Komuna e Rahovecit ka nënshkruar një kontratë me ambasadën e Japonisë përkatësisht, nënshkrimi i kësaj kontrate është bërë nga drejtori i QKMF-së z. Shemsedin Popaj dhe sekretari i dytë i Ambasadës së Japonisë në Austri dhe Kosovë z. Mitsunori Ogasawara.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe z.Munib Durguti, drejtori i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Rahovecit. Vlera e përgjithshme e kontratës-grantit është 61.116 euro dhe ka të bëjë me “Asistencë Bazike dhe Siguri Njerëzore ”.
Në ceremoninë e nënshkrimit në fjalën e tij të mbajtur sekretari i dytë i Ambasadës së Japonisë në Austri dhe Kosovë z. Mitsunori Ogasawara, tha se Qeveria e Japonisë ka miratuar këto katër projekte, për këtë vit fiskal, në mesin e të cilave është aprovuar edhe “Projekti për pajisjen e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec”, me një Autoambulancë, një karrige Stomatologjike, dy aparate për analizë të gjakut( Hemogrami dhe aparati për analizë Biokimike). Ogasawara, ka shtuar se Ambasada e Japonisë është e gatshme t’i ndihmojë përfituesit në këtë përpjekje dhe tha se me rastin e vizitës sime të ardhshme në Kosovë edhe personalisht do të vizitojë përfituesit të projektit, Qeveria e Japonisë dhe populli Japonez do ta kenë kënaqësinë që nëpërmjet këtyre projekteve të shohin buzëqeshjet e popullit të Kosovës.
Munib Durguti, drejtori i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, tha se ky grand për QKMF-në konsiderohet shumë i vlefshëm dhe synon përmirësimin e kualitetit të shërbimeve shëndetësore, për të gjithë qytetarët e Komunës së Rahovecit.