Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme thirrjen klandestine dhe pa paralajmërim të seancës për ta zgjedhur kryetaren e re të Kuvendit të Kosovës. Kjo seancë e territ, për të cilën nuk kishte asnjë urgjencë, e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje e LDK, u mbajt pa praninë e opozitës dhe shënon herën e parë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit pa asnjë deputet opozitar. Zgjedhja e kryetares së re, e propozuar nga Vetëvendosje dhe e mundësuar me votat e Listës Srpska është e dëmshme për vendin dhe tregon qartë se qeveria VV-LDK jo vetëm që është në koalicion me Listën Srpska, por do të jetë e varur plotësisht nga deputetët e këtij formacioni politik dhe nga vullneti i Beogradit zyrtar. Kjo është edhe një dëshmi se ky është koalicion me Vuçiqin e Radojiçiqin dhe sojin e tyre. Është për keqardhje se ashtu sikurse filluan pazaret politike për karrige në mes të dy partive, ashtu sonte e përfunduan në mënyrën më të turpshme zgjedhjen e kryetares së Kuvendit të Kosovës, e cila pa votat e Listës Srpska sot nuk do të mund të zgjidhej në këtë pozitë.