1981

Marsi e prilli i vitit 1981 vendosen themelet e Republikës së Kosovës

Demonstratat gjithëpopullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-RSFJ. Kërkesa për krijimin e një republike të shqiptarëve në Jugosllavi, shtrohej si nevojë strategjike e kohës, për të ruajtur identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe për të krijuar parakushte për shkëputje nga Jugosllavia, që ishte bërë një burg i madh i popujve të Ballkanit.

Zhvillimet që pasuan më 26 mars të po atij viti, kur njësitë speciale të Jugosllavisë, me lejen me aprovimin e regjentëve besnikë të regjimit të Beogradit si: Azem vllasi, Xhavit Nimani, Ali Shukriu, Mehmet Cikuli- Maliqi e të tjerë, sulmuan brutalisht demonstruesit duke vrarë 11 dhe duke përgjakur qindra prej tyre. Intervenimi i tillë brutal, nxori në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të fashizmit jugosllav dhe atyre shqipfolësve bastardë, të cilët i shërbenin asaj politike shoviniste antishqiptare. Revolta gjithë popullore, që pasoi më 2 dhe 3 prill, ia çjerri përfundimisht maskën politikës së ”barazisë së kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”. Shtypi perëndimor dhe ai i Tiranës zyrtare bënin të ditur se në Kosovë kishte ndodhur njëra ndër gjakderdhjet më të pashembullta në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Kryesia e Jugosllavisë okupatore kishte shpallur gjendjen e shtetrrethimit. Qenë vendosur qindra postblloqe policore dhe ushtarake në tërë Kosovën. U vranë dhe u plagosën rëndë qindra demonstrues, u arrestuan rreth 5000 shqiptarë liridashës. Klasa politike projugosllave në krye me komunistët titistë filloi zbatimin e platformës për “çrrënjosjen e kundërrevolucionit”, të cilën me besnikëri skllave po e zbatonin: Azem Vllasi, Ali Shukriu, Mahmut Bakalli, Mehmet Maliqi, Kolë Shiroka, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani dhe tërë një klasë politikanësh, që bënin përpjekje të panatyrshme ta përzienin gjakun e shqiptarëve me gjakun sllav, ashtu sikurse kishin përzier shumica e tyre edhe martesat me serbe, malazeze, etj.

Kryengritja gjithëpopullore e marsit dhe prillit e vitit 1981 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të popullit shqiptar, pavarësisht se kjo ngjarje nuk e ka gjetur vendin e merituar në tekstet ende gjysmake të historisë sonë. Prej asaj kohe kishte filluar ndarja e madhe dhe diferencimi historik i dy klasave shoqërore, kundërshtare.

Klasa projugosllave që pranonte jugosllavizmin dhe asimilimin e qetë të shqiptarëve, duke i trajtuar ata si “kosovarë”, dhe Lëvizja çlirimtare, e cila çoi më në fund edhe në luftën e armatosur të UÇK-së, për t’ u çliruar nga robëria shekullore jugosllave.

Në këtë aspekt marsi dhe prilli i vitit 1981 shënojnë njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë. Po të mos ndodhte ajo që ndodhi asokohe, shqiptarët sot do të jetonin ashtu sikur se jetojnë hungarezët në Vojvodinë, myslimanët në Sanxhak, apo vllahet në krahinën e Timokut në Serbi. Mirëpo në kushte dhe rrethana të caktuara lëvizja nacionaliste shqiptare, e përkrahur fuqimisht edhe nga Tirana zyrtare, arriti të konsolidojë idealin e lirisë, arriti ta mbajë gjallë atë dhe në rrugën e gjatë e të mundimshme të historisë, arriti të realizojë me sukses tri luftëra çlirimtare, të cilat u përkrahën nga mbarë shqiptarët atdhedashës dhe nga forcat përparimtare botërore.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …