leoni

Adil Fetahu

Adil FETAHU: Kolonitë shqiptare në Itali paraqesin fenomenin më kureshtar dhe më interesant të mbijetesës etnike III

Pas çlirimit,  arbërshi Françesko Krispi dy mandate ishte kryeministër i Italisë së bashkuar

Pas luftërve gadi njëzetvjeçare për çlirim dhe bashkim, në vitin 1861 u mblodh parlamenti i Italisë së bashkuar, shpalli Mbretërinë e Napolit dhe zgjodhi mbretin (Emanueli II), veçse akoma jashtë kësaj mbretërie kishin mbetur Roma dhe Venediku. Deputetë në Parlamentin e Mbretërisë së Napolit ishin zgjedhur edhe udhëheqësit e njohur arbëreshë të revolucionit për çlirimin dhe bashkimin e Italisë,si: Guljelmo Toçi, Domeniko Mauro, Domeniko Damici, Muço Paçe, Françesko Krispi, etj. Në qeverinë revolucionare të Garibaldit, në Napoli, bënin pjesë arbëreshët Françesko Krispi, Paskuale Sura dhe Luigji Gura.  Lufta vazhdoi deri sa u çliruan edhe Venediku (1866) dhe Roma (1870), të cilat iu bashkuan Italisë, dhe më 1871 Roma u bë kryeqytet i Italisë së bashkuar. Françesko Krispi, bashkë me të shoqen dhe me arbëreshë të tjerë ishin në radhët e prijësve të luftës së aradhave të Garibaldit, në mesin e të cilëve kishte edhe gra arbëreshe.

Françesko  Krispi (1818 – 1891), mësimet e para i mori në Seminarin italo-shqipar të Palermos, ku ishin edhe Antonio Gramshi dhe shumë arbëreshë tjerë. Studimet e larta i kreu për drejtësi dhe një kohë ushtroi profesionin e avokatit në Palermo. E fliste  arbërishten dhe krenohej me origjinën e tij shqiptare.  Bashkë me arbëreshin tjetër, Rosalino Pilo,  në janar të vitit 1848,  udhëhoqi kryengritjen e Sicilisë kundër Burbonëve. Në qeverinë e Depretisit (1877/78) ishte ministër i brendshëm, ndërsa  kryeministër i Italisë së bashkuar ishte në dy mandate (1887-1891 dhe 1891-1895).  Në kohën sa ishte kryeministër, Krispi u bë politikani më i njohur në Europë, krahas me kryeministrin gjerman Bizmarku, me të cilin pati miqësi dhe takime të shpeshta. Vetë arbëreshët e Italisë dhe rilindasit tanë, sidomos vëllezërit Samiu, Naimi dhe Abdyl Frashëri, kishin një simpati dhe shpresë se Krispi nga pozita dhe autoriteti që gëzonte, do ta ndihmonte pavarësinë e Shqipërisë.  Samiu shkruante në “Kamus Al-Alam”:  “Në Itali kanë ardhur nga gjaku shqiptar shumë dijetarë, poetë e shkrimtarë; kujtoj se është mjaft të përmendim se është bir i këtij kombi edhe Krispi, që sot ka në dorë frenat e administratës së Italisë”.(D.Tare: “Arbëreshët e Italisë dhe…; dorëshkrimi ,fq.113).

Por, Krispi kishte tjera preokupime. Për shkak të rivalitetit me Austrinë dhe nga frika se Austria do të aspironte ta pushtojë Shqipërinë, për të dominuar mbi Adriatikun, edhe ky aspironte dominimin e Shqipërisë dhe të Adriatikut, qoftë përmes protektoratit apo të pushtimit klasik.  Sado që në raste të caktuara shprehej në favor të një autonomie për  Shqipërinë pasi të çlirohej nga pushtimi  turk, megjithatë synonte dominimin Italian mbi Shqipërinë. Për këtë qëllim edhe kishte hapur dhe mbante shumë shkolla italiane në Shqipëri, në mënyrë që të fitonte simpatinë dhe përkrahjen e popullit. Nuk mund të mohohet përkrahja, ndihma dhe kontributi i  Krispit në zgjërimin dhe financimin e kolegjeve dhe seminareve arbëreshe në Itali, në të cilat mësuan dhe u edukuan personlitete dhe  breza të shumta të arbëreshëve.  Sidoqoftë, mosbesimin ndaj politikës së Krispit kundrejt Shqipërisë e shprehnin edhe Dora d’Istria dhe De Rada, në korespodencën e shpeshtë që zhvillonin midis tyre.

Sado që shqiptarët kudo që ishin krenoheshin me arritjet dhe afirmimin e Krispit në qarqet kombëtare në Itali dhe në relacione ndërkombëtare, sado që shpresonin se ai do ta shfrytëzonte autoritetin dhe pozitën e tij për të ndihmuar kauzën e kombit të origjinës së vet, ai  i ishte përkushtuar imperializmit, donte të shfrytëzonte rrethanat e kohës pas Kongresit të Berlinit,  që ta bënte Italinë fuqi të madhe në Europë. Kështu, Krispi për Italinë dhe Europën ngeli njeri i madh, ndërsa për Shqipërinë, përveç  ndjenjave private dhe simpatisë, nuk bëri  ndonjë përpjekje për ta  ndihmuar çlirimin dhe pavarësinë e saj.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …