Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga shqipe, kënga e Iliridës, kënga e këngëve shqiptare

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga shqipe, kënga e Iliridës, kënga e këngëve shqiptare

Kënga burimore shqiptare, kudo në krahinat ende të shkapërderdhura të Shqipërisë, ka ruajtur tiparet e këngëve më të moçme të Ballkanit. Në traditën tonë të këngëve janë sendimentuar  shumë elementë arkaikë, të muzikës prej kohës së Ilirisë, ( okarinës) të Dardanisë së hershme, më vonë në kohën e Romës dhe Bizantit, pastaj edhe kontaktet me muzikën greke, bizantine e turke, por jo edhe me këngën sllave, përveç ndonjë rasti specifik. Edhe po të humbet një ditë i tërë melosi arkaik ballkanik, kënga shqiptare e trevave tona ruan të gjithë elementët e lashtësisë, sepse ajo është autoktone, edhe pse ka pësuar gjatë shekujve, ajo është këngë që ka lindur bashkë me njerëzit e parë të këtyre viseve që ka dhënë e ka marrë, por edhe ka sintetizuar vlera të mirëfillta muzikore.

Veçantitë e shumta krahinore, prezantojnë tërë begatinë e muzikës dhe këngës shqipe, begati kjo e cila karakterizohet me shumëllojshmërinë, zhvillimin e pasurimin brenda një zone, apo një krahine, me elementë të përgjithshëm por edhe dallues, gjithnjë brenda etnosit. I jap vetës të drejtë të konstatoj se feudalizmi shqiptar, i ndarë dhe i barrikaduar në feude, i izoluar deri në një nivel bunkerizimi  si nga pikëpamja politike,  ashtu edhe ajo shoqërore në rrethana dhe kohë të caktuar, ka krijuar kushte për zhvillimin dhe restaurimin e muzikës dhe këngës brenda një  bajraku, brenda një krahine dhe rajoni. Vetëm në muzikë dhe në këngën autoktone shqipe feudalizmi i ka sjellë të mira etnosit shqiptar, ndërsa në pikëpamje shoqërore dhe politike ka stagnuar proceset e unifikimit dhe bashkimit. Ky stagnim manifestohet edhe sot me ndasi e përçarje politike, sidomos krahinore, duke mbetur jo vetëm relikt i feudalizmit dhe pjesë e saj zotëruese.

Tipologjia muzikore shqiptare është shumë e pasur me ritme të llojllojshme, me shtatë elementë ritmikë që përbëjnë tiparin më të fuqishëm dallues me muzikën e popujve të tjerë të Ballkanit.

Kënga shqiptare si asnjë këngë tjetër në Ballkan e më gjerë  ruan nostalgjinë për të kaluarën, për rëniet e ngritjet gjatë shekujve. Ajo   ka shënuar faktorin kohë, duke e ilustruar me ngjarjet e caktuara historike, që është ilustruar me bëmat, pastaj rrëfimet e trashëguara nga brezi në brez dhe me këto,  ajo ka ruajtur dhe ka sjellë deri në ditët tona këngëtimin e lashtë homerik, formë e përcjelljes dhe ruajtjes së traditës të rrëfimtarisë popullore, e cila ka mbijetuar shekujt dhe ka restauruar  tërë koloritin e vet, duke radhitur shekujt në parakalim. Kënga shqipe e lashtësisë, mjaft e pasur me elemente homerike përben një pjesë të shprehur të totalitetit të botës shpirtërore shqiptare.

Rapsodët, eodët e dikurshëm të antikitetit, me memorien e tyre të pasur,  si askush tjetër kanë sjellë nëpër shekuj bëmat, luftërat, trimëritë, sakrificat individuale e kolektive…. Janë të njohura disa motive mitike e legjendare të cilat kanë analogji me Homeriadën, por që në jashtësi  gjatë shekujve i ka vdjerrë koha me rastin e apostazës fetare, mirëpo në brendi kanë ngelur elementet qenësore arkaike, të cilat për mrekulli kanë arritur edhe kohën tonë.

Secila trevë shqiptare, ruan karakteristika të veçanta të këndimit, ashtu sikur ruan edhe veshjet e begatinë e koloritit, sikur ruan temat dhe motivet shumë të pasura

Në traditën folklorike shqiptare, secila krahinë e Shqipërisë etnike ruan elemente specifike origjinale, por edhe elemente të përgjithshme që janë karakteristika të këngës shqiptare në përgjithësi. Më ndryshe këndohet në rrethin e Kërçovës sesa në atë të Dibrës e të Tetovës, edhe pse kemi të bëjmë me një njësi krejt të përafërt gjeografike. Po kështu veçantitë  e këngës mirditore, nuk janë të njëjta me ato të këngëve të Malësisë së Madhe as me këngët e Krujës me rrethinë, me të cilat kufizohet kjo krahinë e Shqipërisë. Edhe kënga e Drenicës, ka tipare që e dallojnë nga kënga e Dukagjinit, e cila ka një shtrirje dhe një ndikim edhe në krahinën e Anadrinit e më gjerë.

Në Kosovë përgjithësisht, nën ndikimin e këngëve që dikur përhapeshin nga Radio-Tirana e Radio-Kukësi, ka ardhur deri te unifikimi i fuqishëm i këngës shqipe. Ky ndikimin ka qenë i jashtëzakonshëm dhe i ka thyer barrierat krahinore. Kënga mirditore e Ndrec Ndue Gjokës e Cucës në Maleve, e shumë këngë të tjera janë kënduar kudo në Kosovë, por nuk janë kënduar në Labëri, në Lunxhëri as në krahinat mesme apo të jugut të Shqipërisë,  meqë ato treva kanë ruajtur dhe kanë restauruar këngët e veta. Është e natyrshme se këngët çame janë ruajtur më shumë në jugun e Shqipërisë, por këngët e Kosovës, nuk janë kënduar sa duhet as  në veriun e Shqipërisë,  me përjashtime të rralla.

Kosova përgjithësisht ka kënduar dhe ka pasuruar fondin me këngë nga të gjitha viset e Shqipërisë, jo vetëm në periudhën e socializmit, kur kënga shqipe ishte zhvilluar dhe unifikuar në tërë shtrirjen e saj historike e gjeografike.

Kënga e vetme për kryengritësin më të madh të kohës së Perandorisë Osmane, Halil Patrona, ( 1690-1730) është ruajtur në Kosovë, edhe pse e mjaft e modifikuar, në rrethana të caktuara historike.  Në Kosovë në dy shekujt e fundit janë kënduar këngë për Ali Pashë Tepelenën, Mehmed Ali Pashën, Këngë për Zenel Gjolekën, e këngë të tjera për trimëreshat e trimat shqiptarë të jugut. Po çuditërisht në Shqipërinë e mesme dhe në atë të jugut nuk janë kënduar këngë për Luftën e Kosovës, për Milush Kopiliqin, as për Oso Kukën, Isa Boletinin, Bajram Currin etj.

Disa veçori tipike origjinale të këngëve kërçovare dhe tetovare

1.

Kënga kërçovare

Tri ushtritë tona çlirimtare, ( UÇK-UÇPMB dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare), çliruan edhe ndjenjat e shtypura e për  shumë shekuj  të ndrydhura  të shqiptarëve në trojet e tyre, sidomos të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët kanë qenë shumë më të keqtrajtuar në kohën e regjimit jugosllav, nga të gjithë shqiptarët e viseve të robëruara. Mbi ta ishte ushtruar keqtrajtimi, bullgaro-serb. Shqiptarët e kësaj pjese të atdheut, kur vinin në Kosovë, ata gjenin Shqipërinë e imagjinuar, sikur ne në Kosovë ëndërronin Shqipërinë e kohës.

Përveç historisë së begatshme të rezistencës aktive kundër të gjithë pushtuesve, që nga Roma e Bizanti, turku e sllavi, kërçovarët kanë ruajtur ADN-në shqiptare, madje kanë ruajtur elementët më arkaike të këndimit, të cilat, si të tilla,  nuk i gjemë në trevat e tjera shqiptare. Kënga e trevës së Zajazit për nga mënyra e këndimit  duket se vjen që nga lashtësia dardane ilire, ndërkohë që është e vetmja trevë në Iliridë që ka kombinuar këndimin polifonik me atë monofonik dhe që nuk është karakteristikë e trevave të tjera shqiptare. Kënga e Zajazit dhe përgjithësisht  e trevës së Kërçovës dallon nga këngët e të gjitha viseve e trevave shqiptare. Si e tillë ajo meriton të studiohet për të hedhë dritë edhe mbi etnogjenezën mjaft arkaike të kësaj treve. Polifonia autentike e këngëve kërçovare, veçmas ato që këndohen në Zajas  ka tipare të polifonisë antike, mbase të kohës homerike. Këndimi në akord të tre zërave, i lartë i mesëm  dhe i ulët është një fenomen që nuk hetohet dot në trevat e tjera të Shqipërisë. Kjo formë e kombinimit të zërave i shton melodinë këngës, ngjall emocione te dëgjuesit, sidomos kur në fund të vargut apo strofës, zërat ngrihen për t’u  lëshuar ngadalë në fundin e fjalës…

Këndimi  arkaik i këngëtarëve të trevës së Zajasit, përgjithësisht është këndim serioz që duket se mbart me  vete një formë të meditacionit tipik, një stoicizëm unikat,  i cili nuk hetohet në asnjë trevë tjetër shqiptare, por as në trevat e Ballkanit. E veçanta e këtij këndimi hetohet në thjeshtësinë e rrëfimit fragmentar dhe artistik, karakteristikë e këngëve të jugut të Shqipërisë. Kënga tipike e malësorëve të Kërçovës ka edhe karakter  meditativ sa në shumë raste, kënga në trio pa përcjellje muzikore duket e njëjtë me meditacionin dhe këndimin arkaik të popujve të Lindjes së Largët, sikur njëlloj këndimi meditativ, jo aq karakteristik për trevat e tjera të Iliridës.

Këtë përshtypje subjektive kam për këto këngë, të cilat gjatë shekujve, mendoj se  kanë ruajtur trajtat arkaike të këndimit dhe krejt kjo dëshmon qartë se banorët e kësaj pjese të Iliridës kanë një strukturë të fortë të ADN-së kombëtare, e cila i ka përballuar me shumë sukses, mizorive  pushtuese,  dhunës së sundimtarëve të ndryshëm të veriut e jugut, të Lindjes e të Perëndimit. Ata,  pavarësisht zezonave shekullore kanë qëndruar si digë e fortë gjenetike kundër  eliminimit  dhe asimilimit, edhe pse pësimet kanë qenë të një pas njëshme deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila me gjakun e derdhur të dëshmorëve stopoi asimilimin dhe dëbimin nga trojet stërgjyshore.

Mbase krejt kjo ka të bëjë edhe me territorin paksa të izoluar dhe me jetën e pavarur nomade  larg ndikimeve të pushtuesve të  ndryshëm gjatë shekujve.

 

2.

 Kënga tetovare

Krahina e Tetovës, e njohur që nga lashtësia ilire dardane, po kështu ka disa karakteristika të veçanta të këndimit, që dallojnë ndjeshëm nga kënga dibrane, po jo aq ndjeshëm nga kënga kërçovare. Kam prirje të besoj se kënga shqip e Tetovës me rrethinë ka shortuar një element bashkëdyzimi mes këngës tipike polifonike të Kërçovës dhe këngës monofonike dibrane, e cila ashtu si të gjitha krahinat shqiptare i ka veçantitë e veta të këndimit. Është e natyrshme në muzikë dhe në këngë shprehja e afrisë gjeografike, por në fenomenin shqiptar, primar është këndimi autokton, i pasuruar me elementë muzikorë fqinjësorë.

Kënga tetovare ka trashëguar edhe elementë të muzikës orientale, të cilat janë mjaft të kursyera në këngën kërçovare, dhe mungojnë fare në këngën dibrane. Kënga Dibrane është këngë tipike monofonike, homerike, ku dominon kënga e trimërisë, kënga e mallit dhe e pikëllimit që ka disa elementë të përbashkët edhe me muzikën bullgare, para ballkanike, përgjithësisht muzikën malore, nomade.

Kjo laramani e këndimit shqiptar, në të gjitha krahinat veç e veç ka ruajtur dhe ka restauruar elementë origjinalë arkaikë me fërkime fqinjësore, që janë krejt të natyrshme, por që nuk e kanë zvetënuar e degraduar burimin, përkundrazi e kanë pasuruar atë me shumëllojshmëri të shprehjes duke krijuar një bazë autentike, që i ka përballura shekujt dhe që edhe sot e kësaj dite ruhet, pse jo edhe me fanatizëm.

Pikërisht sepse kënga shqipe ka ruajtur burimin dhe e ka pasuruar atë gjatë shekujve, ajo nuk iu ka nënshtruar  asimilimit, nuk ka degjeneruar në tallava, nuk ka degraduar në nivelin që kanë degraduar këngët e fqinjëve sidomos ajo serbe, por jo kënga greke e bullgare.

Këngëtarë meritorë për ruajtjen dhe restaurimin e këngëve nga Tetova, Dibra e  Kërçova janë të shumtë janë këngëtarë, artistë të vërtetë, të cilët jo vetëm që këndojmë me shpirt e zemër, por kanë kujdes të madh në ruajtjen sa më të fortë të traditës së këndimit, të shortimit të elementëve arkaikë në këngën tipike, me elementë krahinorë bashkëkohorë, me qëllim për t’i përballuar kohës.

Në këtë drejtim një kontribut madhor kombëtar kanë dhënë këngëtarët dibranë si Aziz Ndreu, Qerim Sula, Melita Shehu, Arif Vladi, Lirie Rasha, Saje Poleshi e shumë  të tjerë.

Muzika origjinale kërçovare njeh Trion e Zajazit, jo gjithaq për tematikën e këngëve, në kohën e kaluar,  por për mënyrën e  trashëguar të këndimit në trio, pastaj  Vëllezërit Dervishi, (Dervish Dervishi dhe Azem Dervishi) Bexhet Jagodini, Daut Zenku, Besiana Mehmedi, Lumturie Axhami-Sejdini e të tjerë.

Kënga tetovare ka po ashtu këngëtarë të mirënjohur të nivelit të lartë gjithëkombëtar; Të tillë janë vëllezërit këngëtarë: Jashar dhe  Idajet Sejdiu,  Sylejman Memishi, Besnik Bajrami, Mejreme Kurti, e të tjerë, të cilët  kanë ruajtur dhe ruajnë begatinë kombëtare të këngës origjinale të kësaj treve historike të Shqipërisë, e cila sikur edhe trojet e tjera përballoi ciklonet çmendurake të  Romës e Bizantit të Sllavëve e Perandorisë Osmane, por edhe të pushtuesve të tjerë  në 100 vitet të fundit.

3.

Disa elemente arkaike origjinale të këngëve tetovare të vëllezërve,  Jashar dhe Idajet Sejdiu

Këngëtarët vëllezër,  Jashar dhe Idajet Sejdiu kanë sjellë në këngën  shqiptare në përgjithësi e në veçanti në këngën burimore tetovare,  një  frymë autentike të sintetizuar në të gjitha aspektet e këndimet dhe të përcjelljes muzikore profesionale,  duke qenë se tanimë janë këngëtarë me një stazh të gjatë, të mrekullueshëm dhe tërë kjo  shënon një rritë të begatë, shumë autentike, jo vetëm me detaje e nuanca, por me tërësinë e komponimit  dhe këndimit. Kënga e këtyre dy vëllezërve shquhet  për repertorin e begatë, motivet kryesisht atdhetare, shqiptimin profesional gjuhësor me elemente autentike të rajonit, zëvendësimin me mjeshtëri të fjalëve të huaja, kur ato  janë të panevojshme.

Veçanti e këndimet është edhe kombinimi i zërave poshtë-lartë që i jep një muzikalitet të veçantë këngës, duke ruajtur autenticitetin e këndimit dhe duke mbajtur gjallë imagjinatën e dëgjuesit, për një këndim kuptimplotë ku janë bërë bashkë të gjithë elementet,  në një sinkron, që të mbetet gjatë në kujtesë. Ajo që unë kam vërejtur në këndimin e tyre të mrekullueshëm është në veçanti, ritmi natyral me prerje profesionale, cezura, gradicioni, elasticiteti i zërave solo dhe duet, serioziteti gjatë këndimet, njëzimi me këngën, përkushtimi.

Jashari dhe Idajeti futen natyrshëm në këngë, e përjetojnë atë në shpirt  dhe qëndrojnë në të krejt derisa kryhet ajo, duke u bërë pjesë e narracionit autentik të një diskursi artistik,  që cilin nuk e arrijnë dot shumë këngëtarë të njohur, edhe pse të gjithë bëjnë përpjekje. Përveç këtyre vëllezërve një nivel të tillë të njëzimit me këngën e arrijnë me sukses edhe Behxhet Jagodini, Ulmize Tafallari, Lumturie Axhami,  të cilët i përkasin të njëjtës shkollë, shkollë të  lindur, autentike, homerike shqiptare dhe jo të mësuar në studime, por të mbjellë në ADN-së e qenies, të trashëguar nëpër vlimet historike, në furtunat e jetës, në ndeshjet gjithnjë të ashpra, në luftë për të mbijetuar.

Në opusin krijues të këngëve të këtyre dy këngëtarëve, vendin më meritor e kanë këngët atdhetare, këngët e mallit e të pikëllimit, këngët për trimat e trimëreshat, këngët e dashurisë dhe të tjera. Secila këngë e tyre është antologjike, pavarësisht se kush i ka krijuar, apo i ka kënduar ato edhe më parë, sepse gjatë këndimit ata këngën e magnetizojnë me një energji të lidhur shpirtërore, e përvetësojnë, e latojnë e përditësojnë dhe e prezantojnë në nivelin më meritor të mundshëm.

Të shumtë janë këngëtarët popullorë që këndojnë me shpirt e zemër, të gjithë janë konkurrentë dhe secili mundohet të japë gjithçka nga vetja, por jo të gjithë i arrijnë kulmet, sepse për të arritur kulmet e tilla, në radhë të parë është talenti dhe ADN-ja e lindur, shpirti artistik, ndjeshmëria shpirtërore, njohja profesionale e muzikës, ritmit, ekzekutimit dhe një tërësi komponentesh, që përbëjnë grimcën universale autentike të artit, i cili qëndron mbi të gjitha shpikjet njerëzore, si qelizë magmatike, që ndërtohet në qenie të caktuara.

Duke qenë dëgjues e më vonë studiues dhe krijues, kam vërejtur se krijimtaria dhe arti në përgjithësi,  në veçanti kënga përmes veshit i referohet shpirtit, qenies, intelektit dhe krijon një komunikim të ndërsjellë përjetimesh në raport këngëtar-dëgjues, një lidhje përçuese, e cila iu drejtohet ndjenjave, i fisnikëron ato i frymëzon mirësitë, nxit efektet pozitive dhe mbi të gjitha shërben si valvul për ta liruar, stresin, ankthin dhe  efektin  negativ nga shpirti. Nuk është thënë kot se ai që këndon, (ai që këndon nga zemra dhe e ndien këngën) keq nuk mendon.

Jashar  dhe Idajet Sejdiu kryesisht këndojnë duet, por kur këndojnë veçmas nuk e arrijnë dot nivelin e këndimit dysh, sepse në një rast të tillë mungon harmonia e nivelit zanor autentik, mungon njëra pjesë nga tërësia, e cila nuk arrin nivelin e tonalitetit të njëzuar, edhe pse të dy kanë edhe karakteristikat e veçanta të këndimit. Sa i përket këngës, mendoj se këta janë “vëllezër siamezë” të këndimit shqiptar, që buron nga jonet burimore e të pastra  të Iliridës së dikurshme, ( Iliridë në kuptimin historik, jo politik),  janë një duet që plotëson njëri-tjetrin në mënyrën më origjinale të mundshme.

Repertori i pasur dhe i begatë i këtyre dy këngëtarëve, i vendos ata si këngëtarë të nivelit kombëtar, si prezantues të denjë të këngës tetovare për nga specifikat dhe  të këngës shqipe në përgjithësi, e cila në totalitetin e saj  përbëhet nga veçantitë krahinore, e tillë sikur është sot dhe me tipare mjaft dalluese po të krahasohet me këngët e popujve të tjerë,  që janë këngë shumë homogjene dhe të njëtrajtshme, si për shembull kënga sllave e cila ruan të njëjtin ritëm kudo ndër treva.

Po të kishte çmim për duetin më të mirë të këngës shqipe, besoj se çmimi i parë i pakontestueshëm do t’ i jepej këtij dueti, këtyre dy vëllezërve që kanë mrekulluar këngën shqipe, që ia kanë nxjerrë në sipërfaqe  tharmin historik të këndimit dhe po mbajnë gjallë  një mënyrë këndimi autentik, pa konkurrencë në ditët tona.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …