Bedri TAHIRI: Plaku i Çetës

Bedri TAHIRI: Plaku i Çetës

(Shkrim i botuar në “Bujku” dhe në “Zëri i Kosovës”, në vitin 1997, kushtuar Bekë Hysenit- Galicës, të njohur më shumë si Plaku i Çetës, të cilin ditë më parë e gjeta në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, ngase biblioteka ime është djegur gjatë luftës sonë çlirimtare 1998-1999)

Lugu i Zanave

Trojet shqiptare janë përplot toponime të stërlashta. I tillë është edhe Lugu i Zanave në Galicë. Një vend i përthyer keq e me emër mitik, që ta rrëqeth trupin. Fill të vete mendja te kreshnikët e kohëve të mugëta. Të përkujtohen Lugjet e Verdha me ekzotiken e tyre misterioze. Të dalin parasysh dhitë briarta dhe zanat flokëgjata, që i dhanë Mujit fuqinë dhe e ndihmuan në beteja. Sikur e dëgjon gurgullimën e Krojeve të Bardha dhe ndien freskinë e mrizeve të thella ku nuk arrinin dot rrezet e diellit.

Të gjitha këto kishin bërë të veten dhe njerëzit i dronin atij vendi. Edhe të vjetrit u kishin thënë që në mesditë, kur bënte vapë, të mos kalonin fare se kishte rrezik. Në atë kohë freskoheshin zanat dhe ai që i trazonte e pësonte keq. Pastaj kishin vërshuar rrëfime të çuditshëm për shumë fatzinj. Ca nga to, si relikte, gjallonin edhe sot…

Mu pranë këtij vendi ndjellafrikës e ngriti shtëpinë Hysen Rama. Ky burrë fisnik e atdhetar i flaktë nuk dëgjoi fjalët e botës. Rronte vetëm me të shoqen, një grua e ndershme dhe shumë punëtore. Ishte bijë e Murtezajve të Klinës së Poshtme. Kurrë nuk ndalej, si drugëza. I kryente punët e shtëpisë dhe të fushës. Një ditë korriku u zgjua herët që me natë. Ashtu shtatzënë siç ishte e korri gjysmën e arës. Pasdreke e rrokën dhimbjet. S’pati kohë të shkonte në shtëpi. U fut në thanishtën e pashkelur. Nuk vonoi dhe një zë fëmije e çjerri tisin e heshtjes. Jehoi edhe shpati përballë. Zanat nuk u shqetësuan fare. Jo, jo, as nuk u hidhëruan. Përkundrazi, u gëzuan. E mbuluan me urime dhe përgëzime. Kështu erdhi në jetë djali i quajtur Bekë. Ishte java e fundit e korrikut të vitit 1876.

Dashuria për lahutën, pushkën dhe atdheun

Bëka ishte fëmijë i shëndoshë dhe i zgjuar. Të gjithë e donin. Vazhdimisht e mbanin në odat e burrave. Aty merrte mësime të mira. Me ëndje i dëgjonte rrëfimet e pleqve dhe këngët e rapsodëve. Disa këngë trimërie i mësoi përmendësh dhe zuri t’i këndojë edhe vetë. Babi ia bleu lahutën që aq bukur i binte sa nuk bëhej gazmend pa të. Heronjtë e tyre i adhuronte pa masë. Iu bënë idhuj jetësorë që i paraprinin në jetë.

Dashuria për trojet stërgjyshore e kishte pushtuar zemrën e djaloshit. Askund s’e linte të qetë. Prore e trazonte. Edhe kur flinte nën hijen e dardhës ujce, tek ara ku kishte lindur, i fanitej një si hije dhe i pëshpëriste në vesh: “Çou djalosh, mos fli shumë se nga gjumi nuk ke dobi. Puno dhe vepro! Atdheu mbi të gjitha. Të huajin mos e lejo në vatrat tuaja, se të mallkon ardhmëria. Për liri s’mjafton as jeta…”. Zgjohej trembshëm. Shikonte anësh, asgjë. Dhe, nuk fliste me askë. Do ta merrnin për të krisur.

Fëmijët e parë, zakonisht i martojnë më herët. Edhe këtij ia gjetën një vajzë të bukur si perri. Hajrie Veliqi e quanin. Ishte nga Polaci i Hasan Prishtinës. Dasmë e madhe u bë kur u martua. Lamtumirën ua shtuan edhe fëmijët: Ajetja, Ajmania, Arifja dhe Bahtiri.

Personaliteti i këtij atdhetari u formua nën vringëllimën e armëve. Kohë trazirash dhe përpjekjesh për liri. Luftëra e beteja të pareshtura kundër pushtuesve të ndryshëm që u sulën mbi trojet tona të sfilitura e të përgjakura.

Ende pa i mbushur të njëzetat radhitet në çetat e lirisë. nuk i ndahej Bejtë Galicës dhe Ahmet Delisë. Djegia e Sarajit turk dhe vrasje e konsullit rus, Shçerbinit, lanë gjurmë në shpirtin e tij. Edhe në kryengritjet e viteve 1910-1912 ishte shumë aktiv. Gjatë sundimit austro-hungarez e bullgar veproi në Çetën e Shaqir Smakës, përkatësisht të Azem Galicës. E kundërshtoi ashpër dërgimin e të rinjve shqiptarë si vullnetarë (gjynli) në ushtrinë turke për të luftuar kundër rusëve. As taktika e tij në Përrua të Keq, kur i zunë robër rreth dymijë austriakë, nuk harrohet. I organizoi barinjtë dhe me buria e pipa shkaktuan huti mbi armikun, e kjo pati sukses.

Internimi i familjes në Nish dhe në Deviq

Jeta mynxyrore dhe skëterra që përjetuan shqiptarët në sundimin e egër të SKS-së u përballua nga çetat kaçake të lirisë. atyre u printe “Nëna e çetave” e Azem e Shotë Galicës. Në të, që nga formimi, vepronte edhe Bekë Hyseni. Ai, në saje të maturisë, mençurisë dhe moshës, u quajt Plaku i Çetës, epitet ky që e mbajti deri në vdekje.

Pushteti serbosllav i kishte halë në sy. E përcillnin kudo, por nuk i kapnin dot. Më 1919 ia dogjën shtëpinë rrafsh me tokë. Në fillim të vitit 1921 gruan me dy vajza ia internojnë në burgun e Nishit. Atje i vdes vajza e vogël, Arifja. Pas gjashtë muajsh i sjellin në kampin e posa formuar të Deviqit, ku qëndrojnë edhe shtatë javë. As këto masa nuk e gjunjëzuan trimin. Përkundrazi, ato ia sforconin atdhedashurinë dhe ia shtonin urrejtjen për gjakpirësit. Gjatë kësaj periudhe ndërmori shumë aksione.

Një ditë me Rifat Banjskën dhe ca shokë të tjerë e sulmuan postëkomandën e Vushtrrisë dhe vranë naçallnikun Vuçina me trembëdhjetë xhandarë.

Herën tjetër kaloi në Shalë e në Llap për të kontaktuar me çetat e atyre anëve. Me vete kishte Zenel Ujkanin, Emin Rexhën, Brahim Ferizin dhe Vesel Lubovecin. Kukudhat i kishin nuhatur dhe i kishin lajmëruar. Në va të Dobërllukës u vunë pusi. Luftuan fytas. Bëka dhe Zeneli plagosen lehtë dhe depërtuan, ndërkaq Veseli dhe Emini mbesin. Ah, ç’vdekje e tmerrshme ajo e Emin Rexhës. Ashtu të plagosur e torturojnë. Trupi i digje flakë. Kërkonte ujë. Oficeri i pashpirt ia afroi rakinë. Merre, i thoshte, dhe i matej me shpatë. Trimi mblodhi fuqinë e fundit dhe ia mori shpatën nga dora. Të tjerët iu vërsulën si bishta dhe e masakruan.

Një vit e gjysmë Beka qëndroi në >Zonën e Lirë të Junikut. Atje të gjithë i mirëpritën bujarisht. Si shumica e luftëtarëve, edhe ky e mësoi shkrim-leximin.

Në verën e vitit 1923 formohet “Zona e Lirë e Drenicës”. Edhe Plaku i Çetës i kaloi disa ditë të qeta në Galicë. Ditën që u zhvillua Epopeja e Arbërisë së Vogël, ai ishte në kullën e vet. Aty e nisi luftën. Ai në katin e parë, kurse i biri dhe nipi në katin e dytë. Një predhë topi e qëlloi kulmin. Kulla mori flakë. I biri, Bahtiri, kishte vdekur e i nipi, Rexhepi, ishte plagosur. I tërhoqi  zvarrë që të mos digjeshin. E ktheu mbarë të birin dhe e puthi në ballë. A i kthehej shpina asaj drite që shkreptinte atë mëngjes freskues. Edhe pa gjysmën e kokës shkëlqente bukuria e këtij tetëmbëdhjetëvjeçari. Por, burrat maten në ditë të vështira. Lufta duhej vazhduar. Çdo gjë po ndizej flakë. Pushkën e shkurtër italian e ia vuri në gjoks dhe sërish u përkul mbi të. Edhe njëherë e puthi në ballë dhe me Rexhepin e plagosur çau rrethimin. Nëpër flakë e pa Azem Galicën tek fluturonte midis plumbash.

Takimi në Qyqavicë

Buzëmbrëmje e ngrohtë korriku. Muzgu krahzi lëshohej ngadalë mbi Qyqavicën legjendare. Fshatrat e djegura kaherë i kishte mbështjellë velloja e zezë. Tymi dhe flaka ngriheshin deri në qiell. Rrallë, tek-tuk, dëgjohej ndonjë krismë pushke. Burizani armikut nuk pushonte fare. I ftonte forcat e veta për tërheqje. Sadistët ende s’ishin ngopur, por nuk kishin me se të merreshin.

Lëndina e vogël midis Krasaliqit dhe Kozhicës gumëzhinte si zgjua bletësh. Mallkime plakash që mezi ecnin, qarje fëmijësh në supe nënash dhe rënkime të thella burrash të plagosur rëndë. Ato sa vete e shtoheshin. Azem Galica i shtrirë në mes. Zemra i lotonte, por sytë ia fshihnin.

-Mori Shotë, ende nuk po duket baca Bekë. Kam frikë se mos t’i ketë ngjarë ndonjë e ligë. Herën e fundit ia dëgjova pushkën te Shpati i Madh,-tha ai duke bërë përpjekje për t’u ngritur në bërrylin e djathtë.

-Ja tek po ngjitet, Azem, por kujdes varrët!,- i foli ajo, duke ia rregulluar jastëkun nën sqetull.

-Mirë se ju gjej burra e me fat varrët!- përshëndeti ai.

-Mirë se vjen, o Plaku i Çetës!- ia kthyen të gjithë, duke luajtur nga vendi. U ul në trungun e një ahu të prerë moti. Heshtje varri. Atmosferë e zymtë mbytëse. Ua hodhi një sy të gjithëve dhe foli:

-Ç’keni, ore burra, që nuk flisni?! A mos do të mbajmë zi për gjëmën që na ndodhi? Jo qe besa. Dasmë pa mish s’ka. Edhe mua po më digjet zemra, por s’ka kohë për përlotje. Shpëtimi i Kapedanit do ta çmendë kralin serb. Pika do t’i bjerë nga inati. Kjo duhet të na forcojnë dhe të na japë krahë për të mbijetuar…

Shtatë ditë më vonë Çeta u përgjysmua dhe u nis drejt Shqipërisë. Në krahë bartnin kapedanin e plagosur dhe nuk flisnin. Ditët ecnin e ai ligështohej. Njëzet e katër korrik 1924. Një natë e gjatë shekull. Dielli vononte të lindte. Nuk donte të shihte se ç’po ndodhte në malet e Përçevës. As trimat nuk pajtoheshin me vdekjen. Nuk besonin se Kapedani u kishte lënë lamtumirën. Vetë e kishin lëshuar në shpellën e pafund dhe nuk besonin. Jo, jo, Ai nuk kishte vdekur! Ai ishte aty, në zemrat e tyre. Dymbëdhjetë vjet u kishte prirë dhe prapë do t’u printe…Dhe, kishin ngecur midis malit. Nuk bënin dot më tutje. Heshtnin kokëvarur e sypërlotur. As Allçi nuk qetësohej. E ndiente pikëllimin. Nuhaste në grykën e shpellës enigmatike dhe gërryente me këmbë.

Edhe qielli u trazua i tëri. Retë e mllefosura nxitonin duke u përplasur në njëra-tjetrën. Pasi shkreptiu dy-tri herë, shpërtheu moti. Pikat e shiut u përzien me lotët e trimave. Drini Plak i mblodhi tok me valët e veta dhe lundruan drejt detit.

Kali i Azem Galicës kthehet në Kosovë

Fitorja e Nolit i gëzoi edhe kosovarët. Tashti ndiheshin më të sigurt dhe më të lirë për tab kaluar kufirin.

Edhe pjesa e mbetur e Çetës kreshnike e prirë nga Nusja e Maleve kaloi në Shqipëri. Plaku i Çetës me Shotën dhe jetimët kosovarë u vendosën në fshatin Shullaz. Zemërplasur e të mërzitur për Kosovën e robëruar mezi i kalonin ditët e para. As atje nuk u kënaqen. Sërish erdhën në pushtet të mëparshmit. Moçalishtet i mbushen me kosovarë. Ah, të mjerët, ishin mësuar maje kreshtash dhe s’i bëni dot ballë asaj klime. I zinte malaria. Çdo ditë lëngonin dhe vdisnin.

Shtëpia ku u vendosën këta ishte e vogël, gati rrënojë. Rronin si gjithë të tjerët, për gazep. Shiten çdo gjë për ta mbajtur shpirtin gjallë. U ngeli vetëm Allçi. E zeza uri u kërcënohej mbi kokë, si shpatë e Demokleut. Në magje as një kothere buke. Shota përpëlitej nëpër dhomë. Ç’të bënte e gjora?! Fëmijët kërkonin bukë. Plaku, i zënë ethesh, rrinte ratë. Kukuvajka mbi çati ndillte kob. Jeta dhe vdekja ballë për ballë. Duhej sfiduar të keqen. Nuk thuhej kot: Skamja të çon në derë të armikut! Edhe pasurinë e vetme të burrit, do ta shiste. E njoftoi edhe Plakun. I shkreti, nuk u përmbajt dot. Lumë i rrodhën lotët. Nuk kishte qarë as kur iu vra i vetmi djalë. Po kjo qenka më e rëndë se vdekja. Edhe të tjerët qanë kur e përcollën. Vonë, gati në të kryer vajti në pazarin e Fushë-Krujës. Një kosovar e njohu kalin dhe e bleu. Dyfish e pagoi dhe tha: Kali i Azem Galicës do të kthehet në Kosovë!

Luftëtarët e lirisë jetonin në Shqipëri, por mendjen e kishin në Kosovë. Vatrat ua kishin zënë të huajt, kolonët. Plaku i Çetës dhe Nusja e Maleve sa e sa herë kaluan në Drenicë. Në tokën e tij ishte vendosur malazezi, Ilia Raduleviqi, kurse në të sajën, hercegovasi, Jovan Lekiqi. Disa herë menduan t’i vrasin, por frika që do të pësonin vendësit, i ndalonte. Pas çdo aksioni të armatosur këtu, sërish ktheheshin në Shqipëri.

Dergja e thanë lisin dhe e plas shkëmbin. Edhe Shtatselvinë  e zuri e shkreta gangrenë. Ia brente dorën dhe këmbën. Çdo ditë e më shumë. I kërkoi ndihmë edhe Mbretit. Letër i shkroi, por ai u bë i shurdhër. Një ditë, e sëmurë dhe sedërthyer, e braktisi spitalin e Tiranës.

Korrik 1927. Java e dytë. Derveni i Fushë-Krujës gdhiu në zi. Nga shtëpia përdhese vinte gjëma. Nusja e Maleve kishte vdekur. Lumi mortor rritej. Në ballë Plaku dhe jetimët. Pas tyre kosovarët dhe mbarë Shqipëria. U mbajtën fjalime e u recituan poezi. I nipi, Imer Halili, me një shishe në dorë, e lëshoi në pranë kufomës dhe e mbuluan me dhe. Mbi varr kurora e tufa lulesh. Më 1962, në saje të shishes, e gjetën shumë lehtë dhe e rivarrosen në Fushë- Krujë.

E dogji malli për Kosovën

Jeta e hidhur e Plakut të Çetës u përmbush plot vuajtje, mjerime e sakrifica mbinjerëzore. Stuhitë dhe rrebeshet shkatërrimtare e lanë fare të vetmuar. Shotën ia mori mortja, jetimët vazhduan shkollimin e shokët ia degdisi mjerimi. Të vetmen vajzë, A>jmanen e solli nga Galica dhe e martoi te Sadri Aliaj i Vitakut në Mamurras.

Dhe, thonë, fatit nuk i dihet. Dera duhet lenë hapur se mund të të trokas edhe në mbrëmje. Kështu i ngjau edhe këtij burri, që tërë familjen e shkriu për liri. Tamam kur mendoi se çdo gjë mori fund, i buzëqeshi fati. U martua me Halime Mavriçin dhe krijoi familje të re. Dy vajza u vdiqën motake. E treta, Alemja, u rrit. Më 1937, shtëpia përdhese u trand nga gëzimi. U lindi një djalë. Gjithë Derveni u gëzua. Azem e pagëzuan, se dashuria për Kapedanin qe e madhe.

Më 1941 u përtëri fare. Sa nuk fluturonte nga gëzimi. Do të kthehej në vendlindje. Dhe, nuk qetësohej dot. Zemra i doli nga vendi. U turbullua dhe ra në shtrat. I shkroi letër bukëpjekësit të Fushë-Krujës që t’ia dërgonte barin e vrerit, por kot. Vdekja nuk ia fali minutën. E rrëmbeu në muajin e bukur të luleve dhe ia ndërpreu rrugën për në Kosovën e dashur.

-Ne mbetëm keq, – rrëfen sot Azem Hyseni, arsimtar, që jeton në Mitrovicë. Kur vdiq babai, unë isha tre vjeç  e gjysmë. Ishim përgatitur për t’u kthyer dhe nuk na zihej vendi vend. Djali i axhës, Nuredini, erdhi e na mori. Kur arritëm në Galicë, të gjithë qanin nga gëzimi. Unë vetëm i shikoja, s’dija çka po ndodhte. Në shtëpi e gjetëm kolonistin. Kur na pa ne, mblodhi plaçkat dhe theu qafën. Aty nisi një jetë e re…

Bujku, e enjte, 31 korrik 1997

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …