shqipëri.

Kush ka qenë i interesuar që të burgosen djemtë shqiptarë, 116 prej të cilëvet Skënder Backa, i porositur prej Enver Hoxhës, i kish prurë në Universitet?!

Nuk është lehtë të zbulohen faktet. Megjithatë, analistët tanë nuk duhet të ndjekin rrugë të shkurtra. Duhet gjurmuar nëpër dokumente, atje ku ata kanë shpëruar pa u zhdukur. Por duhen kërkuar dokumentet edhe jashtë kësaj pjese të Shqipërisë, që në atë kohë quhej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, e mundësisht edhe në arkivat e shumtë të UDB-së.

E them këtë, sepse nuk mund të mendohet që, të gjithë ata shqiptarë që erdhën këtu, ishin dashakeqës të atij regjimi të këtushëm. Përkundrazi, ata ishin atdhetarë nga më të përkushtuarit. Mjafton të kujtojmë faktin që, që të gjithë ata, i lanë familjet e veta, lanë atje më të dashurit e vet, shumica e të cilëvet vdiqën pa i takuar kurrë më. Ashtu si më vdiq edhe mua im atë, pa e takuar kurrë më, por krenar që kisha ardhur në shtetin tim… Ai u thoshte familjarëvet: „Gjoka ka shkuo n’shtetin e vet“. Dhe vdiste i qetë edhe krenar.

Mund të pranohet që vetëm një numër i vogël dërgoheshin këtu me qëllime subversioni. Mund të mendohet edhe se ndonjëri vinte duke qenë mendjelehtë apo tip aventurieri dhe pastaj pendohej. Por shumica më e madhe e jona ishim të pastër si loti dhe qëllimi ynë ishte t’i shërbenim çështjes sonë kombëtare. Ndërsa shtetin, që udhëheqej në atë kohë nga Enver Hoxha, e adhuronim. Atëherë, si ndodhi që një shumicë e jona zumë burgjet?! A i interesonte Enver Hoxhës që ne ta urrenim?! Kush është ai që dëshiron të ketë sa më shumë urrejtës?!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …