Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur lidhur me platformën ‘Anti-KÇK’ deklaroi se të gjitha strukturat janë gati të përballen me krimin, ndërsa paralajmëroi të ‘fortët e krimit’ se jeta e tyre do të jetë ferr në Atdhe. “Tani më ne kemi në dispozicion një instrument jashtëzakonisht të fortë në duart e shtetit, të Policisë së Shtetit dhe OFL-së. Ligj special për marrjen e të gjitha masave ndaj atyre që janë dënuar apo janë akuzuar për krim të organizuar, apo terrorizëm. Dhe sot ne kemi një garanci më shumë; SPAK-un. Tani më SPAK është formuar dhe kjo është sprova e parë për vet SPAK, por duke pasur një besim absolut tek ata që janë bërthama e këtij institucioni të sapolindur, por të përgatitur për një kohë të gjatë në procesin e vettingun, kam besim se jemi në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Kemi forcat e duhura për të bërë një ndryshim historik në marrëdhënie me krimin në hapësirat e territorit tonë. Duhet t’ja u bëjmë të parehatshëm Atdheun atyre që janë subjekte të këtij ligji special. Atdheu për ta nuk mund të jetë sheshi për të bërë përshesh. Nuk mund të jetë shteti ndërtimit për vilat dhe bizneset e tyre që nuk burojnë nga puna, por burojnë dhe nga gjaku i komisarëve dhe policëve të vrarë, ka saktësuar mes tjerash kryeministri, Edi Rama.